Ndërlidhjet

Studentët rusë mbrojnë politikat e Kremlinit


Pamje nga video e grupit “Set”, që mbështet Kremlinin dhe që është një version i ri i grupit “Nashi”.
Pamje nga video e grupit “Set”, që mbështet Kremlinin dhe që është një version i ri i grupit “Nashi”.

Studentët e univeritetit të Kievit, javën e kaluar, kanë bërë një video-apel për homologët e tyre rusë. U kanë kërkuar atyre që të ndalojnë “luftën e informacionit”, “gënjeshtrat” se ukrainasit janë fashistë dhe të dinë se ushtarët rusë po vdesin në tokën e Ukrainës.

Studentët ukrainas tani kanë marrë përgjigje nga grupi “Set”, që mbështet Kremlinin dhe që është një version i ri i grupit “Nashi”.

Më 1 shkurt, të rinjtë rusë nga enklava e Kaliningradit – të gjithë anëtarë të grupit “Set” – kanë postuar një video të të njëjtit format me studentët e Ukrainës: disa të rinj flasin para kamerës një nga një, me muzikë në sfond, derisa bie borë.

Videoja titullohet: “Studentët rusë kanë filmuar nje video-përgjigje për kolegët ukrainas”. Megjithatë, dyshime ka për kredencialet e tyre. Në video, aktivistët janë të kujdesshëm dhe thonë se janë duke folur “në emër të universiteteve lokale”. Por, rektori i Universitetit Teknik Shtetëor të Kaliningradit është cituar nga mediat lokale të ketë thënë se aktivistët nuk janë student aktualë.

Thirrjet në qendrën për media të universitetit kanë kaluar pa përgjigje.

Por, sidoqoftë, mesazhi i aktivistëve rusë ndjek linjën e Kremlinit: ai i quan “grushtshtet” protestat pro-evropiane në Ukrainë, dënon rrëzimin e ish-presidentit të Ukrainës, Viktor Yanukovych, dhe mbron aneksimin e Krimesë nga Rusia.

Videoja nuk komenton praninë e trupave ruse në Ukrainë, ndërsa thotë se Perëndimi ka vendosur sanksione kundër Rusisë, sepse Rusia “është i vetmi vend që lufton për demokraci”.

“Ju kemi dëgjuar”, thotë njëri aktivist, ndërsa të tjerët qëndrojnë prapa me një pankartë të kaltër që mban logon e grupit “Set”. “Në vendin tuaj ka luftë civile. Qytetarë të rëndomtë janë duke vdekur – fëmijë, të moshuar, gra. Ju keni kërkuar nga ne që të heqim perden e informacionit. Le ta bëjmë së bashku, në mënyrë që askush të mos ketë dyshime”, thotë aktivisti rus.

Të tjerët përsërisin pretendimet për një prani të fortë të neo-nazistëve në Ukrainë, duke vënë theksin mbi grupin margjinal ultranacionalist, Sektori i Djathtë, dhe te “Banderovtsi”, grup që mbledh ndjekësit e Stepan Banderas, nacionalistit ukraianas, nga epoka e Luftës së Dytë Botërore, i cili ka luftuar edhe kundër sovjetikëve, edhe kundër nazistëve, por që konsiderohet si bashkëpunëtor nazist në Rusi.

Një tjetër student në video thotë: “Një vit më parë ka ndodhur grushtshtet jokushtetues. Ju e quani Viktor Yanukovychin, presidentin e zgjedhur nga populli, diktator që ka uzurpuar pushtetin. Ju flisni me zemërim në kohën kur hajdutët dhe kriminelët janë në Verhovna Rada (Kuvend) dhe vendi udhëhiqet nga një oligark, i cili dikur ka qenë në ekipin e Yanukoyvchit”.

Kjo referencë shkon për presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, i cili është pronar i fabrikës më të madhe të çokollatave në Ukrainë dhe i cili ka mbajtur funskione ministrore në qeveritë e mëparshme.

Përgatiti: Valona Tela

XS
SM
MD
LG