Ndërlidhjet

Njeriu që u bë “xhihadisti John”


Mohammed Emwazi në shtypin botëror
Mohammed Emwazi në shtypin botëror

Identiteti i vërtetë i njërit prej anëtarëve më famëkeq të Shtetit Islamik është zbuluar. Ai është Mohammed Emwazi, i njohur deri më tash si “xhihadisti John”.

Ka lindur në Kuvajt më 1988 dhe ka shkuar në Britani më 1994, kur ka qenë vetëm gjashtë vjeç. Thuhet se ka diplomuar për informatikë në Universitetin Uestminister, rreth vitit 2009.

Emwazi, i cili edhe më parë ka qenë i njohur për shërbimet britanike të sigurisë, është paraqitur për herë të parë në një video, gushtin e kaluar, duke i prerë kokën gazetarit amerikan, James Foley.

Besohet se i njëjti i ka prerë kokën edhe punëtorit britanik të ndihmës, David Haines, gazetarit tjetër amerikan, Steven Sotloff, shoferit britanik, Alan Henning, dhe punëtorit amerikan të ndihmës, Abdul-Rahman Kassig, i njohur edhe si Peter.

Identiteti i vërtetë i tij është raportuar nga gazetarët e Washington Post-it, Souad Mekhennet dhe Adam Goldman. Ky i fundit ka folur të enjten për agjencinë Reuters, në lidhje me procesin e zbulimit të identitetit.

“Emri ka qenë i qartë për agjencitë amerikane të inteligjencës dhe për auturitetet britanike qysh në shtator të vitit 2014”, ka thënë Goldman.

“Kemi dërguar Souad [Mekhennet], e cila ka shkruar artikullin me mua, në Londër dhe ajo ka nisur të trokasë nëpër dyer. Kemi gjetur miqtë e afërt të tij, të cilët kanë folur me ne. Pra, e kemi pasur emrin përpara se ia kemi takuar miqtë. Dhe, ata vetëm se kanë konfirmuar atë që ne kemi ditur”, ka shtuar Goldman.

Kur videot që kanë shfaqur “xhihadistin John” kanë nisur të përhapen, shumë analistë janë fokusuar në theksin e tij britanik.

Emwazi dhe dy miq të tij, në vitin 2009, kanë udhëtuar në Tanzani, ku edhe janë arrestuar dhe dëbuar nga vendi.

Emwazi më pas ka udhëtuar drejt Amsterdamit, ku u ka thënë miqve se është marrë në pyetje nga shërbimi britanik i inteligjencës, MI5, dhe është akuzuar se ka bërë përpjekje të arrijë në Somali, për t’iu bashkuar grupit militant islamist të Al-Shababit.

Emwazi është arrestuar përsëri nga zyrtarët kundër terrorizmit, kur është kthyer në Britani nga Kuvajti, më 2010.

Është e paqartë se përse Emwazi ka qenë nën hetime, ndonëse BBC raporton se ai ka qenë i lidhur me një person, i cili po ashtu ka pasur lidhje me Al-Shababin.

Disa shokë të tij i kanë thënë Washington Post-it se në vitin 2012, Emwazi ka dashur të shkojë në Arabinë Saudite, për të dhënë mësime të anglishtes, por përpjekjet e tij kanë qenë të pasuksesshme.

Pak kohë më vonë, ai është zhdukur. Pavarësisht vëmendjes së autoriteteve britanike mbi të, Emwazi ia ka dalë të shkojë në Siri, vendin që e ka diskutuar qysh më 2012, sipas gazetës Guardian.

E veja e një personi të vrarë nga “xhihadisti John”, thotë se do që ai të kapet i gjallë.

Dragana Haines thotë se “gjëja e fundit” që do për personin që ka vrarë burrin e saj, David Haines, është “vdekja e merituar”. Ajo thotë ai duhet të vihet para drejtësisë.

Kryeministri britanik, David Cameron, ka dhënë këtë deklaratë, pasi është pyetur nga gazetarët që të komentojnë identifikimin e “xhihadistit John”:

“Kur kudo në botë ka njerëz që kryejnë krime të tmerrshme kundër shtetasve britanikë, ne bëjmë gjithçka të mundur me policinë, shërbimet e sigurisë, me të gjithë që i kemi në dispozicion, për t’i gjetur këta njerëz dhe për t’i vënë jashtë veprimit. Ky është prioriteti numër një për mua”, ka thënë Cameron.

Mohammed Emwazi është njëri nga 600 shtetasit britanikë që kanë udhëtuar në Siri, për të luftuar.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG