Ndërlidhjet

Përfaqësim minimal i grave në partitë politike


Ilustrim
Ilustrim

Partitë politike, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm për inkuadrimin e gruas në proceset politike në Kosovë, nuk janë duke bërë përfaqësim të duhur të grave, vlerësojnë përfaqësuese të organizatave joqeveritare dhe deputete të Kuvendit të Kosovës.

Në Kosovë, thonë ato, politika vazhdon të udhëhiqet nga burrat dhe gratë shërbejnë vetëm si numër për të plotësuar kuotat.

Arjeta Rexhaj, drejtoreshë e Qendrës për Trajnime dhe Studime Gjinore në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se partitë politike duhet t’i përfaqësojnë gratë në mënyrë të barabartë me burrat, duke i inkuadruar ato edhe në nivele më të larta të partisë.

Sipas saj, gruaja nga partitë politike në Kosovë nuk është parë si e rëndësishme, por vetëm si element shtesë në këto parti.

“Gruaja është pak e përfaqësuar në partitë politike. Nga mosnjohja e vlerës së gruas asnjëherë nuk është nxjerrë fuqia e saj te proceset vendimmarrëse. Gruaja nuk është parë asnjëherë e rëndësishme në zhvillimet e vet platformave të partive i politike në Kosovë”, thekson Rexhaj.

Përfaqësim i barabartë i grave në partitë politike, vlerësohet si parakusht për funksionimin e demokracisë, për ndryshime sociale dhe zhvillim ekonomik.

Edhe gratë të cilat janë pjesë të partive politike në Kosovë thonë se nuk janë shumë të kënaqura me pjesëmarrjen e grave në partitë politike.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Sahatqija, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se përfshirja e grave në partitë politike është e pamjaftueshme.

“Nëse analizohen numrat ka shumë pak gra kryetare të partive politike, fatmirësishtgati në çdo parti ka nga një nënkryetare të partisë, por numri i grave të përfshira në kryesinë e partive apo si kryetare të degëve është më të vërtetë minimal”, thekson Sahatqija.

Shefja e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj Bujupi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se mbetet ende shumë punë për t'u bërë.

Ka të arritura, por që janë procese që zgjasin, thotë ajo.

“Konsideroj se hapësira brenda subjektit politik krijohet më punë, vullnet dhe rezultate si për burrat edhe për gratë,politika është e rendit të vështirë, por për shkak specifikave kjo vështirësohet edhe më shumë kur bëhet fjalë për gratë të cilat aktivisht merren me politikë e në veçanti në partitë politike”, thekson Kadaj - Bujupi.

Ligji për Barazi Gjinore, obligon që 40 për qind e grave të jenë të përfshira në pozita vendimmarrëse, ndërsa 30 për qind e ligjvënësve kosovarë duhet të jenë të gjinisë femërore.

Arjeta Rexhaj, drejtoreshë e Qendrës për Trajnime dhe Studime Gjinore, thotë se prezenca e gruas në partitë politike duhet të jetë e përfaqësuar mbi bazën e vlerave dhe jo në bazën e kuotave apo ligjeve aktuale.

“Të gjitha këto na shtyjnë të mendojmë se ne kemi një shoqëri jo të ngritur dhe ende me mentalitete patriarkale. Aty këtu ku po punohet të bëhet ndonjë lëvizje drejt fuqizimit të grave, bëhet vetëm atëherë kur po janë të obliguar me ligj, por që shumëshpesh ndodh që edhe ato ligje të shkelen, siç është rasti i ligjit për barazi gjinore”, thekson Rexhaj.

Ndryshe në një raport të fundit të bërë nga Instituti Kombëtar Demokratik në Kosovë thuhet se partitë politike nuk janë në gjendje të tërheqin gratë si anëtare të tyre dhe kanë mungesë të programeve për zhvillimin e udhëheqjes politike

Në këtë raport kërkohet rritja e mundësive të partive politike për të përfshirë gratë.

XS
SM
MD
LG