Ndërlidhjet

Betejë për Debaltseven, pavarësisht armëpushimit


Qeveria e Ukrainës dhe separatistët pro-rusë nuk kanë tërhequr armët e rënda nga vija e frontit dhe kanë vazhduar luftimet në lindje të vendit.

Tërheqja e tankeve, artilerisë dhe raketave është dashur të nisë mesnatën e 17 shkurtit dhe është pjesë e marrëveshjes për armëpushim, e nënshkruar javën e kaluar në Minsk të Bjellorusisë.

Armëpushimi, i cili ka hyrë në fuqi më 15 shkurt, është respektuar gjerësisht.

Por, raportet thonë se forcat qeveritare dhe rebelët kanë shkëmbyer zjarr në periferi të qytetit Debaltseve dhe pranë stacionit të tij të trenit.

Ushtria ka thënë se trupat ukrainase kanë mbajtur pozicionet e tyre, përkundër sulmeve të rebelëve. Por, sipas këtyre të fundit, forcat e tyre kontrollojnë pjesën më të madhe të qytetit.

Kievi ka thënë se pesë ushtarë të tij janë vrarë dhe 14 janë plagosur, shumica e tyre në Debaltseve.

“Militantët dhe trupat ruse vazhdojnë të bombardojnë zonën e qytetit Debalsteve dhe sektorë të tjerë të rëndësishëm strategjikë. Në Debaltseve, terroristët kanë sulmuar një fortesë të forcave të operacionit anti-terrorist”, ka thënë zëdhënësi i ushtrisë së Ukrainës, Andriy Lysenko.

Debaltseve është brenda një rripi të ngushtë të tokës në rajonin e Donjeckut, që vazhdon të jetë nën kontrollin formal të Qeverisë së Ukrainës.

Luftime po ashtu janë raportuar pranë qytetit Mariupol.

Në Berlin, zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Steffen Seibert, ka thënë se liderët e Rusisë, Ukrainës dhe Gjermanisë janë pajtuar për “masa konkrete” që do t’iu lejonin vëzhguesve të OSBE-së të monitorojnë armëpushimin.

Siebert ka thënë se liderët kanë biseduar në telefon mbrëmjen e së hënës.

Sipas tij, kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, kanë kërkuar nga presidenti rus, Vladimir Putin, që “të ushtrojë ndikimin e tij te separatistët për zbatim të armëpushimit”.

Në Uashington, zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Jen Psaki, ka thënë se Shtetet e Bashkuara “janë seriozisht të shqetësuara me përkeqësimin e situatës në dhe përreth Debaltseves”.

Psaki i ka bërë thirrje Rusisë dhe “separatistëve që mbështet” që të ndalojnë menjëherë të gjitha sulmet.

Armëpushimi është negociuar nga Ukraina, Rusia, Gjermania dhe Franca, me qëllim që t’i jepet fund konfliktit në lindje të Ukrainës, i cili, qysh në prill të vitit të kaluar, ka marrë mbi 5,500 jetë njerëzish.

Por, si forcat qeveritare, ashtu edhe rebelët kanë thënë se nuk do të nisin me tërheqjen e armëve të rënda nga vija e frontit për shkak të sulmeve të vazhdueshme.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG