Ndërlidhjet

Obama kërkon nga Kongresi autorizim për forcë kundër IS-it


Presidenti amerikan, Barack Obama, i ka bërë thirrje përmes një rezolute Kongresit që të autorizojë përdorimin e forcës kundër Shtetit Islamik.

Autorizimi, që nuk përmban kufizime gjeografike, ka afat prej tre vjetësh, dhe mundësinë e ripërtëritjes.

"Rezoluta që kemi dërguar nuk bën thirrje për zbarkim të trupave tokësorë të Shteteve të Bashkuara në Irak apo në Siri. Nuk është autorizim për një tjetër luftë në terren, sikur që ishte në Afganistan apo Irak”, ka thënë Obama, në një takim me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë.

"Njëkohësisht, kjo rezolutë mundëson një balans të domosdoshëm, duke na thënë fleksibilitetin që na duhet për rrethana të paparashikueshme. Për shembull, nëse do të kishim informacione nga inteligjenca për një tubim të liderëve të Shtetit Islamik, dhe nëse partnerët tanë nuk do të kishin kapacitet për ta trajtuar këtë informacion, unë do të isha i gatshëm të urdhëroj forcat tona speciale për të vepruar, sepse nuk do të lejoj që këta terroristë të kenë vend-strehim të sigurtë”, ka thënë Obama.

Forcat ushtarake amerikane, në përbërje të një koalicioni më të gjerë, janë duke sulmuar nga ajri caqet e Shtetit Islamik në Irak që nga muaji gusht i vitit të kaluar dhe ato në Siri, që nga shtatori.

Derisa shumë ligjvënës mirëpritën vendimin e zotit Obama për të dërguar një kërkesë për autorizim disa muaj pas nisjes së sulmeve ajrore, disa të tjerë kërkonin më shumë qartësi nga Shtëpia e Bardhë.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, republikan nga Ohio, tha se plani i zotit Obama do të mund të pësojë ndryshime, duke shprehur dyshimet e tij nëse plani aktual mund të përmbushë objektivat e presidentit.

Senatori republikan nga Tennessee, Bob Corker, i cili është kryesues i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, tha në një deklaratë se mirëpret autorizimin e dërguar nga presidenti dhe shpreson në miratimin e tij.

Corker ka paralajmëruar nisjen e seancave dëgjimore “rigoroze, për t’i dhënë mundësi administratës që t’i ofrojë Kongresit dhe popullit amerikan më shumë qartësi mbi strategjinë e Shteteve të Bashkuara për ta adresuar çështjen e Shtetit Islamik, veçanërisht në Siri”.

Senatori demokrat, Tim Kaine, nga Virginia, i cili ka kritikuar për një periudhë të gjatë presidentin për mos-dërgimin e autorizimit më herët, tha në një deklaratë se mirëpret vendimin e administratës për ta bërë një gjë të tillë, porse “ka shqetësime për mungesën e qartësisë në fjalorin që bën fjalë për trupat tokësore”.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, ka mbrojtur këtë “mungesë qartësie” në fjalorin e autorizimit.

"Ajo çfarë Obama nuk ka në plan është çfarëdo angazhimi afat-gjatë i trupave tokësore siç ka qenë rasti më herët me Irakun dhe Afganistanin. Por, ajo çfarë ai dëshiron të ruajë si mundësi është reagimi ndaj situatave të paparashikueshme, dhe në disa raste, reagimi i shpejtë ndaj situatave që kërkojnë urdhër për aksion ushtarak, për të cilin do të ishin të domosdoshme trupat tokësore”, ka thënë zoti Earnest.

Vetë presidenti Obama ndërkaq është optimist se “koalicioni kundër Shtetit Islamik është në ofensivë, Shteti islamik është në defansivë dhe do ta humbë këtë betejë”.

Ndryshe, autorizimi i propozuar do të shfuqizojë masën e vitit 2002 që ka autorizuar luftën në Irak, por mban në fuqi një autorizim të vitit 2001 që u miratua pak pas sulmeve të 11 shtatorit për një fushatë kundër al-Qaedas dhe degëve të saj. (a.v)

XS
SM
MD
LG