Ndërlidhjet

USAID, kontribuues i zhvillimit të bujqësisë në Kosovë


Programi “Mundësitë e Reja për Bujqësi”, i përkrahur nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim (USAID), për rreth katër vjetëve të fundit ka arritur që të kontribuojë në zhvillimin e sektorit të bujqësisë në Kosovë.

Përmes këtij programi janë përkrahë fermerët kosovarë në kultivimin e shumë kulturave bujqësore, kryesisht prodhime të reja në Kosovë, siç janë prodhimin e mjedrës, boronicat, asparagu, trangujt e vegjël, dredhëzat, bimë mjekësorë dhe prodhime të tjera.

Në konferencën përmbyllëse të këtij programi përfaqësuesit e USAID dhe Ambasadës Amerikane në Kosovë kanë treguar për sukseset që kanë pasur fermerët përfitues të këtij programi.

Gjatë kësaj kohë është theksuar se janë futur 149 teknologji dhe praktika të reja të menaxhimin ku më shumë se 3 mijë fermerë i kanë përvetësuar këto praktika. Po ashtu është mundësuar punësimi i më 6 mijë personave me orar të plotë pune.

Me përkrahjen që fermerët kanë marrë nga ky program është mundësuar po ashtu krijimi i lidhjeve tregtare në nivele lokale, rajonale dhe evropiane me eksporte të suksesshme të pemëve dhe perimeve të freskëta.

Përmes këtij programi fermerët të cilët kanë përfituar kanë rritur shitjet e prodhimeve bujqësore për 22. 3 milion dollarë si dhe kanë rritur shitjet vendore për 79.6 milion dollarë .

Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Jacobson ka treguar se projekti “Mundësitë e Reja për Bujqësi”, është fokusuar në agrikultura dhe ka përfshi të gjitha regjionet e Kosovës dhe po ashtu ka përkrahur gratë fermere.

“Duhet të them se ky është një nga projektet e USAID-it që e parapëlqej më së shumti. Por në vend se të përqendrohem në çështjet e dhimbshme, dua të përqendrohem në sukseset që ky projekt i ka sjellë Kosovës. Qindra miliona dollarë për rritjen e prodhimit të agrikulturës, 6 mijë vende të reja të punës në agrikulturë, prezantimi i 11 varieteteve të pemëve dhe perimeve të cilat ose nuk janë prodhuar kurrë më parë këtu, ose nuk kanë qenë kurrë të komercializuara”, ka shtuar Jacobson.

Në anën tjetër, drejtori i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim në Kosovë, Jim Hope ka theksuar se përkrahja që ky program iu ka dhënë fermerëve ka pasur ndikim mjaft të madh

“Ky projekt ka rritur shitjen në miliona dollarë, miliona të tjerë prodhim e eksport në rajon, dhe ndoshta më e rëndësishmja, krijimi i më shumë se 6 mijë vendeve të reja të punës me orar të plotë, që absolutisht ishte esenciale. Pra këto janë rezultate të rëndësishme”, ka thënë ai

Hope ka bërë të ditur se ky program do të fillojë më 2015 dhe do të vazhdohet me mbështetje të zhvillimit të sferës së agrikulturës në Kosovë, që siç thekson ai, është çelësi i ekonomisë së përgjithshme që kontribuon në bruto produktin vendor si dhe në punësim.

Ndërkohë, Sami Uka kultivues i ri i mjedrës në regjionin e Podujevës, përfitues i këtij programi ka treguar për të arriturat që i ka pasur biznesi i tij, pas mbështetjes që ka marrë nga USAID.

“Ne kishim konstatuar që në regjionin ku ne jetojmë ka kushte ideale për kultivimin e frutave të egra si mjedra, dredhëza, manaferra etj. Nga të gjitha këto kultura ne kemi vendosur për mjedrën pasi që është shumë profitabile dhe ka kushte ideale për kultivimin e saj në këtë drejtim kemi nxitur edhe fermerët tjerë që të merren më këtë punë dhe më përkrahjen që na ka ofruar USAID ne sot jemi një biznes i suksesshëm”, ka treguar Uka.

Agjencia e Shteteve të Bashkuar të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), që 15 vite vepron në Kosovë.

Për këto vite, kjo agjenci ka investuar rreth 800 milionë dollarë, duke përkrahur programe dhe projekte të ndryshme si ato për qeverisjen lokale, sektorin privat, bujqësinë, arsimin, sundimin e ligjit e të tjera.

USAID ofron ndihmë ekonomike dhe humanitare në mbarë botën për më shumë se 40 vjet.

XS
SM
MD
LG