Ndërlidhjet

Kosova përgatitet për Lojërat Olimpike


Pas pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, sportistëve të Kosovës i'u është bërë e mundur pjesëmarrja në të gjitha aktivitetet që organizohen nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe Komiteti Olimpik Evropian.

Aktiviteti i parë ndërkombëtar në këtë vit për sportistët e Kosovës, do të jenë lojërat evropiane të organizuara nga Komiteti Olimpik Evropian nga 12 deri më 28 qershor në Baku.

Në muajin gusht të këtij viti, do të zhvillohet Festivali i Lojërave Olimpike, për të rinj në Tbilisi të Gjeorgjisë, ndërkaq në shtator do të mbahen edhe Lojërat mediterane në zall, në Itali.

Në fillim të vitit 2016, do të mbahen lojërat olimpike për të rinj, ndërkaq, në gusht të vitit 2016, në Rio De Janeiro do të mbahen lojërat olimpike botërore.

Besim Hasani, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se në të gjitha këto ngjarje sportive ndërkombëtare pritet të jenë prezent edhe sportistët e Kosovës.

“Para lojërave olimpike në Rio de Janeiro, na presin edhe katër aktivitete, të cilat janë teste se deri në çfarë niveli janë përgatitur sportistët e Kosovës. Në këtë drejtim jemi të angazhuar që t’i marrim të gjitha masat e nevojshme për përgatitje adekuate të sportistëve apo ekipit olimpik, i cili është përcaktuar në bashkëpunim të Komitetit Olimpik të Kosovës dhe federatat përkatëse sportive të Kosovës”.

Ndryshe, Hasani ka konfirmuar se të martën, me 3 mars, Solidariteti Olimpik i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, do ta nënshkruaj kontratën për bursa me disa sportistë të Kosovës, të cilët kanë fituar të drejtën të financohen nga kjo organizatë për përgatitje për lojërat olimpike në Rio de Janeiro.

Megjithatë, Hasani ka theksuar se nuk mund të dihet ende me saktësi se sa do të jetë numri i sportistëve të Kosovës që do të marrin pjesë në lojërat olimpike të Evropës e as në lojërat olimpike botërore në Rio De Janeiro.

Sipas tij, ajo që dihet është se Kosova do të marrë pjesë në 10 sporte, por numri i pjesëmarrësve do të varet nga kualifikimi i tyre, por edhe nga ftesat e Komitetit Olimpik Evropian. Ngjashëm sipas tij do të jetë edhe për lojërat olimpike botërore.

“Ne presim që do ta kalojë numrin 20, numri i sportistëve që do të marrin pjesë në lojërat evropiane në Baku 2015. Ndërsa, për Rio de Janeiro, po ashtu na presin kualifikimet dhe ne shpresojmë që disa sportistë të Kosovës do të kualifikohen. Normalisht, në numër të vogël, sepse konkurrenca është e jashtëzakonshme. Mandej, janë edhe ftesat dhe mund të jenë 2 apo 3 ftesa. Kështu që unë pres që me 8 sportistë të jemi në Rio”.

Hasani ka theksuar se për përgatitjen e sportistëve për kualifikime, por edhe për pjesëmarrje në lojërat olimpike në Evropë dhe botë, Komiteti Olimpik pret ndihmën edhe të institucioneve qeveritare përgjegjëse për sportin, të cilat, sipas tij, kanë premtuar një ndihmë të tillë.

Në anën tjetër, Vehbi Miftari, këshilltar i lartë politik i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se hapja e rrugës për pjesëmarrje të sportistëve të Kosovës në gara ndërkombëtare ka rritur edhe obligimin për institucionet qeveritare që t’i ndihmojnë ata.

Sipas tij, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit tashmë po i shqyrton të gjitha mundësitë buxhetore për ta ndihmuar përgatitjen e sportistëve për pjesëmarrje në garat ndërkombëtare që priten.

“Ne do të përpiqemi që t’i mbështesim dhe për sa të jetë e mundur ta përkrahim pjesëmarrjen e tyre në këto gara. Do të punojmë ngushtë me federatat dhe komitetin Olimpik të Kosovës që t’i identifikojmë mundësitë më të mira edhe buxhetore e financiare, që të sigurojmë se Kosova jo vetëm do të jetë e pranishme, por do të marrë pjesë në këto gara me sportist cilësor, të cilët do t’i bëjnë edhe parapërgatitjet e nevojshme”.

Ndryshe, sipas Hasanit, rezultatet më të mira deri më tash janë arritur në sportet: xhudo, boks, atletikë dhe shenjëtari. Sipas tij, rezultate premtuese në këto sporte priten edhe në lojërat olimpike.

XS
SM
MD
LG