Ndërlidhjet

Çfarë të bëni pas martirizimit të burrit tuaj?


Dy gra britanike, të cilat kanë shkuar në Siri, ku janë bashkuar me militantët e Shtetit Islamik, i kanë përdorur llogaritë e tyre në rrjetet sociale për të shfaqur mendime dhe për të dhënë këshilla rreth martesës.

Këshillat e ofruara nga gratë janë që nga paralajmërimet se martesa me një militant është punë e vështirë dhe nuk është një përrallë “Disney”, e deri te këshillat praktike se çfarë duhet të bëjnë gratë në rast se burrat që janë pjesë e Shtetit Islamik, vriten në betejë.

Njëra nga gratë që e ka emrin Umm Layth, në rrjetet sociale është identifikuar si Aqsa Mahmood. Ajo është 20 vjeçe nga Glasgow, për të cilën thuhet se vitin e kaluar ka udhëtuar për në Siri ku është martuar me një militant të Shtetit Islamik.

Umm Layth mendohet të jetë pjesë e brigadës Al-Khanssaa, një grup militant i grave i themeluar nga Shteti Islamik në Raqqa.

Në një blog të shkruar këtë muaj, Umm Layth trajton çështjen se çfarë duhet të bëjnë gratë kur burrat e tyre “martirizohen” – me fjalë të tjera kur ata vdesin në betejë.

Umm Layth lavdëron gratë që tashmë janë martuar me një “muxhahedin” (luftëtar xhihadist).

Umm Layth vazhdon duke thënë se vendimi për t’u martuar me një militant të Shtetit Islamik është “pranim i madh dhe realitet i fuqishëm” duke e ditur se “ne sigurisht, herët ose vonë do ta dëgjojmë lajmin se burri ka rënë martir”.

Teksa Layth shton se shumë gra të militantëve të Shtetit Islamik shpenzojnë kohë për t’u përgatitur për këtë moment emocional, ajo këshillon shoqet e saj militante që të mësohen se si ta zhvillojnë jetën pas martirizimit të bashkëshortit.

Ju tashmë e dini që doni të martoheni me një muxhahedin kështu që pse nuk i keni lexuar se cilat do të jenë rregullat për ju pas largimit të tij?”, pyet ajo.

Umm Layth udhëzon gratë që e mbështesin atë e që janë të martuara ose duan të martohen me një militant të Shtetit Islamik, që të lexojnë deri në “iddah”, term islamik me të cilin përshkruhet periudha e pritjes që gratë duhet ta respektojnë para rimartesës pas vdekjes së bashkëshortit të saj ose pas shkurorëzimit.

“Ukhti (motrat e mia), mos jetoni në injorancë”, udhëzon Umm Layth.

Teksa udhëzon “motrat” e saj, Umm Layth i ka disa fjalë edhe për burrat e Shtetit Islamik.

“Ju jeni përgjegjës për gratë tuaja”, shkruan Layth, duke nënvizuar se “njëra nga detyrat më të rëndësishme” për një militant është që “ta edukojë gruan e tij” duke përfshirë edhe edukimin për periudhën e zisë pasi ai të vritet në betejë.

Një grua tjetër britanike, e cila mendohet se ka lidhje me Umm Layth, shkruan në rrjetet sociale me emrin Umm Waqqas.

Përmes një llogarie në Twitter, Umm Waqqas ka shfaqur mendimin e saj rreth martesave brenda grupit të Shtetit Islamik.

Teksa Umm Layth fokusohet në çështjen se çfarë ndodh pasi vritet një burrë i një gruaje të Shtetit Islamik, Umm Waqqas fokusohet në idealet romantike që i paraprijnë martesës.

“Për të gjitha ato motra që duan të martohen në një përrallë, e kam një mesazh për ju... OH MBYLLE”, ka shkruar më 29 janar në Twitter, Umm Waqqas.

“Shumë motra janë në dashuri me idenë e martesës dhe gjysma e tyre në vërtetë nuk e dinë se çfarë bart më vete një martesë e suksesshme... Gjysma e këtyre martesave nga Shabaabs (të rinjtë) ndoshta nuk i dinë edhe të drejtat e tyre prej një bashkëshorti, por ata cicërojnë sikur të jenë në 'Love Guru' (komedi romantike)”, shkruan më tutje ajo.

Umm Waqqas vazhdon të shkruajë se: “Martesa nuk është një Disney dhe se jo çdo gjithçka përfundon me 'fund të lumtur'... Në fakt ajo të merr shumë kohë si dhe ngarkesat nga kompromiset për t’i bërë gjërat që të jenë në rregull”.

Sipas Umm Waqqas, një martesë e lumtur kërkon “durim për t’u ballafaquar me luftimet e përditshme”.

Për ato gra që fantazojnë rreth martesës së tyre me militantin ideal, Umm Waqqas ka këtë mesazh: “Nuk ka diçka të tillë si Princi Charming. Është një fiksim imagjinar...”.

Ka pasur disa raportime për gratë, të cilat lënë familjet e tyre për të udhëtuar në Siri dhe për t’u martuar atje me militantët

Në shkurt të vitit 2014 e reja holandeze Aicha Petalo është konvertuar në myslimane dhe ka shkuar në Siri për t’u martuar me Yilmazin, një militant holandezo-turk që kishte qenë më parë pjesë e ushtrisë holandeze dhe e asaj turke.

Petalo, sipas nënës së saj, e kishte parë Yilmaz si “një farë Robin Hood” dhe sipas së ëmës, ajo kishte kaluar kohë të gjatë duke biseduar me Yilmazin në internet para se të nisej për në Siri.

Sido që të jetë, martesa e saj nuk ka funksionuar.

Në vitin 2013, Seda Dudurkaeva, vajza 20-vjeçare e drejtorit të Shërbimit Federal për Migracion në Çeçeni, kishte shkaktuar një skandal ngase babai i saj ishte larguar nga posti kur ajo ishte nisur drejt Sirisë për t’u martuar me një militant çeçen.

Një bujë e madhe ishte bërë edhe kur komandanti ushtarak i Shtetit Islamik në veri të Sirisë, Umar Shishani, u kritikua nga dijetari Sheikh al-Suhaibani në Medinë, për refuzimin që iu është bërë prindërve të Seda Dudurkaeva, që ta kthejnë vajzën e tyre në shtëpi në Çeçeni, pasi që burri i saj ishte vrarë në provincën Aleppo. (s.bajrami)

XS
SM
MD
LG