Ndërlidhjet

Lista Serbe e “vonuar” për koalicione


Pjesëmarrja e pakicave, përfshirë edhe pakicën serbe, në qeverinë e re të Kosovës, është garantuar me Kushtetutë, por Lista Serbe, si subjekti më i madh që përfaqëson serbët në Kuvendin e Kosovës, ende nuk është orientuar drejt ndonjë koalicioni të mundshëm, vlerësojnë drejtuesit e saj.

Por, ky mos orientim, sipas njohësve serbë të zhvillimeve politike në vend, nuk është në favor të këtij subjekti, nëse ai dëshiron që në mandatin e ardhshëm t’i adresojë qëllimet e veta për t’i realizuar.

Aleksandar Jabllanoviq, kryetar i Listës Serbe, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se vet koncepti i pjesëmarrjes në qeveri, është i bazuar në marrëveshje të koalicionit dhe është i lidhur me qëllimet që ka një qeveri.

Megjithatë, sipas tij, deri më tash, Lista Serbe, nuk ka kontaktuar me asnjërën nga dy blloqet politike, të cilat do të synojnë formimin e qeverisë së vendi, pasi që Kuvendi i Kosovës të formohet.

“Nuk kemi pasur kontakte të atij lloji, për arsyen e thjeshtë që ne, si Listë Serbe, por edhe deputetët tjerë jo shqiptarë në Kuvendin e Kosovës e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë se jemi për konstituimin e Kuvendit, si dhe për vazhdimin e ndërtimit të institucioneve. Problemi qëndron tek partitë politike të shqiptarëve të Kosovës. ne po presim që ata të merren vesh”, tha Jabllanoviq.

Por, këtë pritje të Listës Serbe, njohësi serb i zhvillimeve politike në Kosovë, Rangjel Nojkiq, nuk e konsiderojnë si veprim të mençur politik.

Sipas tij, Lista Serbe është dashur që të orientohet më herët drejt një opsioni të mundshëm për koalicion.

“Por, sidoqoftë, mendoj se tash është situata e qartë dhe se shumica parlamentare është e sigurt dhe ajo tashmë njihet. Prandaj mendoj që Lista Serbe duhet të orientohet kah ajo shumicë, në qoftë se dëshiron që kërkesat e veta t’i realizojë në mënyrë të drejtë”, theksoi Nojkiq.

Por, përkundër mendimit të Nojkiqit, qëndrimi i mëhershëm i Listës Serbe, që të mos marrë pjesë në një qeveri, e cila eventualisht mund të formohet nga koalicioni, pjesë e të cilit është edhe Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka ndryshuar, thotë Jabllanoviq.

Ndërkaq, Nojkiq, vlerëson se Lista Serbe nuk duhet ta përjashtojë opsionin e tillë eventual, sepse një gjë e tillë do të ishte edhe një sfidë e re për serbët, që ata të marrin pjesë në një qeveri të tillë, ku do t’i mbronin të drejtat e tyre.

Në anën tjetër, Jabllanoviq, e pranon faktin që, siç thotë ai, është e pamundur të jesh pjesë e një qeverie dhe të mos ekzistoj bashkëpunimi i definuar me ndonjë marrëveshje ndërmjet partive politike, kushdo qofshin ato, që do ta formojnë qeverinë.

Ai megjithatë, nuk e përjashton mundësinë e një marrëveshjeje e tillë të bëhet.

“Në qoftë se Lista Serbe do të hyj si faktor në qeverinë e ardhshme të Kosovës, atëherë ajo duhet t’i pranojë disa kushte, të cilat para saj do t’i shtrojnë përfaqësuesit e partive tjera politike. Por, në anën tjetër, edhe partitë tjera politike duhet t’i njohin interesat e Listës Serbe për formimin e qeverisë”, tha Jabllanoviq.

Megjithatë, Nojkiq, vlerëson se mungësa që Lista Serbe t’i realizojë objektivat e saj, është larg më e madhe në qoftë se ajo orientohet më herët drejt një koalicioni eventual, se sa në rastin që, siç thotë ai, ajo ta pret momentin e fundit dhe të jetë pjesëmarrëse apo vëzhguese memece e zhvillimeve.

Ai shpreh mendimin se , megjithatë, Lista Serbe ka mundësi edhe tash të orientohet drejt një koalicioni apo marrëveshjeje me partitë politike.

“Mendoj se Lista Serbe, agresiviteti dhe kërkesat e saj për zbatimin e çështjeve shumë të rëndësishme për bashkësinë që e përfaqëson, është larg më e madhe në qoftë se ajo orientohet. Në anën tjetër, mendoj gjithashtu që Lista Serbe mund ta bëj tash një lloj marrëveshje me partnerët e koalicionit dhe të ketë qëndrim shumë të qartë që në fuillim se si mund t’i realizojë kërkesat e saj”, theksoi Nojkiq.

Ndryshe, zyrtarët e Listës Serbe, thonë se edhe në të ardhmen, do të vazhdojnë t’ia prezantojnë problemet Beogradit dhedo të konsultohen me të.

Ndërkaq, njohësit serbë të zhvillimeve politike, shprehin mendimin se Lista Serbe duhet të bëj marrëveshje me Beogradin dhe çështjet, të cilat do t’i parashtron në të ardhmen, në Qeverinë e Kosovës, të kenë bazë reale dhe jo të tilla që Listën Serbe do ta sillnin në situatë të palakmueshme.

XS
SM
MD
LG