Ndërlidhjet

UP-ja pa praktikë dhe pa kushte teknologjike


Ilustrim
Ilustrim

Fakultetet e ndryshme të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ofrojnë kushte për studime më shumë mbi bazën teorike, ndërkaq ana praktike e studimeve është e mangët, vlerësojnë disa studentë të këtij universiteti.

Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, ata thonë se fakulteteve në shumë raste u mungojnë mjetet e domosdoshme për studentë, kompjuterët, skanerët, printerët e madje edhe mundësitë për të praktikuar ushtrimet caktuara në laborator apo në hapësira tjera ku mund të ushtrohet pjesa praktike.

Arbër Bogiqi, student në Fakultetin Ekonomik, vlerëson se deklaratat jo rrallë të zyrtarëve të Universitetit të Prishtinës se ky universitet mëton të jetë modern, janë larg këtyre pretendimeve.

“Nuk mendoj që janë kushte aq moderne. Së pari, numri i grupeve, për shembull, në Fakultetin Ekonomik, ku jam unë, ka shumë studentë. Për shembull vitin e parë kur kemi qenë, është dashur të presim një orë para sallës apo amfiteatrit, për ta zënë një vend së paku në mes ose përpara, sepse numri i studentëve ka qenë shumë i madh. Ka edhe praktikë, por numri i kompjuterëve është i vogël. Por, praktika bëhet vetëm në ushtrime”, thotë Arbëri.

Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:05:16 0:00

Mendim të ngjashëm ka edhe Hysnije Qalaj, studente në Fakultetin Juridik. Ajo, po ashtu, shpreh mendimin se numri i studentëve gjatë ligjëratave është tejet i madh dhe rrjedhimisht edhe ambienti është i ngushtë. Madje, sipas saj, edhe për shërbimet administrative ekzistojnë mjaft probleme.

Jo, nuk jemi aspak modern. Katastrofë. Ka shumë tollovi. Për shembull, kemi pasur ta paguajmë semestrin dhe është dashur të presim për tre ditë që të hyjmë në sistem. Pastërtia nuk është në nivel”.

“Ndërkaq, ne, për të gjitha duhet të shërbehemi jashtë, qoftë për të printuar diçka, ndonjë literaturë, ndonjë ‘skriptë’ të shkurtë për të mësuar. Gjithmonë duhet t’i shtypim jashtë. Në Fakultetin Juridik, unë nuk di që kemi pasur praktikë, ta zëmë, të shkojmë të shohim ose dëgjojmë se si mbahet një seancë ose diçka e tillë. Kurrë”, shprehet Hysnija.

Por, kolegu i Hysnijes, Prek Memaj, po ashtu student në Fakultetin Juridik, nuk e sheh situatën kaq të rëndë në këtë fakultet:

“Edhe pse nuk mund të afrohemi ne me sistemet e Evropës, por, përgjithësisht janë kushtet e mira për një studim të thjeshtë apo elementar, jo aq moderne, por që gjithsesi i përmbushin disa kushte të parapara. Mungesa është te stafi akademik dhe nuk është shumë te pajisjet e të ngjashme. Teknikisht, deri diku janë të pajisur, minimalisht mund të themi, por jo për studentë, por për stafin akademik”.

Arieta Vllasa është studente në Fakultetin e Arkitekturës. Ajo thotë se në këtë fakultet numri i studentëve nuk është i madh dhe nuk kanë probleme me sallat për ligjërata, për shkak se ky fakultet ka infrastrukturë të mirë. Ajo lavdëron edhe punën e profesorëve, por, sipas saj, shumë kushte të tjera që janë të nevojshme për studentët, aty mungojnë.

“Në fakultet nuk janë keq. Janë elementaret, ndërkaq kushtet tjera i bëjmë vetë, me mundësitë tona. Do të thotë fletë, kompjuterë, kemi shumë pak. Do të duhej të kishim gjithsecili nga një, por nuk e kemi atë mundësi. I mbajmë lap-topët tanë apo kompjuterët në shtëpitë tona. Printerët, gjithashtu nuk i kemi, ndërkohë që na nevojiten shumë, sepse ne çdo projekt duhet ta printojmë në fletë, në mënyrë që ta dorëzojmë. E ato, të gjitha i bëjmë nëpër fotokopje me harxhimet tona”, tregon Arieta.

Ngjashëm e shpjegon situatën edhe kolegia e Arietës, Ejona Hasani, po ashtu, studente në Fakultetin e Arkitekturës.

“Nuk janë kushtet moderne, sepse nuk kemi materiale për mësim. Do të thotë, mungon shumë literatura për arkitekturë dhe ne duhet të hulumtojmë shumë nëpër internet dhe rrjete sociale, që të mund të marrim diçka. Që të hyjmë dhe të hulumtojmë në kompjuter, ne nuk e kemi atë mundësi, sepse ata mungojnë (në fakultet). Kushtet teknike, studentët duhet t’i blejnë të gjitha me mundësitë e tyre”, thotë Ejona.

Leotrim Çela, student në Fakultetin Teknik, në drejtimin e Komunikacionit, thotë se kushtet për studim në këtë fakultet, për studentët, janë larg të qenët moderne.

“Kushtet nuk janë moderne, se fillimisht, nuk kemi praktike që të bëjmë, e neve na nevojitet. Shpjegimi është i mirë, por praktikë nuk ka. Për shembull, ne jemi në Komunikacion, dhe nevojitet të mësojmë për vetura ose të ngjashme, pak e fare nuk ka. Për dy lëndë krejt kam bërë (praktikë), tash në vit të tretë dhe në vitin e parë. Për çdo lëndë nevojitet, por s’ka praktikë”, pohon Leotrimi.

Albion Gara, student në Fakultetin e Bujqësisë, në degën e Teknologjisë Ushqimore, thotë se në këtë fakultet ekzistojnë laboratorët e ndryshëm, si dhe kushtet për praktikë. Por, zhvillimi i kësaj praktike, sipas tij, është krejtësisht i mangët.

“Në shumicën e lëndëve e bëjmë praktikën. Por, në atë praktikë që shkojmë ne, ta zëmë, në lëndën e kimisë, ne shkojmë në laborator, por aty zgjedhim detyra. Nuk po them se nuk na nevojiten detyrat, por praktikën që e bëjmë ne, është e mangët dhe madje edhe ajo që bëhet, e bën asistenti dhe nuk kemi ne hapësirë që ta bëjmë vetë. Për shembull, të thotë ‘eja në orën 15’ ndërkaq, të bie të presësh deri në orën 17 për të hyrë në laborator”, thekson Albioni.

Me mungesa të ngjashme të mundësive përballen edhe studentët në Fakultetin e Mjekësisë, në degën e Infermierisë, thotë Arbëresha Hasani, studente në këtë drejtim:

“Tash jemi duke e mbajtur praktikën dhe nuk kemi sa duhet materiale, ashtu siç thonë. Na japin, ta zëmë, ndonjë seminar dhe ne nuk i kemi të gjithë kompjuterët apo lap-topët me vete. Për sallat ku e mbajmë statistikën, për shembull, aty janë kompjuterët, por nuk janë të mjaftueshëm, sepse duhet të ndahemi në një grup me 5 vetë, e ne, në fakt, jemi 16 vetë në një grup. Edhe kur i përfundon (studimet) mendoj që është e pamjaftueshme, sepse praktika mungon”.

XS
SM
MD
LG