Ndërlidhjet

BE dhe SHBA dënojnë rritjen e dhunës në Ukrainë


Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë dënuar rritjen e dhunës në lindje të Ukrainës.

Në incidentin më vdekjeprurës në disa muaj, së paku 11 njerëz janë vrarë kur autobusi i tyre, që udhëtonte nga Donjecku, është goditur të martën nga raketat.

Kievi ka thënë se raketat janë hedhur nga një territor që kontrollohet nga rebelët, por këta të fundit kanë hedhur poshtë përgjegjësinë për sulmin.

Në Uashington, zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Marie Harf, ka thënë se bombardimi i autobusit, si dhe intensifikimi i luftimeve përreth aeroportit ndërkombëtar të Donjeckut, janë vetëm shkeljet e fundit të zotimeve që kanë bërë separatistët pro-rusë.

“Ne dënojmë sulmet e vazhdueshme nga separatistët, të cilët bëjnë përpjekje të kontrollojnë më shumë territore, duke shkelur marrëveshjet e Minskut. Sulmet e egra dhe të përsëritura në aeroportin e Donjeckut dhe bombardimi i autobusit, që ka vrarë 10 persona dhe ka plagosur 13, janë vetëm shkeljet e fundit skandaloze të zotimeve që kanë bërë separatistët e mbështetur nga Rusia”, ka thënë Harf.

Në Bruksel, një zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka thënë se rritja e dhunës në lindje të Ukrainës nënvizon nevojën për t’iu përmbajtur marrëveshjes për armëpushim, të arritur në Minsk, shtatorin e kaluar.

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka dënuar sulmin ndaj autobusit, duke thënë se është një akt që “të ftohë zemrën”. Ai ka thënë se rebelët “do të duhet të japin përgjigje për këto vdekje”.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka dënuar po ashtu sulmin në autobus dhe ka bërë thirrje për hetime, që do të sillnin përgjegjësit para drejtësisë.

Një zyrtar i lartë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka bërë thirrje për përmbajtje maksimale nga të gjitha palët e përfshira në konfliktin në lindje të Ukrainës.

Ertugrul Apakan, kreu i misionit monitorues të OSBE-së, ka thënë se situata është përkeqësuar në mënyrë të konsiderueshme, sidomos pranë aeropotit të Donjeckut.

Komentet e tij janë bërë pasi kulla e kontrollit e aeroportit, e dëmtuar prej muajsh nga bombardimet, është shembur.

Edhe pse rebelët kontrollojnë qytetin e Donjeckut, forcat e Ukrainës kanë arritur të ruajnë kontrollin mbi aeroportin e qytetit, i cili tashmë është pothuajse krejtësisht i shkatërruar nga luftimet.

Autoritetet rajonale, që mbështesin Qeverinë në Kiev, kanë thënë se autobusi është sulmuar nga raketat Grad në një postbllok të qeverisë pranë qytetit Volnovakha.

Volnovakha shtrihet në mes të Donjeckut, që kontrollohet nga rebelët, dhe Mariupolit, që kontrollohet nga qeveria, në bregdetin e Detit Azov.

Udhëheqësi rebel, Denis Pushilin, ka thënë se Kievi mund të ketë orkestruar sulmin si “provokim” për të fajësuar separatistët pro-rusë.

Më shumë se 4,700 njerëz janë vrarë në lindje të Ukrainës qysh në muajin prill.

Armiqësitë kanë shpërthyer shpejtë pasi Rusia ka aneksuar ilegalisht rajonin ukrainas të Krimesë, në muajin mars të vitit 2014.

Kievi dhe Perëndimi akuzojnë Moskën për nxitje të trazirave në lindje të Ukrainës, duke furnizuar rebelët pro-rusë me armë dhe ushtarë.

Moska e mohon këtë, edhe pse kryengritësit janë aq mirë të pajisur me armatim të sofistikuar, saqë mohimet e tilla janë gjithnjë e më pak të besueshme.

Përgatiti:Valona Tela
XS
SM
MD
LG