Ndërlidhjet

Merr fund “Rrjedha e Jugut”, reagon Serbia


Presidenti i Rusisë, Vladimi Putin, ka thënë se tubacioni i propozuar i gazit “Rrjedha e Jugut” nuk do të ndërtohet.

Duke folur të hënën në Ankara me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, Putin ka thënë se në vend të kësaj, Rusia do të shikojë për ndërtimin e një qendre të gazit në kufirin Turqi-Greqi.

Putin ka fajësuar Evropën për kundërshtimet ndaj këtij plani, i cili do të financohej nga gjiganti rus i gazit, Gazprom.

“Rrjedha e Jugut” do të transportonte gazin rus përmes Detit të Zi në Bullgari dhe përmes Serbisë, Hungarisë dhe Sllovenisë në Austri.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar, duke thënë se tërheqja e Rusisë nga projekti është lajm i keq për Serbinë, porse “qytetarët nuk duhet të brengosen për furnizimet me gaz”.

Vuçiq ka thënë se së shpejti do të bisedojë me Putinin dhe zyrtarë të tjerë për këtë çështje.

“Serbia nuk i ka kontribuar assesi këtij vendimi. Shtatë vjet ka investuar në këtë projekt, por paguajmë çmimin e konflikteve të mëdha”, ka thënë Vuçiq për mediat serbe.

Bashkimi Evropian ka thënë se projekti “Rrjedha e Jugut” nuk është në përputhje me ligjet e BE-së për konkurrencë dhe energji. Si pasojë e këtyre kritikave, Qeveria e Bullgarisë ka pezulluar punën në “Rrjedhën e Jugut” në muajin qershor.

“Marrë parasysh se deri në këtë moment nuk kemi marrë lejen e Bullgarisë, besojmë se Rusia nuk mund të vazhdojë me zbatimin e këtij projekti në rrethanat ekzistuese”, ka thënë Putin, duke i hedhur gjithë fajin BE-së.

“Ne besojmë se qasja e Komisionit Evropian nuk ka qenë konstruktive. Jo vetëm që nuk na ka ndihmuar të zbatojmë këtë projekt, por ka bërë të gjitha llojet e pengesave për ta bllokuar atë. Nëse Evropa nuk është e gatshme për ta zbatuar atë, ne nuk do ta realizojmë. Ne do t’i përcjellim flukset tona të energjisë në rajone të tjera të botës”, ka shtuar Putin.

Kreu i Gazprom-it, Alexei Miller, ka konfirmuar se tubacioni ka marrë fund.

Projekti është mbyllur”, u ka thënë ai gazetarëve.

Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Bashkimit Evropian janë tendosur keq për shkak të krizës në Ukrainë.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar disa individë dhe kompani ruse, pas ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë, por Gazprom-i nuk është prekur.

Gazprom furnizon Evropën me 30 për qind të gazit – 15 për qind e të cilit kalon nëpër Ukrainë.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG