Ndërlidhjet

Krimi i organizuar e korrupsioni ka larguar investitorët e huaj


Kosova nuk po arrin të krijojë ambient të përshtatshëm për tërheqjen e investimeve direkte ndërkombëtare.

Jostabiliteti ekonomik dhe politik, sipas njohësve të çështjeve ekonomike, ka bërë që investitorët ndërkombëtarë të mos e shohin Kosovën vend atraktiv për investime.

Nga hulumtimet e shumta të bëra nga shoqatat ekonomike, është vlerësuar se barrierat në të bërit biznes, siç është niveli i lartë korrupsionit, mungesa e politikave më të favorshme fiskale, si dhe evazioni fiskal, kanë ndikuar që shumë investitorë të mos shtrijnë kapitalin e tyre në Kosovë.

Ish ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se autoritetet e Kosovës nuk kanë bërë asnjë veprim për të eliminuar problemet që kanë shkaktuar mosardhjen e investitorëve në Kosovë.

Krimi i organizuar, ekonomia jo formale dhe korrupsioni në Kosovë, sipas Shatrit janë ato dukuri të cilat kanë larguar investitorët potencial nga vendi.

“Mendoj se e gjithë barra e fajësisë për mosardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë bie në institucionet shtetërore dhe politikat e tyre të gabuara ekonomike. Institucionet janë ato të cilat e kanë forcën dhe autoritetin për të krijuar një besim tek investitorët, duke eliminuar të gjitha këto dukuri negative të cilat po e dëmtojnë vendin”, shton Shatri.

Që nga viti 2008, sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, investimet e ndërkombëtare në Kosovë kanë shënuar rënie të vazhdueshme.

Derisa në vitin 2007, Kosova ka pasur brenda vitit rreth 500 milionë euro investime direkte ndërkombëtare, në vitet e fundit ato kanë rënë në rreth 250 milionë euro në vit.

Drejtor i Analizave Ekonomike dhe Stabilitetit Financiar në Bankën Qëndrore të Kosovës, Arben Mustafa, në një përgjigje dërguar përmes postës elektronike i ka thënë Radios Evropa e Lirë se bilanci i investimeve të huaja direkte në nëntë mujorin e vitit 2014 është 121.7 milionë euro, derisa në periudhën e njejtë të vitit 2013, kjo vlerë ka qenë 219.6 milionë euro.

“Kjo rënie kryesisht e reflekton faktin se disa kompani të huaja në Kosovë gjatë tre mujorit të dytë të vitit 2014, kanë shpërndarë dividendë në vlerë më të madhe se fitimet e tyre për periudhën përkatëse, gjë e cila është reflektuar në zvogëlim të kapitalit të huaj në Kosovë".

"Po ashtu, gjatë këtij viti, ka ndodhur blerja e disa bizneseve të huaja që operojnë në Kosovë nga afaristë vendor, gjë e cila ka zvogëluar vlerën e kapitalit të huaj në Kosovë”, ka bërë të ditur Mustafa.

Në anën tjetër, Mustafë Hasani, ish-udhëheqës në Agjencinë për Promovimin e Investimeve, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se investimet kanë rënë edhe për shkak të imazhit të dëmtuar të Kosovës.

Sipas tij, vendet e rajonit kanë avancuar më shumë në tërheqjen e investimeve ndërkombëtare duke iu ofruar kushte shumë më të mira sesa Kosova.

“Kemi një nivel të lartë të korrupsionit që për investitorët është një element kyç pse nuk investojnë në Kosovë, kemi një ekonomi me një pjesëmarrje të lartë të ekonomisë jo formale që krijon një konkurrencë jo reale, e cila ka ndikim negativ për tërheqjen e investitorëve. Poashtu, mungon një strategji atraktive promovuese”, vlerëson Hasani.

Kosova ka një strategji për promovimin e investimeve të huaja, ku janë caktuar edhe sektorë ku investitorët e huaj mund të investojnë.

Bujqësia, energjia, përpunimi i metaleve, riciklimi i mbeturinave si dhe teknologjia informative janë ata sektorë që janë caktuar në këtë strategji.

Hasani thekson se për këta sektorë, institucionet e Kosovës, duhet informuar dhe stimuluar investitorët e huaj që të vinë në Kosovë.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme të përgatiten studime të fizibilitetit për ata sektorë që janë caktuar me prioritet. Ne duhet t'u ofrojmë projekte konkrete investitorëve. Duhet ofruar kushte për ta”, shton ai.

Autoritetet në Kosovë, ndërkohë, vazhdimisht kanë potencuar se reformat ekonomike që janë bërë në Kosovë, siç janë zonat e lira ekonomike, tatimet sipas tyre të ulëta, qasja e lirë në tregun e Bashkimit Evropian, janë vetëm disa nga arsyet pse Kosova duhet të konsiderohet si vend i përshtatshëm për realizimin e investimeve të huaja.

XS
SM
MD
LG