Ndërlidhjet

Gratë shtatëzëna me qendër informative


Në Klinikën Gjinekologjike Obstetrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, gjatë një viti lindin rreth 10 mijë foshnje.

Por, në këtë klinikë, si dhe në njërën nga Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, ditët e fundit është hapur një qendër informative, ku gratë shtatëzëna mund të marrin këshilla nga profesionistë shëndetësorë.

Shqiponja Bajraktari Ponosheci, gjinekologe, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se një qendër informative për gratë shtatëzëna është e mirëseardhur, pasi që do të ndikojë edhe në uljen e mortalitetit, si maternal ashtu edhe neonatal.

"Deri tash ka ekzistuar një këshillimore dhe kanë marrë këshilla nga infermieret, por kjo qendër do të ofrojë ndihmë në çdo kohë, pasi që do të merret vetëm me këtë çështje dhe jo me pjesën e pacientëve dhe me sëmundjet si deri tash".

"Hapja e kësaj qendre informative është shumë e mirëseardhur sidomos pasi që është edhe brenda Klinikës Gjinekologjike. Kjo do t'u ndihmojë grave me këshilla për kontrollet, ushqimin, si të kujdesen për fëmijët e posalindur, si të ushqehen foshnjet me gji dhe si të ushqehen nënat".

Vdekshmëria e foshnjave po shënon rënie nga viti në vit, bëjnë të ditur zyrtarë të lartë shëndetësorë.

Ndryshe në njësitin e kujdesit intensiv, për një vit trajtohen nga rreth 3 mijë fëmijë, derisa 1,100 fëmijë lindin para kohës, të cilët kanë nevojë për kujdes.

Merita Vuthaj, zyrtare për shëndetin e nënës dhe fëmijës në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se çdo aktivitet që ofron informata apo këshillime përmes materialit edukativ dhe shëndetësor, kontribuon në mënyrë indirekte në përmirësim të shëndetit publik.

"Promovimi dhe edukimi shëndetësor është një hallkë shumë e rëndësishme në sistemin shëndetësor, pasi që ofrimi i informatave për shëndetin parandalon shumë sëmundje".

Edhe Sami Uka, zyrtar për shëndetin e nënës dhe fëmijës në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, ka bërë të ditur se informatat për nënat e reja lidhur me shtatzëninë dhe më pas me foshnjet e tyre, janë gjithmonë të domosdoshme, sidomos nga profesionistë shëndetësorë.

"Duke e marrë parasysh shkallën e edukimit të nënave dhe të grave në përgjithësi dhe mungesën e informimit të saktë të tyre, funksioni i qendrave të tilla do të jetë pozitiv".

"Mund të themi se që nga viti 2000, trendi është pozitiv në përmirësimin e shëndetit të nënave dhe ngritjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore. Por, ne po përpiqemi me gjithë potencialin tonë, që të ulet vdekshmëria e nënave dhe foshnjave edhe më tej".

Sidoqoftë, edhe vetë drejtori i përgjithshëm i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ka deklaruar se prioritet i qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisë dhe QKUK-së, është përmirësimi i shëndetit të nënës dhe foshnjave dhe kjo përmes ngritjes së kapaciteteve që do të ndikojnë direkt në përmirësim të gjendjes.

XS
SM
MD
LG