Ndërlidhjet

Nga e marta, kthimi i organizuar i migrantëve


Suboticë, 6 shkurt 2015
Suboticë, 6 shkurt 2015

Ministria e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se të martën, “do të kthehen 80 qytetarë të Republikës së Kosovës nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës”.

Zyrtari për media në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Behar Haziraj, tha se personat që do të kthehen nuk do të përfitojnë nga Programi i Riintegrimit.

“Këta persona nuk përfitojnë nga Programi i Riintegrimit, pasi në këtë program mund të përfitojnë personat e riatdhesuar të cilët e kanë lëshuar Republikën e Kosovës para datës 28 korrik 2010, e të cilët i plotësojnë kriteret e përfitimit, të përcaktuara me Rregulloren për Riintegrimin e Personave të Riatdhesuar dhe Menaxhimin e Programit të Riintegrimit”, tha Haziraj.

Megjithatë, në MPB, pohojnë se “janë disa skema të natyrës urgjente që mund t’i përfitojnë të gjithë të riatdhesuarit: pritja dhe informimi në momentin e arritjes, ndihma mjekësore në momentin e arritjes në rast nevoje, transporti nga Pikat e Kalimit Kufitar deri në komunën e origjinës, nëse nuk kanë mundësi të tjera të transportit, aftësim profesional dhe ndërmjetësimi në punësim”.

Është bërë e ditur poashtu se edhe me datën 26 shkurt, do të ketë një fluks të emigrantëve që do të kthehen nga Belgjika.

Ramadan Ilazi, zëvendësministër i Integrimeve Evropiane, thotë se tashmë është e qartë se të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, siç janë deklaruar, nuk do të japin azil për shqiptarët nga Kosova dhe rrjedhimisht vala e të kthyerve nuk do të ndalet tash e tutje.

“Të gjithë qytetarët që aktualisht janë në prije të azilit ose që kanë kërkuar azil do të kthehen, sepse nuk do të ketë azil për qytetarët e Kosovës. Përshtypja jonë është që më shumë është çështje kohe, sesa nëse do të kthehen apo jo. Kushtet socio-ekonomike janë të rënda dhe është e vërtetë se kemi vështirësi në ketë drejtim, por fatkeqësisht zgjidhja nuk është azili”, tha Ilazi.

"Migrimi i ilegal i qytetarëve të Kosovës ka ndikuar negativisht në imazhin e vendit, në uljen e moralit të qytetarëve brenda Kosovës dhe në vonesat e mundshme në procesin e liberalizmit të vizave", ka deklaruar zëvendësministri Ilazi. Megjithatë, ai thotë se autoritetet në Kosovë do të mundohen të ndihmojnë procesin e ri-integrimit.

“Ne shpresojmë që institucionet e Kosovës, do të jenë në gjendje që të ndihmojnë dhe lehtësojnë për shumë familje procesin e riintegrimit pastaj. Kuptojmë që shumë prej këtyre familjeve kanë shitur nga pasuria për të financuar këtë udhëtim”, tha Ilazi.

Që nga dhjetori i vitit të kaluar, numri i qytetarëve të Kosovës që kanë marrë rrugën e migrimit të paligjshëm për në vendet e Bashkimit Evropian është shtuar dukshëm.

Autoritetet në Prishtinë deklarojnë se nuk kanë të dhëna të sakta për numrin, por flitet për mijëra të tillë që kanë mësyrë kryesisht Gjermaninë dhe Austrinë.

XS
SM
MD
LG