Ndërlidhjet

Franca në gatishmëri të lartë të sigurisë


Ministri i Brendshëm i Francës ka thënë se janë ndërmarrë të gjitha masat për demonstratën e së dielës, e cila ka për qëllim të tregojë unitetin kundër ekstremistëve.

Bernard Cazeneuve, ka thënë se qeveria ka dislokuar qindra trupa shtesë, përkrah mijëra policëve dhe forcave të tjera të sigurisë në dhe përreth Parisit. E gjithë kjo vjen pas sulmit në revistën satirike “Charles Hebdo”, në të cilin janë vrarë 12 persona.

“Mund të them se kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e tubimit, në mënyrë që ata që duan të shkojnë atje, të ndjehen të sigurt”, ka thënë Cazeneuve.

Udhëheqës botërorë, përfshirë presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe ministrin e Jashtëm, Hashim Thaçi, pritet të marrin pjesë në tubim.

Cazeneuve ka bërë thirrje për “vigjilencë të jashtëzakonshme” duke thënë se Franca është e ekspozuar ndaj rreziqeve.

“Në mjedisin e tanishëm, ne po përballemi me rreziqe. Andaj, është e rëndësishme që plani i sigurisë, i cili është zgjeruar në rajonin e Parisit e po ashtu edhe në pjesën tjetër të vendit, duhet të forcohet në javët e ardhshme”, ka thënë Cazeneuve.

Ai i ka bërë këto komente pas një takimi urgjent me presidentin e Francës, Francois Hollande.

Dy të dyshuarit kryesorë të sulmit në “Charles Hebdo”, vëllezërit Cherif dhe Said Kouachi, janë vrarë nga forcat e sigurisë më 9 janar.

Të premten, policia franceze ka sulmuar dy lokacione të pengjeve, në dhe përreth Parisit, duke vrarë tre pengmarrës, përfshirë dy vëllezërit.

Pengu i mbajtur nga vëllezërit Kouachi është liruar, por katër të tjerë të mbajtur nga një person i armatosur, i identifikuar si Amedy Coulibaly, janë vrarë në një treg të hebrenjve në lindje të Parisit.

Policia franceze ka thënë se Coulibaly mendohet të jetë personi i njëjtë që ka vrarë një police franceze në jug të Paristit më 8 janar.

Mediat franceze raportojnë se bashkëpunëtorja e dyshuar e Coulibalyt, Hayat Boumeddiene, 26 vjeçe, është ende në arrati dhe se policia është vënë në kërkim të saj.

Nuk është e qartë nëse Boumeddiene, e cila raportohet të ketë qenë e dashura e Coulibalyt, ka qenë në treg me të. Boumeddiene dyshohet se është e armatosur rëndë.

Para se të qëllohej për vdekje nga policia, Coulibaly i ka thënë televizionit francez BFMTV përmes telefonit, se ai ka marrë udhëzime nga grupi i Shtetit Islamik.

Ai ka thënë se do të mbrojë palestinezët dhe do të sulmojë hebrenjtë.

Militantët e Shtetit Islamik kanë përgëzuar masakrën në Charlie Hebdo, duke i cilësuar personat e armatosur si “xhihadistë heroikë”.

Kryeministri i Francës, Manuel Valls, ka deklaruar se vendi i tij është në “luftë” me terrorizmin, por jo me fenë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka shprehur mbështetje për Francën, duke thënë se “SHBA-ja qëndron me ju sot, qëndron me ju nesër”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG