Ndërlidhjet

Produkte të dyshimta shumë, ankesa pak


Ilustrim
Ilustrim

Derisa gjatë muajve të fundit në Kosovë është raportuar vazhdimisht për produkte të dyshimta, numri i ankesave të qytetarëve nuk ka qenë i madh.

Përfaqësues të autoriteteve të Kosovës thonë se mungon vetëdijesimi i qytetarëve të Kosovës për të paraqitur rastet kur ata hasin në produkte të dyshimta.

Gjatë këtij viti janë vetëm 33 ankesa të qytetarëve të cilat janë paraqitur në Zyrën për Mbrojtjen e Konsumatorit, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Artan Demolli, nga Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë i ka thënë Radios Evropa e Lirë që numri i ankesave të paraqitura nga qytetarët është më i ulët krahasuar me vitin e kaluar.

Nga 160 ankesa të paraqitura nga qytetarët, 33 prej tyre janë ankesa që kanë të bëjnë më produkte të dyshimta.

“Kryesisht ankesat kanë të bëjnë me skadencë të afatit. Po ashtu ka ankesa edhe për dyshim të cilësisë, ka raste kur produkti i blerë nga qytetari ka afat, por që është i prishur, pra nuk mund të konsumohet. Të gjitha këto raste ne i paraqesin në Agjencinë e Veterinarisë dhe Ushqimit, të cilët pastaj marrin masat e duhura”, thekson ai.

Përfaqësues të organizatave që merren me mbrojtjen e konsumatorit dhe vetë autoritetet e vendit ishin ata që kishin raportuar për produkte të dyshimta në tregun e Kosovës.

Së fundi si produkte me cilësi të dyshimtë ishte raportuar për mishin e pulës, mielli i cili prodhohet në Kosovë si dhe limonin i cili importohet nga Turqia.

Derisa në fillim të këtij viti në tregun e Kosovës ishte paraqitur produkti i dyshimtë “Strudle” me përbërje të fikut nga prodhuesi serb “Medela”.

Ky produkt ishte vërtetuar me përqindje të ohratoksinës A, materie kjo toksike e rrezikshme, nëse i kalon limitet e parapara dhe si e tillë konsiderohet kancerogjene.

Për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve nga produktet e dyshimta vepron Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës e Kosovës.

Valdet Gjinovci, kryeshef ekzekutiv në këtë agjenci, në një konferencë për media ka garantuar qytetarët se në Kosovë nuk ka produkte të pa sigurta që mund të rrezikojnë shëndetin e qytetarëve.

Ai thekson se kanë ngritur kapacitetet kontrolluese dhe nuk ka vend për shqetësim.

“Në asnjë mënyrë nuk kemi lejuar të importohen apo të prodhohen produkte të cilat rrezikojnë shëndetin e qytetarëve”, thekson ai

Ndërkaq, ai ka bërë të ditur se gjatë këtij viti kanë asgjësuar 350 ton produkte të dyshimta bimore dhe shtazore.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë gjatë konferencës me temën “Kontrolli dhe siguria e ushqimit”, kanë akuzuar grupe të caktuara tregtare, të cilët siç thonë ata po sulmojnë prodhimet e Kosovës.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu thotë se po përdoren mekanizma për të sulmuar prodhimet në Kosovë...

“Jemi dëshmitarë që tregtarë të caktuar për të arritur përfitime e tyre dhe qëllimet e veta financiare, e shkelin çdo gjë që është kosovare me të vetmin qëllim për përfitime të grupeve të caktuara. Mu në këtë drejtim përdoren mekanizma për të sulmuar prodhimet në Kosovë, qoftë të prodhimit dhe përpunimit të mishi, qoftë të produkteve të qumështit si dhe produkte tjera”, thekson ai.

I pyetur se kush janë këto grupe të caktuara, Gërxhaliu nuk ka dhënë detaje se kush janë ato grupe apo kompani tregtare.

Ndryshe, në Kosovë që nga viti 2010, është hartuar programi për mbrojtjen e konsumatorit nga Qeveria e Kosovës.

Derisa Ligji për mbrojtjen e konsumatorit në Kosovë është miratuar në vitin 2004.

XS
SM
MD
LG