Ndërlidhjet

Rama: Shqiptarët të mos e humbasin momentin


Edi Rama
Edi Rama

Shqipëria dhe Kosova kanë një potencial të jashtëzakonshëm që duhet ta shfrytëzojnë për zhvillimin e gjithëmbarshëm të të dy shteteve, ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Ai ka shtuar se shqiptarët asnjëherë në historinë e tyre nuk kanë qenë ndërkombëtarisht më të respektuar sesa tani.

Sipas tij, është momenti për ta ndërruar çdo nivel politik apo shoqëror dhe për të ngritur në një shkallë të re përgjegjësinë drejt ardhmërisë.

Këto komente, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i ka bërë në debatin e organizuar nga Lëvizja FOL, ku u diskutua për partneritetin Kosovë Shqipëri.

“Te ky momentum shqiptarë në Ballkon perceptojë një potencial të panjohur më parë, zhvillimi demokratik politik dhe ekonomik, po aq edhe një rrezik shumë të madh humbjeje të këtij momentumi pa arritur të shfrytëzojmë këtë potencial që e kemi në dorë, por jo përgjithmonë dhe jo domosdoshmërish të përsëritshëm të paktën ne 50 vitet e ardhshme”, ka theksuar kryeministri Rama.

I pyetur për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, Rama ka theksuar se natyra e marrëdhënieve mes këtyre dy shteteve apo mes shqiptarëve dhe serbeve, do të përcaktojë në një masë të konsiderueshme natyrën e marrëdhënieve mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit.

Derisa, duke folur për raportet Kosovë-Serbi, ai tha se nuk ka serb që realisht e mendon atë kur thonë se e duan Kosovën t’iu kthehet. Sipas tij, këtë e thonë se duan të marrin vota, por se nuk e kanë seriozisht.

“Kosova sot jo vetëm që nuk është e kushtëzuar nga Serbia, jo vetëm që është e pavarur, por është në mjedisin e nevojshëm për t'u zhvilluar dhe se sa shkon përpara Kosova, nuk e ka më në dorë Beogradi, por e ka lidershipi dhe klasa politike në Kosovë”, theksoi Rama.

Shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, ka shtuar Rama i takon që të sfidojnë veten dhe të shkojnë më tutje. Sfidë, sipas kryeministrit, është ndërtimi i një shteti modern.

“Ne duhet të kuptojmë se Serbia ka një potencial të jashtëzakonshëm strategjik për zhvillimin e këtij rajoni dhe për zhvillimin tonë në rast se ne do të dimë ta vëmë në shfrytëzim atë potencial strategjik”, ka shtuar Rama.

Ai, duke u ndalur te proceset integruese në mekanizmat evropiane, ka thënë se shqiptarët në Ballkan kërcënohen nga lodhja dhe durimi.

Sipas tij, për Shqipërinë dhe shqiptarët, më shumë se sa anëtarësimi, ka rëndësi themelore procesi i integrimit, pasi që siç theksoi ai, është një instrument që imponon modernizim të sistemit dhe shtetit.

Ai e ka quajtur paradoksale faktin që qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian

“Kjo është një çudi e madhe evropiane, që është një nga shprehjet më kuptimplota të degradimit të Bashkimit Evropian nga një projekt i madh i shpresës në një strukturë gjigante të frikës. Frikës nga vetvetja e cila reflektohet pastaj edhe si frikë nga një grusht njerëzish, një grusht njerëzish janë shqiptarët e Kosovës në gjithë hartën e Evropës, dhe që ndalohen të lëvizin të lirë”, ka theksuar Rama.

Kryeministri Rama ka folur për një thellim të bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Shqipërisë në të gjitha fushat, me theks të veçantë në arsim, ekonomi dhe energjetikë.

XS
SM
MD
LG