Ndërlidhjet

Luftimet vazhdojnë, Moska kritikon Kievin dhe Perëndimin


Ukrainë...
Ukrainë...

Rusia, edhe të martën, ka hedhur poshtë akuzat e Kievit, se Moska dërgon trupa në lindje të Ukrainës.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes në Rusi, Igor Konashenkov, ka thënë se pretendimet e Kievit janë “absolutisht të pakuptimta”.

“Deklarata e djeshme nga Kievi për transferimin e njësiteve të Forcave të Armatosura Ruse përtej kufirit Rusi-Ukrainë nuk qëndron”, ka thënë Konashenkov.

Ushtria e Ukrainës ka thënë se rreth 700 trupa ruse kanë hyrë në territorin e saj mëngjesin e 19 janarit, për të mbështetur separatistët pro-rusë.

Në ditët e fundit, luftimet midis forcave qeveritare dhe rebelëve pro-rusë janë intensifikuar, sidomos përreth aeroportit të Donjeckut në lindje.

Po ashtu në qytetin lindor të Karkivit ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm, pranë një gjykate, duke plagosur 14 persona.

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka përsëritur se është i gatshëm për bisedime të reja për paqe, me kusht që Rusia, fillimisht, t’iu përmbahet marrëveshkeve për të përfunduar konfliktin e separatistëve, të cilat janë arritur në Minsk, shtatorin e kaluar.

Në Bruksel, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë hedhur poshtë lehtësimin e sanksioneve kundër Rusisë, të cilat janë vendosur për shkak të aksioneve të saj në Ukrainë.

Ministri i Jashtëm i Holandës, Bert Koenders, ka thënë se luftimet përreth aeroportit të Donjeckut tregojnë se “nuk është koha që të bisedohet për lehtësimin e sanksioneve”.

Rusia ka thënë se vendimi i Bashkimit Evropian për të mbajtur sanksionet anti-ruse tregon se BE-ja nuk është e gatshme të ndryshojë “kursin armiqësor” ndaj Moskës.

“Vendimi i BE-së vetëm se konfirmon faktin se BE-ja nuk është e gatshme të ndryshojë kursin e saj armiqësor apo të bëjë një vlerësim objektiv të aksioneve të autoriteteve në Kiev”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur sanksione ekonomike kundër Rusisë, pasi kjo e fundit ka aneksuar Krimenë në muajin mars.

Perëndimi po ashtu akuzon Rusinë për dërgimin e trupave dhe të armëve në lindje të Ukrainës, për të mbështetur separatistët, por Moska i hedh poshtë këto akuza.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG