Ndërlidhjet

Obama, Cameron: Front i përbashkët kundër ekstremistëve islamistë


Barack Obama dhe David Cameron.
Barack Obama dhe David Cameron.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania premtojnë mbajtjen e frontit të përbashkët kundër ekstremistëve islamistë, pasi militantët i vranë 17 vetë gjatë tri ditëve të sulmeve në Paris.

Presidenti amerikan, Barack Obama, dhe kryeministri britanik, David Cameron, këtë përkushtim e kanë bërë derisa presidenti francez, Francois Hollande, tha se myslimanët janë “viktimat kryesore të fanatizmit, fundamentalizmit dhe jotolerancës”.

Në një artikull të përbashkët në gazetën londineze, Times, para takimit dyditësh në Uashington, Obama dhe Cameron thanë se bota është përgjigjur me “një zë”, ndaj sulmeve në Paris dhe se ata nuk do ta lejojnë askend që “ta pengoj shprehjen e lirë”.

“Pavarësisht se a ballafaqohemi me fanatikë të vetmuar ose organizata terroriste, ne nuk do të frikësohemi nga ekstremistët”, kanë shkruar të dy liderët e lartë, duke theksuar se “ne do t'u shkaktojmë disfatë këtyre vrasësve barbarë dhe ideologjisë së tyre të falsifikuar”.

Njëherësh, në Berlin, kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka shprehur përkushtim për shtimin e masave të sigurisë kundër ekstremistëve islamikë.

Duke folur në Parlamentin e Gjermanisë, pasi u mbajt një minutë heshtje për viktimat e sulmeve në Paris, zonja Merkel tha se “predikuesit e urrejtjes, kriminelët e dhunshëm që veprojnë në emër të Islamit, ata që i mbështesin këta militantë, dhe nxitësit intelektualë të terrorizmit ndërkombëtar, do të luftohen në mënyrë rigoroze, me të gjitha mjetet juridike në dispozicion të shtetit”.

Më 7 janar në selinë e revistës satirike franceze, Charlie Hebdo, dy persona të armatosur duke brohoritur slogane islamike, i kanë vrarë 12 vetë, përfshirë kryeredaktorë dhe karikaturistë.

Rrjeti al-Kaida në Gadishullin Arab, me seli në Jemen, e ka marrë përgjegjësinë për sulm, duke thënë se sulmuesit, vëllezërit Said dhe Cherif Kouachi, ishin caktuar për ta sulmuar revistën në shenjë të “hakmarrjes” për Profetin Muhamed.

Revista shumë herë është kërcënuar për publikimin e karikaturave të Profetit Muhamed.

Pas dy ditësh, më 9 janar, katër hebrenjë janë vrarë nga personi i tretë i armatosur, Amedy Coulibaly, i cili i kishte zënë peng disa vetë në një shitore në Paris.

Vëllezërit Kouachi dhe Coulibaly janë vrarë nga forcat e sigurisë në operacionet pothuajse simultane po më 9 janar.

Gjatë një fjalimi në Institutin Botëror Arab në Paris, presidenti francez, Francois Hollande, tha se islami radikal ka nxitur kundërthënie, varfëri, pabarazi dhe konflikt, por ka shtuar se feja islami është në harmoni me demokracinë.

Zoti Hollande ka theksuar se aktet anti-myslimane ose anti-semitike duhet të “ndëshkohen në mënyrë të ashpër”, që ishte një referencë e qartë në përpjekje për qetësimin e situatës në periudhën e rritjes së tensioneve fetare.

“Myslimanët francezë i kanë të drejtat e njejta si të gjithë francezët e tjerë”, tha Hollande, dhe ka shtuar se “ne kemi obligim t’i mbrojmë ata”.

Ai, po ashtu, i ka falënderuar arabët në Francë për solidaritetin e treguar lidhur me sulmet.

Miliona njerëz kanë marshuar më 11 janar në Paris, në nderim të viktimave. Anëtarët e mbetur të redaksisë së revistës, Charlie Hebdo, menjëherë iu përveshën punës për botimin e numrit të ri të revistës, i cili u paraqit për shitje më 14 janar, në gjithë Francën.

Pasi nurmi i ri i revistës është shitur brenda disa orësh, presidenti Hollande, theksoi se “ju mund t’i vrani meshkujt dhe femrat por ju kurrë nuk mund t’i vrani idetë e tyre”.

“Charlie Hebdo është gjallë dhe do të vazhdoj të jetojë”, tha Francois Hollande.

Botimi special është shtypur në 5 milionë kopje, derisa normalisht janë shitur deri në 60 mijë kopje.

Revista mund të lexohet në gjashtë gjuhë, përfshirë atë angleze, arabe dhe turke.

Të ardhurat u janë dedikuar familjeve të viktimave.

Por, botimi i ri i revistës satirike, Charlie Hebdo, ka shkaktuar reagime të ashpra në botën myslimane, për shkak se si është portretizuar Profeti Muhamed.

Në faqen e parë të revistës është karikatura e tij duke derdhur lot dhe duke e mbajtur mbishkrimin “I am Charlie” (Unë Jam Charlie), fjalët që janë përdorë nga mediat dhe miliona njerëz në gjithë botën, për të treguar solidaritet me viktimat dhe për ta shprehur mbështetjen e tyre për lirinë e shprehjes.

Parlamenti i Pakistanit e ka miratuar një rezolut në të cilën unanimisht dënohet karikatura dhe kërkohet nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Bashkimin Evropian, “që këto gjëra të mos përsëriten”.

Në Ankara, kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, vlerësoi se karikatura ishte “provokim i rëndë” dhe theksoi se “liria e shtypit nuk do të thotë liri e ofendimit” për Profetin Muhamed.

“Ne jemi të përkushtuar ta mbrojmë nderin e Profetit në të njejtën mënyrë se si ne jemi të përkushtuar në qëndrimin tonë kundër terrorizmit në Paris", u tha gazetarëve zoti Davutoglu.

Gazeta Cumhuriyet, e përditshme opozitare në këtë vend me popullatë shumicë myslimane, raportohet se e ka ribotuar numrin e fundit të revistës Charlie Hebdo, por nuk e ka botuar faqen e parë, ku shihet karikatura me fotografinë e Profetit Muhamed.

Një gjykatë turke e ka ndaluar qasjen në faqet në Internet ku ndodhet ballina e revistës, Charlie Hebdo.

Irani tha se publikimi i karikaturës së re të Muhamedit ishte “ofendues” dhe “provokues”.

Grupi militant palestinez, Hamas, po ashtu, e ka dënuar karikaturën duke e cilësuar si “hedhje të benzinës në zjarr”.

Talibanët afganë e kanë mbështetur sulmin kundër revistës, Charlie Hebdo, ndërsa militantët e Shtetit Islamik kanë vlerësuar se karikatura e Profetit Muhamed, ishte “një akt ekstremisht i krisur”.

Prokurorët francezë i kanë hapur më se 50 raste kundër njerëzve, që janë akuzuar për mbështetje të terrorizmit ose për kërcënime për të kryer akte terroriste.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG