Ndërlidhjet

Përkushtim ndërkombëtar për luftimin e IS-it


Një militant i Shtetit Islamik në Irak, foto nga arkivi
Një militant i Shtetit Islamik në Irak, foto nga arkivi

Në Bruksel ka përfunduar takimi i parë i Koalicionit Ndërkombëtar kundër Shtetit Islamik, i cili është zhvilluar në selinë e NATO-s dhe në të kanë marrë pjesë përfaqësues nga 60 shtete.

Në këtë takim, siç mësohet nga pjesëmarrësit, është vlerësuar bashkëpunimi mes partnerëve dhe sidomos roli i prijësve fetarë. Është thënë se grupet terroriste nuk duhet identifikuar me Islamin.

Pjesëmarrës në takim ka qenë edhe ministri në largim i punëve të jashtme i Kosovës Enver Hoxhaj, i cili foli për hapat që i ka ndërmarrë Kosova në këtë fushë.

“Mendoj se është një vlerësim serioz i partnerëve ndërkombëtarë se Kosova si shtet i ri, në mënyrë serioze është e përkushtuar të ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit. Vetë ftesa për Kosovën që të marrë pjesë në këtë takim është një konfirmim se në koalicionin prej 60 shtetesh roli dhe përgjegjësia e Kosovës si partner me përgjegjësi vlerësohet”, ka thënë Hoxhaj.

I pyetur se a është përmendur fakti se nga Kosova ka një numër të caktuar njerëzish të cilët u janë bashkangjitur këtyre formacioneve, Hoxhaj tha se kjo nuk është përmendur në mënyrë të veçantë si fenomen nga anëtarët e pranishëm në këtë takim, por se ai ka informuar të pranishmit se Kosova, ndër vendet e para në rajon, ka ndërmarrë masa legale dhe veprime konkrete për parandalimin e pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës si luftëtarë të huaj në konfliktin në Siri dhe në Irak.

“Ne prej fillimit kemi qenë të shqetësuar për një fenomen të tillë i cili paraqet një kërcënim edhe për sigurinë shtetërore të Kosovës por edhe për sigurinë e qytetarëve të sajë. Në të njëjtën kohë kam thënë se ne duhet ta kuptojmë këtë fenomen nga një kontekst më të gjerë politik dhe social dhe ti kuptojmë motivet sepse njerëzit marrin pjesë në një fenomen të tillë që bazohet në një ideologji të dhunshme”, ka thënë Hoxhaj.

Ai tha se në paraqitjen e tij ka nënvizuar se “ky fenomen në rastin e Ballkanit dhe Kosovës është i ndikuar nga strukturat dhe grupet jashtë Kosovës dhe jashtë Ballkanit, nga Lindja e Mesme, të cilat në mënyrë gjeostrategjike dhe gjeopolitike synojnë që të përdorin njerëz të caktuar nga Ballkani dhe nga Evropa në një rrafsh më të gjerë dhe kam kërkuar që të kemi një debat më të shtruar për ndikimin dhe influencen e Islamit radikal në Ballkan dhe që Kosova po ndërmerr të gjitha masat në bazë të një strategjie të përgjithshme se sit ë luftoj ekstremizmin dhe terrorizmin”.

Ministri Hoxhaj tha se i është dashur të ndërhyjë pasi homologu i tij nga Serbia Ivica Daçiq përmendi Kosovën në paraqitjen e tij dhe rrezikun nga islami radikal.

“Unë kam shprehur protestën time dhe kam kundërshtuar ashpër faktin se Daçiq i referohej edhe situatës në Kosovë. Kam kërkuar nga Daçiq që ai të mos e keqpërdorë një takim të tillë të madh ndërkombëtar dhe se ai nuk ka të drejtë të flasë në emër të Republikës së Kosovës”, tha Hoxhaj.

Në anën tjetër, sekretari amerikan i Shtetit John Kerry në cilësinë e udhëheqësit të koalicionit, ka bërë me dije se koalicioni i formuar për të luftuar militantët e Shtetit Islamik të cilët kanë marrë pjesë të mëdha të Sirisë dhe Irakut, është bashkuar për të ecur në të gjitha frontet dhe koalicioni sipas tij, “do të angazhohet në këtë fushatë për aq kohë sa është e mundur”.

“Shtetet e Bashkuara në vazhdimësi kanë kërkuar mënyrat për rritjen e efikasitetit të veprimeve tona dhe unë jam i bindur që secili prej anëtarëve të koalicionit, do ta bëjë të njëjtën gjë”, ka thënë Kerry.

Kerry ka shtuar se rritja e shpejtë e militantëve, po i bën ekstremistët edhe më tutje që të jenë të ekspozuar, ndonëse viktima nga ana e tyre sipas tij, ka nga dita në ditë.

XS
SM
MD
LG