Ndërlidhjet

Dhuna detyron refugjatët afganë të kthehen në Pakistan


Refugjatët afganë përsëri në lëvizje – këtë herë nga strehat e sigurta që kanë kërkuar në Pakistan.

Dhjetëra-mijëra refugjatë afganë janë kthyer në shtëpitë e tyre muajt e fundit, por shumica thonë se janë rrahur nga policia, burgosur apo dëbuar nga shtëpitë e tyre në Pakistan.

Për vite me radhë, Islamabadi ka shtyrë refugjatët afganë që të kthehen në atdhe, por me pak sukses.

Në dhjetor të vitit të kaluar, militantët kanë masakruar më shumë se 150 persona, shumica nga ta fëmijë, në një shkollë të Peshauarit.

Shumë refugjatë të kthyer thonë se janë akuzuar për sulmin, përgjegjësinë e të cilit e kanë marrë talibanët pakistanezë, një grup që Islambadi thotë se vepron nga Afganistani.

Statistikat tregojnë se pas këtij sulmi ka pasur rritje të dukshme në kthimin e refugjatëve. Organizata Ndërkombëtare për Migrim ka thënë se në muajin që ka pasuar, mbi 33,000 refugjatë afganë pa dokumente janë kthyer në Afganistan – shifër kjo dyfish më e madhe se numri i të kthyerve gjatë gjithë 2014-ës.

Një nga ta është Agha Khan, i cili ka jetuar në Pakistan prejse ka shpërthyer lufta civile në Afganistan në fillim të viteve 1990. Khan, tani në Kabul, i ka thënë Radios Afganistani i Lirë se shumë refugjatë largohen nga Pakistani nga frika e arrestimit nga policia apo oficerët e inteligjencës.

“Në dy muajt e kaluar, 63 refugjatë afganë janë arrestuar nga Pakistani, pa asnjë arsye”, thotë Khan, i cili ka banuar në qytetin e Peshauarit, ku shumica e refugjatëve afganë kanë jetuar. “Askush nuk e di se ku janë ata”, shton ai.

Kombet e Bashkuara thonë se rreth 2.5 milionë refugjatë afganë ndodhen në Pakistan. Pakistani ka qenë shtëpi e miliona afganëve gjatë tri dekadave të kaluara dhe, sipas Agjencisë për Refugjatë të OKB-së (UNHCR), mbi 3.8 milionë refugjatë janë kthyer në shtëpitë e tyre.

Human Rights Watch ka thënë në fund të shkurtit se Qeveria e Pakistanit e ka me detyrim të mbrojë të gjithë afganët në vend, përfshirë edhe ata që nuk janë të regjistruar si refugjatë, nga abuzimi.

“Zyrtarët pakistantezë nuk duhet të sulmojnë afganët për shkak të mizorive të talibanëve në Peshauar”, ka thënë Phelim Kine, zëvendësdrejtor për çështje të Azisë në Human Rights Watch.

“Është çnjerëzore, mos të themi e paligjshme, që t’i kthejnë afganët në vende të pasigurta dhe të mos i mbrojnë ata nga abuzimet”, ka shtuar ai.

Abdul Wali, refugjat afgan në Islamabad, thotë se refugjatët janë sulmuar edhe nëse kanë pasur status legal në vend.

“Policia pakistaneze më ka thënë se secili oficer është urdhëruar që të arrestojë 50 refugjatë afganë, pa marrë parasysh se a kanë status refugjati apo jo”, i ka thënë ai Radios Afganistani i Lirë.

Policia dhe agjentët e inteligjencës kanë bastisur disa kampe refugjatësh, prejse ka ndodhur sulmi në shkollën e Peshauarit.

Pakistani ka hedhur poshtë idenë se po dëbon refugjatët afganë nga vendi. Por, së paku një zyrtare pakistaneze ka thënë se po bëhen përpjekje zyrtare për kthimin e refugjatëve në Afganistan.

Tasnim Aslam Khan, zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme, ka thënë se të gjithë refugjatët e regjistruar do të largohen deri në fund të vitit.

“Duam që ata të kthehen në vendin e tyre me dinjitet dhe vullnet”, ka thënë Khan, duke shtuar se zonat e populluara me refugjatë të paregjistruar afganë përdoren si “streha për terroristët”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG