Ndërlidhjet

Drejtori i CIA-s mbron agjencinë


John Brennan, foto nga arkivi
John Brennan, foto nga arkivi

Drejtori i Agjencisë Amerikane të Zbulimit, CIA, John Brennan, ka thënë se metoda të paautorizuara dhe në disa raste të neveritshme, janë përdorur kundër të dyshuarve terroristë.

Por, zoti Brennan ka vlerësuar se CIA “në mënyrë të drejtë i ka bërë shumë gjëra” në kohën kur “nuk pa pasur përgjigje të lehta”.

Këto komente ai i ka bërë në konferencën për gazetarë në selinë e CIA-s në Washington, të enjtën mbrëma, dy ditë pas publikimit të raportit të Senatit të Shteteve të Bashkuara.

Sipas raportit, CIA e ka keq-informuar Shtëpinë e Bardhë dhe opinionin, lidhur me torturën e të arrestuarve, pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, dhe ka vepruar në mënyrë më brutale se sa që e ka pranuar.

Ky raport ka shkaktuar reagime të fuqishme nërkombëtare dhe thirrje për ndjekje kriminale.

Raporti prej 6 mijë faqesh ishte përpiluar përgjatë pesë vite hetimesh nga Komiteti për Inteligjencë i Senatit të Shteteve të Bashkuara.

Por, është publikuar vetëm një version i edituar i raportit, me 525 faqe.

Në të detajizohen metodat e hetimeve të CIA-s për operativistët e dyshuar të al-Qaidas në lokacionet sekrete në Evropë dhe Azi, në vitet pas sulmeve terroriste më 11 shtator 2001, kundër Shteteve të Bashkuara.

Brennan ka pranuar se është e “panjohur” nëse hetimet e ashpra kanë sjellur inteligjencë madhore, e cila ka mund të sigurohet në çfarëdo mënyre tjetër.

Por, ai tha se nuk ka dyshim se të burgosurit, që ishin subjekt i trajtimit, kanë ofruar informata “të përdorshme dhe të vlefshme” më vonë.

“Rishikimet tona flasin se Programi i Burgosjes dhe i Pyetjeve ka prodhuar inteligjencë, që ka ndihmuar Shtetet e Bashkuara t’i parandalojnë planet për sulme, t’i zëjnë terroristët dhe të shpëtojnë jetë".

"Por, më lejoni të jem i qartë – ne nuk kemi konkluduar se përdorimi i teknikave të zgjeruara të marrjes në pyetje brenda këtij programi, na ka mundësuar të marrim informacione të dobishme nga të burgosurit që ishin subjekt i trajtimit. Shkaku dhe efekti në raport me marrëdhënien ndërmjet përdorimit të këtyre teknikave dhe informatave të dobishme pasuese nga të burgosurit është, në pikëpamjen time, i paqartë”, tha Brennan.

Në raport thuhet se asnjë nga “hetimet e zgjeruara” nuk kishin sjellë informacion madhor.

Drejtori i agjencisë CIA, John Brennan, ka refuzuar t’i definojë teknikat e hetimeve si torturë, siç kishte konkluduar presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama.

Kur u zgjodh president, zoti Obama e ndaloi torturën.

Drejtori Brennan theksoi se CIA ishte në “territor të panjohur” pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, ndërsa autorizimet e reja të gjëra nga presidenti, shkonin në parandalimin e sulmit të ardhshëm potencial nga al-Kaida.

“Në shumë aspekte programi ishte një territor i paqartë për CIA-n dhe ne nuk ishim të përgatitur. Ne kishim pak përvojë në vendosjen e të burgosurve dhe vetëm pak oficerë tanë ishin hetues të stërvitur. Por, presidenti i atëhershëm, George W. Bush, gjashtë ditë pas 11 shtatorit, i autorizoi përpjekjet dhe ishte detyrë jona që ato t’i kryejmë”, tha John Brennan, në konferencën për gazetarë në Washington.

Ai ka shfaqur shpresën e fuqishme se meqë këto teknika ishin braktisur para shtatë vitesh, debati aktual do të lihet anash për “të lëvizur përpara në çështjet që janë të rëndësishme për sfidat tona aktuale të sigurisë kombëtare”. (f.bujupi)

XS
SM
MD
LG