Ndërlidhjet

SHBA mund të dërgojë armë në Ukrainë


Uashington, 9 shkurt 2015.
Uashington, 9 shkurt 2015.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë pas takimit me kancelaren gjermane, Angela Merkel, në Uashington se është e qartë se Rusia ka shkelur marrëveshjen e mëparshme me Ukrainën.

Obama ka thënë se Rusia ka dërguar më shumë tanke dhe artileri në lindje të Ukrainës, në vend se të tërheqë pajisjet që ka pasur atje.

Obama ka thënë se agresioni rus vetëm se ka përforcuar unitetin ndërkombëtar dhe ka paralajmëruar Rusinë se nuk mund të rishkruajë kufijtë.

“Ne vazhdojmë të inkurajojmë një zgjidhje diplomatike për këtë çështje. Dhe, derisa përpjekjet diplomatike janë duke vazhduar këtë javë, ne jemi në pajtueshmëri të plotë që të mos lejojmë rishkrimin e kufijve të Evropës me armë”, ka thënë Obama, në konferencën e përbashkët për gazetarë me kancelaren Merkel.

Kjo e fundit ka thënë se Rusia ka shkelur dy herë integritetin territorial të Ukrainës: duke aneksuar në mënyrë të paligjshme Krimenë dhe duke mbështetur separatistët pro-rusë në Donjeck dhe Luhansk.

Merkel ka thënë se ka pasur pengesa në arritjen e një zgjidhjeje diplomatike me Rusinë, në lidhje me situatën në Ukrainë, por, megjithatë, ka theksuar se nuk sheh ndonjë zgjidhje ushtarake të situatës në lindje të Ukrainës.

Merkel po ashtu ka pranuar se “rendi paqësor në Evropë” është në rrezik në Ukrainë.

“Për dikë që vjen nga Evropa, mund të them se nëse heqim dorë nga parimi i integritetit territorial, ne nuk do të jemi në gjendje të ruajmë rendin paqësor në Evropë”, është shprehur Merkel.

Edhe Merkel, edhe Obama kanë thënë se nëse diplomacia dështon, ata do të shohin për masa të tjera që mund të ndërmarrin për të bindur Rusinë që të ndalojë ndihmën për separatistët në lindje të Ukrainës.

“Nëse Rusia vazhdon rrugën e saj të tanishme, e cila po shkatërron ekonominë e Rusisë dhe po dëmton popullin rus, si dhe ka efekt të tmerrshëm në Ukrainë, izolimi i Rusisë do të përkeqësohet edhe politikisht, edhe ekonomikisht”, ka thënë Obama.

I pyetur për mundësinë e furnizimit me armë të Ukrainës, Obama ka thënë se ekipi i tij do të shohë për të gjitha opsionet kundër Rusisë nëse diplomacia dështon dhe se furnizimi me armë vdekjeprurëse është njëri nga opsionet.

Rusia i hedh poshtë akuzat se ka dërguar ushtarë të saj në lindje të Ukrainës dhe se furnizon rebelët me armë.

Luftimet në Ukrainë kanë marrë më shumë se 5,300 jetë njerëzish dhe kanë detyruar 1.5 milion njerëz të braktisin shtëpitë.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë zgjeruar sot listën e sanskioneve për konfliktin në Ukrainë, por do të presin për zbatimin e masave, për t’i lënë shans samitit katërpalësh në Minsk.

Ministri i Jashtëm i Francës, Laurent Fabius, ka thënë se “parimi i sanksioneve do të mbahet, por zbatimi i tyre do të varet nga situata në terren”.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka ngritur dyshime për perspektivat e samitit katërpalësh për Ukrainën, i cili është paraparë të mbahet më 11 shkurt në Minsk, duke thënë se nuk është ende e sigurt nëse takimi do të zhvillohet.

Steinmeier ka thënë se ka shumë punë për t’u bërë para se liderët e Rusisë, Ukrainës, Francës dhe Gjermanisë të takohen. (v.tela)

XS
SM
MD
LG