Ndërlidhjet

Pengesa ligjore për "Slobodan Milosheviqin" në Ranillug


Ilustrim
Ilustrim

Kërkesa për emërtimin e një rruge me emrin e Slobodan Millosheviqit, në komunën e Ranillugut, është miratuar, "sipas procedurave të Kuvendit të kësaj komune".

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Sasha Alleksiq, kryesues i Kuvendit të Komunës së Ranillugut.

“Unë jam përfaqësues i pushtetit legjislativ. Në bazë të të gjitha normativave dhe në bazë të ligjeve - konkretisht, pasi që atje ekziston një rrugë me emrin Slobodan Milosheviq - i kemi udhëzuar këshillat e fshatit dhe këshilltarët që t’i bëjnë listat e rrugëve".

"Ata i kanë dorëzuar ato lista dhe ne vetëm i kemi zbatuar procedurat e Kuvendit. Unë nuk kam kompetenca të drejtpërdrejta dhe as jo të drejtpërdrejta që të bëj presion mbi qytetarët. Unë vetëm e respektoj vullnetin e qytetarëve që më kanë sjellë në këtë vend”, tha Aleksiq.

Millosheviq ishte akuzuar nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për rolin e tij gjatë luftës në Kosovë, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë gjatë viteve të 90-ta.

Millosheviq është gjetur i vdekur në qendrën e paraburgimit në gjykatën e Hagës më 11 mars 2006.

Alleksiq thotë se e ka të qartë se emërtimi i rrugës me emrin eMillosheviqit mund të nxis reagime, por ai, siç thotë, "nuk mundi të bënte asgjë më shumë se sa ta zbatonte ligjin".

Megjithatë, ai ka shpjeguar se miratimi i Kuvendit Komunal të Ranuillugut për emërtimin e rrugëve, nuk është hapi i fundit në këtë proces.

“Mund të ekzistojë një vendim i kryetarit, apo Ministrisë (së Administrimit të Pushtetit Lokal), për kthimin e kësaj çështjeje në procedurë të Kuvendit. Ekzistojnë mundësitë që kjo të hidhet poshtë. Ta zëmë që nesër mund të më vijë vendimi nga ministria për anulimin e këtij vendimi dhe unë si kryetar i Kuvendit të komunës, jam i obliguar që sërish ta kthej në shqyrtim”, theksoi Alleksiq.

Në anën tjetër, lidhur me vendimin që ka marrë Kuvendi i Komunës së Ranillugut, tashmë është në dijeni edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Bajram Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, thotë për Radion Evropa e Lirë, se këtë çështje tashmë e kanë diskutuar me kryetarin e kësaj komune, Gradimir Mikiq.

“Ne kemi biseduar me kryetarin e komunës dhe ai ka kërkuar që Kuvendi ta rishqyrtojë atë vendim, posaçërisht me theks për rrugën e kontestuar, e cila tanimë është bërë e njohur për mediet. Kështu që ne duhet të presim se si do të reagojë Kuvendi i Komunës, e më pas ne mund të ndërmarrim ndonjë veprim. Ne tash po i shqyrtojmë mundësitë tona”, tha Gecaj.

Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, në një komunikatë për medie ka theksuar se ajo dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në mënyrë të vazhdueshme, kanë monitoruar dhe po e vazhdojnë këtë proces, që nga momenti i aprovimit në Kuvendin Komunal të Ranillugut, të emërtimeve për rrugët, për t’u siguruar që ky Vendim i Kuvendit të Komunës së Ranillugut të harmonizohet me dispozitat e ligjit për sistemin e adresave si dhe akteve nënligjore për zbatimin e këtij ligji.

Në komunikatë thuhet se “ky vendim nuk është në fuqi, por në procedurë të rishqyrtimit, ashtu siç është përcaktuar me ligj”. Gjithashtu, në komunikatë thuhet se të dyja ministritë "nënvizojnë se në rast të mosrespektimit të rekomandimeve të Agjensionit Kadastral dhe Kryetarit të Komunës [të Ranillugut], ndaj Kuvendit Komunal do të marrë masat përkatëse ligjore”.

Kryetari i komunës së Ranillugut, Gradimir Mikiq, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka konfirmuar se çështjen e emërtimit të rrugës me emrin e Slobodan Millosheviqit, e ka kthyer në kuvendin e kësaj komune për rishqyrtim.

“Unë nuk e shqyrtoj, por shqyrtimin e bën kuvendi dhe unë tashmë e kam kthyer, për shqyrtim të sërishëm në kuvend. Kështu që, askush nga ministria nuk mund të më kërkojë të bëj diçka, të cilën tashmë e kam bërë, madje para se të ngrihet kjo zhurmë”, theksoi Mikiq.

Ndryshe, Kuvendi Komunal i Ranillugut udhëhiqet nga përfaqësues të Listës Serbe.

Vetë komuna ndërkaq është krijuar gjatë procesit të decentralizimit të pushtetit qendror, të paraparë me planin e Marti Ahtisaarit, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

XS
SM
MD
LG