Ndërlidhjet

QKUK në mungesë të buxhetit


Qendra Klinike Universitare e Kosovës
Qendra Klinike Universitare e Kosovës

Edhe pse buxheti i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës prej rreth 23 milion eurosh është shfrytëzuar këtë vit për gati 90 për qind, mungesat e barnave esenciale si dhe materialit hargjues gjatë gjithë vitit kanë qenë evidente.

Sipas zyrtarëve në këtë qendër, maksimumi që ata kanë arritur në periudha të ndryshme ta furnizojnë këtë qendër me barna dhe material shpenzues, ka qenë rreth 50 për qind.

Ndryshe Qendra Klinike Universitare të Kosovës, është e vetmja qendër terciare referente për gjithë Kosovën.

Sherif Bytyqi, shef I sektorit të financave në QKUK, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se buxheti i këtij viti, deri në muajin nëntor është shfytëzuar mbi 80 për qind.

"Buxheti I QKUK- së do të jetë i shfrytëzueshëm mbi 90 për qind deri në fund të vitit. Deri ditën e enjte, më datën 27 nëntor 2014 kur edhe është bërë një llogaritje në përgjithësi për mallra shërbime, investime kapitale dhe komunale, shfrytzueshmëria ka qenë mbi 81 për qind".

Buxheti i ndarë për këtë vit për qendrën terciare, është rreth 23 milion, derisa zoti Bytyqi shton se për vitin e ardhshëm, kanë kërkuar buxhet më të madh, pasi që nevojat për këtë qendër janë shumë të mëdha.

"Buxheti nuk është i mjaftueshëm, nevojat janë shumë më të mëdha dhe ne kemi kërkuar rritje të buxhetit, sepse ne gjthmomnë kemi mungesë të ilaqeve, mallarave dhe shërbimeve, por këto janë mundësit buxhetore", ka shtuar Bytyqi.

Ndërkaq ekspertë të shëndetësisë kanë bërë të ditur se buxheti prej rreth 23 milion eurosh, nuk është buxhet për një sistem shëndetësorë, por buxhet emergjent. Kështu ka thënë Haxhi Avdyli, neurokirurg.

"Buxheti i ndarë është vetëm sa për ti përmbushur kërkesat minimale të cilat janë për funksionimin e saj.Mendoj se për vitin e ardhshëm duhet të dyfishohet buxheti në mënyrë që të bëhet edhe furnizimi më i mirë më barna por edhe të investohet në blerjen e aparaturës së re diagnostike, të investohet në krijimin e kushteve më të mira për punë".

"Aparatura është e vjetruar, dhe instrumentet gjithashtu duhet të ndrrohen në salla operative. Buxheti i këtij viti ka qenë buxhet emergjent, dhe jo buxhet për një sistem shëndetësor që pretendojnë ta kenë qytetarët por edhe profesionistët shëndetësorë, në mënyrë që ne ti ofrojmë shërbimet sa më të mira për qytetarët tonë", ka theksuar Avdyli.

Zoti Avdyli ka shtuar se edhe përkundër buxhetit të ulët që ka sistemi shëndetësor i Kosovës, ai nuk shfrytëzohet në mënyrë të duhur.

"Edhe shfrytëzimi jo racional i këtij buxheti ka bërë që ne të mos ofrojmë shërbimet më cilësore të mundshme për qytetarët e Kosovës".

Sidoqoftë ekspertë shëdetësorë thonë se qytetarët e Kosovës shpenzojnë shuma të mëdha parash për trajtim jashtë institutcioneve publike shëndetësore, në mungesë të ofrimit cilësor të shërbimeve shëndetësore.

XS
SM
MD
LG