Ndërlidhjet

Jahjaga: Institucionet të rikthejnë besimin e humbur të qytetarëve


Presidentja Jahjaga gjatë intervistës...
Presidentja Jahjaga gjatë intervistës...

"Dua të besoj se institucionet e përgjegjshme të Kosovës, do të ndryshojnë për të mirë jetën e qytetarëve të vendit, fëmijët e të cilëve nuk do të bëhen pre e qenve endacakë dhe nuk do të kërkojnë copat e bukës nëpër kontejnerë", ka thënë presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.

Radio Evropa e Lirë: Zonja presidente, keni thënë se gjashtë muajt e krizës politike në Kosovë kanë vënë në rrezik funksionimin e shtetit. Sa është dëmtuar shteti realisht?

Atifete Jahjaga: E kam paralajmëruar me kohë gjithë spektrin politik në vend se me zgjatjen e mospajtimeve ndërmjet vete, po e fusim vendin në krizën më të madhe edhe politike edhe financiare. Periudha prej gjashtë muajsh ka thelluar krizën e besimit të qytetarëve në institucionet e shtetit të tyre dhe ka rënduar jetën e tyre.

Ne kemi rrezikuar rënien e thellë ekonomike për shkak të mosfunksionimit të plotë të institucioneve të vendit dhe mbi të gjitha kemi ndaluar investimet aq të rëndësishme për vendin. Ne po hynim në krizën financiare dhe buxhetore, që do të lënte pasoja të thella për shoqërinë. Periudha e mosmarrëveshjeve ndërmjet forcave politike në vend ka rrezikuar sundimin e ligjit dhe të rendit por ajo që është më e dhimbshmja e kemi vënë qytetarin përpara një dileme të madhe nëse mund ta bënim shtetin e Kosovës.

Në një kohë kur kemi pasur nevojën e konsolidimit ndëkrombëtar të vendit, ne e kemi vënë në pikëpyetje edhe përpjekjen ndërkombëtare për ta mbështetur rrugën tonë të integrimeve. Pra një numër ndikimesh me një sjellje, mbase edhe të papërgjegjshme, ndaj një situate shumë serioze për vendin.

Radio Evropa e Lirë: Sa besoni në elanin e ri politik dhe praktik, për të cilin keni bërë thirrje, për sanimin e këtyre dëmeve?

Atifete Jahjaga: Nuk është çështje vetëm e besimit tim, sa është më shumë çështje e përcaktimit të dinamikës së punës nga institucionet e reja, që duhet të kompensojnë gjithë kohën e humbur dhe të provojnë të rikthejnë besimin tek qytetarët. Dua të besoj se institucionet e Kosovës do të punojnë më shumë në fushat që do të sigurojnë mirëqenien e qytetarëve, duke parandaluar skenat e ikjes ilegale të qytetarëve, në kërkim të një të ardhmeje ndryshe.

Dua të besoj se institucionet e përgjegjshme të Kosovës, do të ndryshojnë për të mirë jetën e qytetarëve të vendit, fëmijët e të cilëve nuk do të bëhen pre e qenve endacakë dhe nuk do të kërkojnë copat e bukës nëpër kontejnerë.

Pra dua të besoj në zhvillimin ekonomik, që siguron edhe hapjen e vendeve të reja të punës, që garanton hapjen e perspektivës për secilin të ri, në cilëndo pjesë të Kosovës. Dua të besoj në garantimin e sundimit të ligjit dhe të rendit, kudo në vend. Pra dua të besoj se ka ardhur koha që të punojmë për të ardhmen e secilit njeri të Kosovës duke i mundësuar atij që ta dojë dhe respektojë vendin e tij, për të cilin shumë njerëz kanë sakrifikuar.

Radio Evropa e Lirë: Për rolin tuaj në zgjidhjen e krizës politike, jeni fajësuar nga partitë politike në opozitë për një-anshmëri. Si do t’u përgjigjeshit këtyre akuzave?

Atifete Jahjaga: Kam luajtur rolin tim kushtetues të faktorit të unitetit të popullit. Dhe kam garantuar stabilitet edhe politik edhe në aspektin e sigurisë në vend, në kohën kur liderët politikë kanë treguar pak gatishmëri për të gjetur rrugën e ndërtimit të institucioneve.

Kam ruajtur pa-anësinë në raport me secilën forcë politike, duke e garantuar zbatimin e Kushtetutës dhe duke siguruar se vendi nuk po rrëshqet drejt një krize të re, që do të rriste pakënaqësinë e qytetarëve.Parimet që u janë prezantuar, në secilin takim, liderëve të partive politike, janë parime kushtetuese, ligjore dhe shoqërore të Kosovës, por edhe obligime ndërkombëtare, dhe nuk ju janë imponuar askujt, sepse për to kanë qenë të vetëdijshëm që të gjithë aktorët kryesorë.

Roli im është rol kushtetues dhe ligjor, që kërkon paanësi në raport me forcat politike dhe marrëveshjet ndërmjet tyre, por që garanton funksionimin e shtetit dhe raportet e tij ndërkombëtare.

Radio Evropa e Lirë: “Rruga drejt integrimeve evropiane”, është një tog-fjalësh shumë i shfrytëzuar në fjalorin politik të Kosovës. Nisur nga të dhënat zyrtare mbi papunësinë, korrupsionin dhe e përmendët edhe vetë migrimin e paligjshëm, sa larg është Kosova nga kjo rrugë?

Atifete Jahjaga: Keni përmendur një varg sfidash të shtetit e të shoqërisë së Kosovës në rrugën drejt integrimeve evropiane. Është fakt se ne sot perceptohemi si një shoqëri e korruptuar,që ka nivelin më të lartë të papunësisë në Evropë dhe me një shkallë të ulët të zhvillimit ekonomik.

Është fakt se ne kemi mbetur i vetmi vend në rajon që nuk ka siguruar liberalizimin e vizave për qytetarët e vet. Pra një numër çështjesh që e vështirësojnë processin e integrimeve për Kosovën. Ne jemi larg nga integrimet për aq sa nuk i kemi kryer të gjitha obligimet dhe detyrat tona.

Unë kam kërkuar që rruga jonë të mos shkurtohet, sepse ne kemi nevojë që të fillojmë, thellojmë e përfundojmë reformat tona të brendshme, jo për hir të integrimit në BE, por për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Jemi larg për aq sa nuk i kemi përfunduar 52 rekomandimet e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave.

Jemi larg për aq sa nuk e kemi vendosur ende sundimin e ligjit, që nënkupton luftën e plotë dhe me rezultate konkrete ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, Pra thjeshtë rruga drejt BE-së është në duart tona dhe duhet të dëshojmë se sa jemi të aftë e të gatshëm qoftë ta afrojmë ose largojmë atë.

Radio Evropa e Lirë: Zonja presidente, një prej sfidave më serioze përballë institucioneve vendëse është ajo e themelimit të Gjykatës së Posaçme të Kosovës. Si e shini këtë proces, sa e vështirë mendoni se do të jetë përballja me këtë sfidë?

Atifete Jahjaga: Do të jetë sfida më e madhe për shoqërinë e Kosovës që ndërlidhet me të kaluarën e dhimbshme, por ne duhet të dëshmojmë se jemi shtet i ndërtuar mbi parimin e drejtësisë për të gjithë. Krijimi i Gjykatës Speciale reflekton përcaktimin tonë për një proces të pavarur dhe të paanshëm që me kredibilitet i shqyrton këto akuza një herë e përgjithmonë.

Kjo gjykatë do të merret me raste individuale dhe assesi nuk do të jetë një denoncim i betejës tonë të përbashkët dhe të shenjtë për liri dhe pavarësi.

Radio Evropa e Lirë: Kosova këtë vit është përballur edhe me shqetësimet për radikalizmin fetar. Pozita gjeografike që Kosova ka e ka ngritur shqetësimin e shndërrimit të saj në një “korridor” qarkullimi për ekstremistët. Sa po arrini ta luftoni një dukuri të këtillë?

Atifete Jahjaga: Jo! Kosova nuk mund dhe as që do të bëhet korridor dhe as vatër e asnjë veprimi qoftë ekstremist apo edhe terrorist. Edhe në periudhën e mosmarrëveshjeve politike, institucionet e sigurisë kanë treguar gatishmërinë për të mos lejuar veprime që destabilizojnë jo vetëm vendin, por gjithë rajonin e më gjërë.

Kjo përpjekje jona, e bashkërenduar edhe në nivelin ndërkombëtar, synon që të parandalojë cdo përfshirje të qytetarëve tanë në kauzat që janë të huaja për ta, dhe besoj se Kuvendi i Kosovës do ta miratojë së shpejti ligjn që do ta pengojë këtë veprimtari.

Por megjithëkëtë, të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit duhet të kenë një bashkëpunim në fushën e parandalimit të veprimeve ekstremiste dhe Kosova duhet të jetë e përfshrië në secilin mekanizëm të sigurisë, qoftë rajonal por edhe ndërkombëtar.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Presidente, janari pritet të shënojë një fazë të re të dialogut Kosovë – Serbi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Kritikët e dialogut thonë se moszbatimi i marrëveshjeve të deritashme e dëmton kuptimin e bisedimeve. Çfarë mund të bëjë Prishtinë për të ndryshuar ritmin e zbatimit të rezultateve të tij?

Atifete Jahjaga: Është shumë e drejtë që të kërkohet zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura në dialogun e udhëhequr në Bruksel. E drejtë, sepse vetëm kështu kanë kuptim marrëveshjet dhe sepse vetëm kështu i hapet rruga e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona dhe rrjedhimisht hapet edhe perspektiva evropiane për të dyja vendet.

Ne duam një dialog cilësor me Republikën e Serbisë, një dialog që nuk shkon në pafundësi, por që sjell marrëveshje konkrete dhe të zbatueshme sepse kështu e lehtësojmë jetën e qytetarëve të të dyja vendeve dhe e ndryshojmë këtë shkallë të mosdurimit. Shtetësia e Kosovës ëhstë e qëndrueshme dhe e pakthyeshme dhe ne po provojmë që përmes dialogut të përfundojmë periudhat e mosbesimit dhe të kaluarës së rëndë, për të hapur një kapitull të ri, që na çon të dyja shtetet në rrugën e pakthyeshme të integrimeve në BE.

XS
SM
MD
LG