Ndërlidhjet

Nevoja për një sistem efikas të drejtësisë


Ndërtimi i sundimit të ligjit dhe ndërtimi i një sistemi të efektshëm, në të cilin qytetarët kanë besim, është shumë i rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për integrimin në Bashkimin Evropian, ka deklaruar ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, në një tryezë të rrumbullakët në kuadër të fushatës “Drejtësia dhe Qytetarët”. Organizatorë të fushatës janë disa organizata joqeveritare.

Jacobson ka thënë se qasja, transparenca dhe llogaridhënia në sistemin e drejtësisë janë të rëndësishme.

“Raportet ndërmjet qytetarëve dhe organeve të drejtësisë janë të rëndësishme jo vetëm për kredibilitetin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, por edhe në botë. Mbetet ende shumë punë për t’u bërë. Është diçka tjetër mundësia për të bërë ankesa, por diçka tjetër të kuptuarit e procesit se ku do të shkojë ajo ankesë. Dhe, mendoj se ende nuk kemi arritur në atë pikë”, ka thënë Jacobson, duke shtuar se organet e drejtësisë në Kosovë e kanë për detyrë të japin llogari, të punojnë pa presion dhe të jenë të paanshme.

Kurse, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci tha se Gjyqësori i Kosovës, duhet të perceptohet si i drejtë, i paanshëm dhe i pavarur.

Ai tha se të gjitha institucionet e sistemit të drejtësisë, por edhe të tjerat duhet të japin llogari për veprimet dhe përgjegjësit që kanë.

“Jo rastësisht që në pesë shtyllat strategjike dhe në shtyllën e parë për planin strategjik t gjyqësorit të Kosovës 2014-2019, e kemi paraparë krijimin e besimit dhe mbështetjes, ngase konsiderojmë se janë esenciale, për ruajtjen e një shoqërie demokratike dhe pavarësinë e gjyqësorit. Në këtë drejtim, gjyqësori i Kosovës, duhet të perceptohet si i drejtë, i paanshëm dhe i pavarur”, tha Peci.

Peci tha po ashtu se gjyqësori në Kosovë, ka kaluar në disa faza të reformimit të thellë në kuptimin e ligjeve dhe organizimit.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës gjatë debati ka folur edhe për numrin e rasteve dhe lendeve të grumbulluara nëpër gjykata, për të cilat tha tash ka një ritëm me të shpejt të shqyrtimit të tyre.

Nga ana tjetër, qytetarët thotë se deri në një masë janë të informuar për atë se si funksionojnë organet e drejtësisë dhe si duhet qasur për ndonjë rast eventual.

Bekim Brahimi një student nga Prishtina thotë se deri më tash nuk ka pasur ndonjë rast me sistemin e drejtësisë.

“Realisht mua nuk me ka rënë personalisht t'i drejtohem gjykatave dhe prokurorive se nuk kam pasur probleme me ligjin, por e di janë thjeshtësuar disa proceduara. Tash kemi edhe noterët që faktikisht mund të marrësh këshilla”, tha Brahimi.

Ngjashëm shprehet edhe qytetarja Kaltrina Mehmeti e cila studion në Fakultetin Ekonomik të Universiteti të Prishtinës.

“Normalisht tash me hapjen e zyrave të noterëve shumë punë i kryejmë të ata. Në momentin kur kisha pasur ndonjë rast sigurisht që isha drejtuar të ata ose të ndonjë avokat”, tha Mehmeti.

Fushata “Drejtësia dhe qytetarët” ka për qëllim rritjen e vetëdijes së qytetarëve të Kosovës për ushtrimin e të drejtave dhe detyrimeve në sistem të drejtësisë, si dhe rritjen e përgjegjshmërisë së vetë sistemit të drejtësisë në Kosovë.

XS
SM
MD
LG