Ndërlidhjet

Pro-rusët në Ukrainë do të mobilizojnë 100,000 burra


Ilustrim
Ilustrim

Lideri i separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës, Aleksandr Zakharchenko, ka thënë se planifikon të mobilizojë 100,000 burra për konfliktin e vazhdueshëm me forcat qeveritare.

Zakharchenko ka thënë se thirrja do të nisë brenda dhjetë ditësh.

“Do të mobilizojmë njerëz të mjaftueshëm për ushtri. Duke pasur parasysh situatën në fronte dhe atë që po bën Ukraina, ne duhet të mobilizojmë njerëz që janë të gatshëm për të bartur armë. Pas ngjarjeve të sotme është bërë urgjente. Do të jetë mobilizim i përgjithshëm”, ka thënë Zakharchenko.

Parlamenti i Ukrainës, muajin e kaluar, ka miratuar planet për të rekrutuar rreth 100,000 ushtarë këtë vit.

Luftimet në lindje të Ukrainës janë intensifikuar javëve të fundit dhe shpresat për shtensionim të situatës janë zbehur pasi bisedimet për paqe kanë dështuar më 31 janar.

Rebelët kanë kërcënuar se do të luftojnë për të marrë në kontroll të plotë provincat Donjeck dhe Luhansk. Në këtë mënyrë, ata do të kapnin qytetin bregdetar të Mariupolit dhe do të sillnin veten më pranë Krimesë, gadishullin e Ukrainës që ka aneksuar Rusia në muajin mars.

Ukraina ka thënë sot se pesë ushtarë të saj janë vrarë dhe 29 të tjerë janë plagosur gjatë luftimeve të fundit në këto provinca.

Zëdhënësi i ushtrisë, Vladyslav Seleznyov, ka thënë se forcat e Ukrainës janë qëlluar me artileri ose mortaja më shumë se 100 herë.

Sipas tij, luftime më intensive po zhvillohen përreth qytetit të kontrolluar nga qeveria, Debaltseve, një pikë strategjike që ndodhet gati e rrethuar nga territoret që kontrollojnë rebelët.

Qindra civilë janë larguar nga Debaltseve pas raporteve se separatistët kanë arritur në skajet e qytetit.

Më shumë se 5,100 njerëz janë vrarë në konfliktin në lindje të Ukrainës qysh në muajin prill.

Bisedimet për paqe në Minsk, të cilat janë parë si shans për të zvogëluar armiqësitë, kanë dështuar shpejt të shtunën. Negociatorët kanë përfshirë përfaqësues nga Rusia, Ukraina, të separatistëve dhe të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Separatistët kanë akuzuar Kievin për sabotimin e bisedimeve. Përfaqësuesi i tyre, Denis Pushilin, ka thënë se rebelët do të kundërshtojnë ultimatumet.

Të hënën, Zakharchenko ka hedhur poshtë mundësinë e një rrethi tjetër të bisedimeve për paqe, derisa Kievi nuk emëron një përfaqësues zyrtar për negociata. Ai ka thënë se përfaqësuesi i Kievit në bisedimet në Minsk, ish-presidenti Leonid Kuchma, ka qenë “individ privat”.

Kievi dhe OSBE-ja kanë thënë se rebelët nuk kanë pranuar të diskutojnë për pikat thelbësore të planit për paqe, të nënshkruar nga Rusia, separatistët dhe Ukraina në muajin shtator në Minsk.

Ministria e Jashtme e Serbisë, që kryeson OSBE-në, ka thënë se “ata (rebelët) nuk kanë qenë të gatshëm të diskutojnë për zbatimin e armëpushimit dhe tërheqjen e armëve të rënda”.

Kievi dhe NATO-ja akuzojnë Rusinë për armatosjen, trajnimin dhe dërgimin e trupave në Ukrainë, për të ndihmuar rebelët, por Moska i hedh poshtë këto pohime.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG