Ndërlidhjet

Tetëdhjetë për qind e dozave të gjakut për pacientë, nga vullnetarët


Me shumë doza që kërkohen gjatë ditës, gjaku është bërë një nga nevojat kryesore të pacientëve kosovarë.

Por, Hysen Sadriu, drejtor i Qendrës së Kosovës për Transfuzionin e Gjakut, në Prishtinë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se çdo vit shënohet rritje e dhuruesve të gjakut .

Vullnetarët e gjakut flasin vetë për rëndësinë e asaj se çka do të thotë të jesh dhurues vullnetarë. Mentor Bekteshi flet për këtë çështje.

"Çdo pikë gjaku shpëton jetën. Ndoshta unë mund të jem njëri nga pacientët potencial për të marrë gjak nesër, andaj i kisha ftuar gjithë qytetarët që kanë mundësi të dhurojnë gjak, të mos hezitojnë, në mënyrë që qendra e transfuzionit të mos ketë mungesë të gjakut".

E drejtori i transfuzionit të gjakut, Hysen Sadriu, ka bërë të ditur se synimi i tyre është që përmes gjakut të siguruar nga vullnetarët, asnjë familjar të mos ketë nevojë të dhurojë gjak, në rast nevoje.

"Ne bashkëpunojmë me gjitha organizatat qeveritare dhe joqeveritare. Kemi organizata qe vët ofrojnë ndihmë.. Ne i plotësojmë të gjitha kushtet. Asnjë pacient nuk ka mbetur pa e marrë gjakun që është kërkuar".

"Këtë vit rreth 5 për qind është rritur numri i vullnetarëve të gjakut. Në përgjithësi numri i dhuruesve ka arritur 80 për qind, që i bjen se 80 për qind e dozave të gjakut për pacientët jepen, derisa 20 për qind dhurohet nga familjarët."

Sipas zotit Sadriu tash dhuruesit e gjakut janë të moshave të ndryshme, dhe grupeve të ndryshme të gjakut.

Ai shton se në vitin 2015 target grupi i dhuruesve vullnetarë do të jenë studentët.

Ndërkaq, zëdhënësi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Shpend Fazliu, thotë se kanë raporte korrekte ne qendrën e transfuzionit të gjakut, duke shtuar se çdo herë janë përmbushur kërkesat e pacientëve emergjentë.

"Qendra Klinika Universitare e Kosovës kanë bashkëpunim të mirë me transfuzionin e gjakut. Çdo herë kur është kërkuar nga klinika që të reagojë që ti del në ndihmë pacientëve, kanë reaguar pozitivisht, duke iu ndihmuar pacientëve. Bëhet fjalë për rastet emergjente, derisa për rastet selektive, duhet që familjarët të japin gjak për pacientët e afërm të tyre".

"Nevojat janë shumë të mëdha, pasi që vetëm në qendrën e emergjente më shumë se 100 pacientë kërkojnë ndihmë emergjente, por kjo nuk do të thotë se secili ka nevojë për gjak. Pastaj klinika gjinekologjike është klinika tjetër që prin për kërkesa të gjakut, pasi që aty kryhen operacione të ndërlikuara."

Sidoqoftë Mazllum Belegu, ka qenë për 28 vjet drejtor i Qendrës së Kosovës për Transfuzionin e Gjakut, në Prishtinë, derisa ka thënë se popullata është vetëdijësuar shumë për dhurimin vullnetar tash, krahasuar me vitet paraprake.

Ai ka shtuar se do të ishte sukses i madh,atëherë kur në Kosovë pacientët nuk do t'i ftojnë familjarët të dhurojnë gjak kur dikush ka nevojë, por do ta sigurojnë atë përmes vullnetarëve.

XS
SM
MD
LG