Ndërlidhjet

Inspektime të shtuara nëpër barnatore


Në Kosovë janë gjithsejt 530 barnatore të licensuara, derisa për këtë territor janë gjithsejt 7 inspektorë. Përfaqësues nga Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale, kanë deklaruar se edhe përkundër asaj se inspektimet në teren janë shtuar në masë të madhe, mungesa e inspektorëve është evidente.

Gjatë vitit 2014, janë ndëshkuar 86 barnatore, ku janë gjetur qoftë barna pa banderola, apo është dyshuar në cilësinë e barnave.

Pranvera Behrami, zyrtare për informim në Agjencinë Kosovare për Produkte Medicinale, thekson se cilësia e barnave është e mirë.

"AKPM vazhdon punën për ngritjen e cilësisë së produkteve medicinale që qarkullojnë në Kosovë. Nga laboratori i AKPM–së, kanë dalë rezultate se barnat janë të një cilësie të kënaqshme në Kosovë".

Për cilësinë e barnave, flasin edhe anëtarët e Shoqatës së Farmacistëve të Kosovës.

"Mendoj se cilësia e barnave në Kosovë është e mirë. Laboratori i AKPM-së është funksional dhe sipas metodave të tyre të inspektimit, marrin mostra nga tregu ekzistues, por edhe nga importet që bëhen kur ata e shohin të nevojshme", thekson Kadri Bytyqi.

Ndryshe, Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale së fundmi ka filluar implementimin e procesit të digjitalizimit të punëve në autorizim, marketing, licencim të veprimtarive farmaceutike, licencim të importeve, licencim të eksporteve dhe aspekte të tjera që lidhen me punën e AKPM-së.

"AKPM ka prezantuar projektin e digjitalizimit të proceseve të punës, i cili ka për synim transparencën e plotë dhe shmangien e prezencës fizike të personit, për tu pajisur me dokumentacion".

"Përmes digjitalizimit rritet efikasiteti i punës dhe lehtëson subjektet dhe qytetarët, që të adresojnë kërkesat e tyre për licencim të veprimtarive që ushtrojnë, apo të shërbimeve tjera që ushtrojnë në AKPM , ndërkohë që edhe ngritë transparencën ndaj tyre", thekson Behrami.

Për implementimin e procesit të digjitalizimit në Agjencinë Kosovare për Produkte Medicinale, mendim pozitiv ka edhe zoti Bytyqi.

"Mendoj se digjitalizimi është një hap i qëlluar dhe vendim i drejtë, pasi që zvogëlon burokracinë dhe ngritë transparencën nëpër institucione publike, por edhe në AKPM", shton Bytyqi.

Sidoqoftë, në mungesë të buxhetit nuk është e mundur të rritet numri i inspektorëve edhe pas kërkesës së vazhdueshme, kanë pohuar zyrtarë institucional.

Zyrtarë në AKPM, thonë se janë të përkushtuar në vazhdimësi që të sigurohen barna cilësore, derisa kanë shtuar se ilaçet e kontrabanduara, pas inspektimeve sanksionohen dhe tërhiqen nga tregu.

XS
SM
MD
LG