Ndërlidhjet

Shqetësime për cenim të autonomisë së UP-së


Disa studentë të Universitetit të Prishtinës dhe aktivistë të shoqërisë civile, në një takim me media, kanë shprehur përkrahjen e tyre për rektorin e këtij universiteti, Ramadan Zejnullahu, si dhe kanë kundërshtuar cenimin e autonomisë së Universitetit të Prishtinës nga, siç kanë thënë ata, ministri në largim i Arsimit Ramë Buja.

Ky i fundit, pas protestave të veteranëve të luftës, me kërkesën për regjistrimin me automatizëm në Universitetin e Prishtinës të 1 mijë studentëve, pjesëtarë të familjeve të kategorive të dala nga lufta, ka theksuar senë takimin me rektorin dhe me Këshillin Drejtues, si dhe një pjesë të senatit, është arritur pajtimi nga ministria dhe shoqatat, që ta formohet një komision për ta zgjidhur problemin.

“Të gjithë, djem dhe vajza, të regjistrohen në UP dhe pastaj të gjitha problemet do të jenë të zgjidhshme”, pati theksuar ministri në largim i arsimit Ramë Buja.

Por, Krenare Logjaj, studente në Universitetin e Prishtinës, tha se shqetësimi i studentëve, që përfaqëson ajo, nuk ka të bëjë me protestën e pjesëtarëve të shoqatave të dala nga lufta, por me vendimin e publikuar nga ministri në largim, Buja, i cili, sipas saj, ka cenuar plotësisht autonominë akademike dhe strukturore të universitetit.

“Ne jemi të shqetësuar tej mase, jo me mënyrën e protestave, aq sa jemi të shqetësuar me vendimin e Ministrisë së Arsimit dhe vendimin e ministrit, për të dorëzuar një listë që kërkon pranimin me automatizëm të më shumë se 1 mijë personave në universitet”, tha Logjaj.

Roland Sylejmani, po ashtu student në Universitetin e Prishtinës, theksoi se Universiteti i Prishtinës, gjatë 15 vjetëve të fundit ka pasur mjaft parregullsi, të cilat e kanë sjellë atë në një gjendje të tmerrshme.

Ai ka kërkuar përkrahjen për rektorin Zejnullahu, i cili sipas tij, ka dhënë shenja se është i gatshëm ta përmirësoj gjendjen në universitet.

Gjithashtu, ka shprehur pakënaqësinë me vendimin e ministrit në largim Buja.

“Ministria e Arsimit, pas vendimeve të marra nga rektori, që ne i konsiderojmë tërësisht të drejta, ka bërë ndërhyrje flagrante në të, duke i shfrytëzuar kështu edhe mekanizmat e saj, organizatat e veteranëve të dala nga lufta, si dhe organizatat tjera studentore. Kësisoj, po krijohet presion ndaj rektoratit dhe po pamundësohet marrja e vendimeve të drejta, që ne i konsiderojmë, për Universitetin”, tha Sylejmani.

Besa Luzha, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës dhe po ashtu edhe pjesëtare e shoqërisë civile, ka theksuar se vendimi Rektorit të Universitetit të Prishtinës që të mos pranohen studentët që nuk kanë përmbushur kriteret universitare, duhet respektuar.

“Qëndrojmë prapa vendimeve që ka iniciuar rektori dhe prapa idesë që përfundimisht, pas shumë viteve, universiteti duhet të frymoj i pavarur nga ndikimet politike dhe nga ndikimet e tjera të grupeve të ndryshme të interesit”, u shpreh Luzha.

Mendim të ngjashëm ka shfaqur edhe Ruzhdi Sefa, po ashtu profesor në Universitetin e Prishtinës. Ai ka theksuar se nuk duhet heshtur para, siç ka vlerësuar ai, cenimit të Universitetit të Prishtinës.

“Unë, për vete dhe shumë prej nesh, kemi investuar shumë. Tash me ardhur koha kur ajo të cenohet, të rrezikohet ose me ardhur koha që ta presim degën në të cilën ne qëndrojmë? Unë nuk kam dashur të jem në mesin e atyre dhe për këtë arsye jam sot këtu”, theksoi Sefa.

Ndryshe, studentët e Universitetit të Prishtinës dhe shoqëria civile, nëtakimin me medie, kanë paralajmëruar se ditën e martë do të organizojnë një parakalim solidariteti me rektorin e Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu dhe për të kundërshtuar cenimin e autonomisë së këtij universiteti.

XS
SM
MD
LG