Ndërlidhjet

Lavrov: SHBA-të duan të dominojnë


Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov tha më 21 janar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan të "dominojnë" botën dhe tha se përpjekjet e Perëndimit për të izoluar Rusinë do të dështojnë.

Duke folur në konferencën vjetore për media në Moskë, para bisedimeve të planifikuara për t'u mbajtur në Berlin rreth konfliktit të dhunshëm në lindje të Ukrainës, Lavrov gjithashtu tha se Rusia mbështet integritetin territorial të për Ukrainën dhe se do të bëjë gjithçka që mundet për të ndalur luftimet, por ua hodhi fajin Kievit dhe Perëndimit.

Në pajtim me vërejtjet e presidentit Vladimir Putin që i ka bërë në muajt e fundit, Lavrov e shfrytëzoi këtë mbledhi tradicionale në Moskë për të portretizuar SHBA-në si një gjigant "agresiv", por të gabuar, që është duke minuar sigurinë globale, në vend që ta sigurojë atë.

Ai tha se fjalimi i presidentit amerikan Barack Obama në fjalimin e tij vjetor drejtuar kombit, një natë më parë, "tregoi që amerikanët përsëri dëshirojnë të thonë 'ne jemi numër një' dhe bota duhet pranojë këtë gjë".

"Kjo nuk është një qasje moderne", tha ai, duke shtuar se një gjë e tillë "do të largohet" dhe "tashmë është duke ndryshuar". Lavrov këto komente i bëri duke cituar përpjekjet e SHBA-së për të ndërtuar "aleanca dhe asociacione" për të trajtuar problemet globale që Shtetet e Bashkuara nuk mund t'i trajtojnë vetë, si kërcënimin nga militantët e Shtetit Islamik.

Lavrov tha se "në gjakun amerikan" rrjedh nevoja për të influencuar Evropën, dhe shtoi se "është shumë e vështirë të ndërrohet prapavija e tyre gjenetike".

Ai tha se në fjalimin e Obamës kanë jehuar thirrjet Perëndimore për izolimin e Rusisë, dhe tërhoqi vërejtjen se "këto përpjekje nuk do të sjellin rezultate".

"Raportet ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit janë përkeqësuar seriozisht. Administrata e Shteteve të Bashkuara ka hequr dorë nga dialogu bilateral në shumicën e çështjeve. U bëjmë thirrje partnerëve tanë amerikanë t’i kthehen rrugës konstruktive të bashkëpunimit, si në çështjet bilateral, ashtu edhe ato të fushës ndërkombëtare, ku të dyja vendet tona bartin përgjegjësi specifike. Dhe ky dialog është i mundshëm vetëm mbi të drejta të barabarta dhe duke marrë në konsideratë interesat e të dyja palëve”, tha Lavrov.

Në fjalimin e tij vjetor më 20 janar, Obama tha se SHBA "qëndron e fortë dhe e bashkuar me aleatët, derisa Rusia mbetet e izoluar, me ekonominë e saj të grimcuar".

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shtete tjera, përfshirë Kanadanë, Japoninë dhe Australinë kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të aneksimit të Krimesë nga Ukraia në muajin mars të vitit të kaluar, dhe mbështetjen që Rusia ua bën separatistëve pro-rusë të cilët kontrollojnë territore në lindje të Ukrainës.

Lavrov tha se Rusia nuk do dhe "nuk do të lejojë" në Luftë të Ftohtë të re, dhe i bëri thirrje SHBA-së të kthehet në bashkëpunimin e mëparshëm, por u ankua se përpjekjet për punuar bashkë pengohen nga "presioni i njëanshëm" që Rusia e ka nga Perëndimi.

"Ne nuk duam dhe nuk do të lejojmë çfarëdo Lufte të Ftohtë. Partnerët tanë perëndimorë duhet të kuptojnë se siguria në botën moderne nuk arrihet përmes veprimeve dhe trysnive të njëanshme mbi partnerët, sepse do të jetë angazhimi ynë i përbashkët ai që do të pësojë seriozisht”, tha ai.

Ai tha se "NATO ka zgjedhur shtegun e konfrontimit" me Rusinë.

Rusia e mohon përfshirjen në konfliktin në lindje të Ukrainës, i cili ka vrarë më shumë se 4,700 persona qe nga muaji prill, pa marrë parasysh që NATO-ja dhe Kievi thonë se dëshmitë janë të pakundërshtueshme për përfshirjen ushtarake të drejtpërdrejtë të Rusisë.

Ukraina tha se forcat qeveritare u sulmuan nga trupa ruse në lindje të Ukrainës më 20 janar.

Ndërsa Lavrov tha se Moskës nuk i është dhënë ndonjë dëshmi që ushtarët dhe armët ruse kanë hyrë në Ukrainë, dhe akuzoi shtetet perëndimore se po e furnizojnë Ukrainën me armë, duke i shkelur "normat ndërkombëtare".

Lavrov tha se Rusia do të bëjë çmos për t'i dhënë fund konfliktit dhe tha se integriteti territorial i Ukrainës duhet të ruhet -- një shenjë që Kremlini nuk do të marrë territoret e mbajtura nga pro-rusët me vete, ose formalisht ta njohë pavarësinë e tyre.

Por ai përsëriti thirrjet e Rusisë për reforma kushtetuese, që do të jepnin kompetenca të forta në rajonet e Ukrainës, dhe portretizoi Kievin si agresor në konfliktin, duke thënë se "bombardimet duhet të ndalen menjëherë".

Lavrov tha se ai do të "shtynte për armëpushim të menjëhershëm" dhe tha se do ta shfrytëzojë takimin në Berlin për t'i adresuar thirrjet e Rusisë për bisedime direkte me Kievin dhe liderët separatistë të rajoneve ukrainase, Donjeck dhe Luhansk.

Ai tha se Gjermania, Franca dhe "parterët tjerë perëndimorë" të Ukrainës, duhet të " ngrenë zërin e tyre dhe të bëjnë apel tek udhëheqësia e Ukrainës, për të mos lejuar një tjetër skenar ushtarak ".

Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja akuzojnë Rusinë dhe separatistët se dështuan t'i përmbahen kushteve të një marrëveshjeje të nënshkruar më 5 shtator në Minsk, që bëri thirrje për armëpushim dhe hapa tjerë drejt paqes.

Përgatiti: Gresa Kraja
XS
SM
MD
LG