Ndërlidhjet

Krimet kibernetike në Kosovë, në rritje


Krimi kibernetik është një veprim kriminal që zhvillohet në rrjetin e komunikimit, duke keqpërdorur sistemin dhe të dhënat kompjuterike.

Kosova ka Ligj për Parandalimin dhe Luftimin e Krimit Kibernetik në Kosovë, nëpërmjet të të cilit sanksionon këtë formë të kësaj vepre kriminale.

Andi Batusha është student nga Gjakova, i cili thotë se të dhënat e tij në rrjetet sociale janë keqpërdorur.

“Kam pasur dy raste kur më është thyer passwordi i Facebook-ut ose edhe më është keqpërdorur profili në Facebook. Unë, si shumë të rinj të tjerë, në aspektin individual, kam mësuar për keqpërdorimet informative apo krimet kibernetike”, tha Batusha.

Policia e Kosovës gjatë këtij viti ka arritur që të arrestojë 7 persona, të cilët dyshohet se kanë keqpërdorur internetin duke kryer sulme të ndryshme kibernetike.

Shefi i sektorit për hetimin e krimeve kibernetike në Policinë e Kosovës, Fadil Avdyli, në një konferencë të mbajtur në Prishtinë për krimet kibernetike, tha se dukuria e krimeve kibernetike në Kosovë është rritje.

“Gjatë periudhës janar- nëntor, janë paraqitur 20 raste, çka do të thotë se ende nuk përfunduar viti dhe kjo tashmë është një indikator se kjo dukuri është në rritje. Tetë persona janë arrestuar në vitin 2012, njëmbëdhjetë në vitin 2013 dhe shtatë në vitin 2014. Në bazë të këtyre statistikave duhet të përgatitemi mirë sepse trendi i këtij llojit të krimeve është në rritje”, tha Avdyli.

Ai tha se sipas informatave dhe dëshmive që ka Policia e Kosovës, rrjetet sociale në Kosovë janë duke u keqpërdorur në masë të madhe.

“Në rastet që raportohen në stacionet policore dominojnë keqpërdorimet e identitetit ose hapja e profileve të rrejshme me përmbajtje të papërshtatshme. Pastaj ka raste të shantazheve. ngacmimeve, publikimeve të paautorizuara dhe të tjera. Në këto raste më së shumti janë të përfshirë persona të moshës se re, por edhe të mitur”,tha Avdyli.

Ndryshe, Qendra për Trajnime dhe Studime Gjinore, ka bërë publikimin e një hulumtimi për kërcënimet dhe ngacmimet përmes rrjeteve sociale.

Dardan Qadraku nga kjo Qendër tha se të rinjtë sot nuk i kushtojnë rendësi të dhënave të tyre personale dhe si pasojë mund të ketë edhe sulme e ngacmime të ndryshme.

“Njerëzit, por të rinjtë kryesisht, nuk i kushtojnë shumë rëndësi të dhënave të tyre personale. Nuk janë të informuar mirë më rrezikun, i cili mund t’ju kanoset atyre në rast të keqpërdorimit të të dhënave të tyre, kështu që shkalla e rrezikut është e lartë, por nuk vlerësohet si e tillë nga të rinjtë”, tha Qadraku

Në debatin të cilin e ka organizuar kjo organizatë joqeveritare, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga Agjencia e Shoqërisë se Informacionit, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike në qeverinë e Kosovës.

Selim Lulaj nga kjo agjenci tha se Kosova në rajon është e para sa i takon përdorimit të interneti dhe bazuar në ketë fakt, mundësia sipas tij, e sulmeve kibernetike është e madhe.

“Rreziku për krime dhe ngacmime të ndryshme shihet se ka trend për t’u rritur, prandaj një strategji e cila do të segmentonte fushë veprimtarinë në parandalimin këtyre gjërave do të ishte një argument mjaft i nevojshëm dhe i dobishëm për vendin, e sidomos për të rinjtë”, tha Lulaj.

Ndryshe mbrojtja e të dhënave personale në Kosovë është e garantuar me Kushtetutën e Republikës.

Neni 36 mbron privatësinë dhe garanton mbrojtjen e të dhënave personale, ndërsa neni 3 përcakton në mënyrë eksplicite se fshehtësia e korrespondencës, telefonisë dhe mjeteve e tjera të komunikimit janë të drejta të pacenueshme.

XS
SM
MD
LG