Ndërlidhjet

Unitet i vendeve perëndimore në bisedat me Iranin


Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, dhe homologu i tij iranian, Mohammad Javad Zarif në Lozanë, Mars, 2015.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, dhe homologu i tij iranian, Mohammad Javad Zarif në Lozanë, Mars, 2015.

Britania, Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara, e kanë afirmuar “unitetin e synimit” të tyre në bisedat atomike me Iranin, duke thënë se Teherani duhet të marrë “vendime të vështira”.

Diplomatët e lartë perëndimorë janë takuar të shtunën vonë në Londër për të diskutuar për progresin në negociata me Iranin, lidhur me programin e tij bërthamor.

Duke e lexuar deklaratën e përbashkët pas takimit, sekretari i jashtëm britanik, Philip Hammond, tha se “ne jemi pajtuar se është bërë progres i rëndësishëm në fushat kryesore, megjithëqë ende ka çështje të rëndësishme, për të cilat ende nuk ka qenë e mundshme të arrihet marrëveshje”.

Delegatët nga Irani dhe 6 fuqitë botërore, Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania, Rusia, Kina dhe Gjermania, gjatë kësaj jave në Lozanë të Zvicrës, janë përpjekur të arrijnë marrëveshje për ndaljen e programit atomik iranian në këmbim për lehtësim të sanksioneve ekonomike ndërkombëtare.

Gjatë një interviste për The Huffington Post, presidenti amerikan, Barack Obama, tha se negociatorët iranianë nuk kanë bërë lëshime të mjaftueshme në bisedat atomike për ta arritur marrëveshjen.

“Ajo që do të ketë një ndikim nëse ne do ta kemi marrëveshjen është, së pari – a është Irani i përgatitur të tregojë, të dëshmojë te bota, se nuk po e zhvillon armatimin atomik, dhe ne mund ta verifikojmë këtë në mënyrë të papenguar dhe konsekuente. Sinqerisht, ata ende nuk kanë bërë një lloj të koncesioneve, për të cilat unë mendoj se do të nevojiten për arritjen e marrëveshjes finale. Por, ata kanë lëvizur dhe për këtë ekziston mundësia”, tha Obama.

Irani insiston se aktivitetet atomike të tij janë krejtësisht të natyrës civile, por vendet perëndimore kanë shqetësime se ky program mund të jetë mbulesë për zhvillimin e armatimit bërthamor.

Në bisedimet e gjashtë fuqive botërore (për të cilat shpeshherë dëgjohet shkurtesa P5+1) dhe Iranit, po merr pjesë edhe sekretari amerikan i shtetit, John Kerry.

“Gjatë muajve të kaluar, P5+1 ka bërë progres të rëndësishëm kah qëllimi fundamental, megjithëqë mbesin dallime të rëndësishme”, theksoi John Kerry, të shtunën në Lozanë të Zvicrës.

Më tutje, ai synoi t’i hedhë poshtë thashethemet për mospajtime ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Francës lidhur me lehtësimin e sanksioneve ndaj Iranit.

“Dëshiroj të theksoj, prej fillimit dhe e kam thënë në çdo deklaratë publike, P5+1 është dhe mbetet në negociata me Iranin. Dhe, theksoj: ne jemi të bashkuar në qëllimin tonë, në qasjen tonë, në përkushtimin tonë dhe vendosmërinë tonë për tu siguruar se programi iranian është tërësisht paqësor”, shtoi John Kerry.

Ka pasur raporte se Uashingtoni ka propozuar tërheqje shkallë-shkallë të sanksioneve në këmbim për aksione konkrete nga Irani, për ndaljen e programit atomik, derisa Franca ka dëshiruar vetëm “lehtësim simbolik” të sanksioneve, që janë imponuar gjatë dekadës së fundit.

Irani dëshiron që të gjitha sanksionet të tërhiqen menjëherë. Kjo kërkesë iraniane nga negociatorët evropianë është përshkruar si e pamundshme.

Kerry, po ashtu, tha se derisa koha ka ardhur që të merren “vendime fundamentale”, Uashingtoni nuk do të ngutet për arritjen e një marrëveshjeje me të meta me Iranin.

“Edhe njëherë, më lejoni të jem, po ashtu, i qartë: ne nuk dëshirojmë çfarëdo marrëveshjeje. Sikur të donim, ne do të shpallnim diçka shumë më herët. Qartas, prej se është arritur pajtueshmëri për Planin e përbashkët aksional, ne nuk ngutemi”, deklaroi John Kerry.

Ambasadori francez në Uashington, Gerard Araud, më herët në rrjetin Twitter ka shkruar se “duke e bërë fundin e muajit mars një afat absolut, është kundër-produktive dhe e rrezikshme”. Sipas tij, palëve u duhet “shumë kohë për finalizim të marrëveshjes komplekse”.

Komentet e sekretarit Kerry, duket se i zvogëlojnë parashikimet optimiste të presidentit iranian, Hassan Rohani, se marrëveshja finale mund të arrihet.

“Shpresojmë se në fund të bisedimeve ne do të arrijmë marrëveshje dhe ajo do të jetë në interes të të gjitha vendeve, Iranit, rajonit, dhe botës”, tha Rohani, dhe shtoi se “nuk ekziston asgjë që nuk mund të zgjidhet”.

Parashihet që marrëveshja kornizë duhet të arrihet deri më 31 mars, ndërsa ajo finale deri më 30 qershor. (f. bujupi)​

XS
SM
MD
LG