Ndërlidhjet

Obama: SHBA-të do e ngadalësojnë tërheqjen nga Afganistani


Afganistan...
Afganistan...

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka thënë se SHBA-të do ngadalësojnë tërheqjen ushtarake nga Afganistani ndërsa numrin aktual të ushtarëve prej 9,800 trupave do e mbajë në këtë shtet deri në fund të këtij viti.

Obama, pas takimit të mbrëmshëm në Shtëpinë e Bardhë me presidentin afgan, Ashraf Ghani, ka thënë se “Afganistani mbetët një vend shumë i rrezikshëm” duke e arsyetuar vendimin për mos zvogëlimin e trupave amerikane në Afganistan më herët, ashtu siç ishte planifikuar më parë.

Obama ka shtuar se numri i trupave amerikane që do të mbetën deri në fund të vitit të ardhshëm, do të definohet më vonë gjatë këtij viti.

"Në përkrahje të misionit të ngushtë, ne kemi pak më pak se 10 mijë trupa (në Afganistan). Vitin e kaluar unë e kam prezantuar një orar për tërheqjen e mëtutjeshme të forcave tona, derisa e kam bërë të qartë se ne jemi të përkushtuar për të ruajtur arritjet e trupave tanë. Presidenti Ghani ka kërkuar fleksibilitet në orarin e tërheqjes së ushtarëve amerikan".

"Unë jam konsultuar me Gjeneralin e forcave amerikane në Afganistan, John Campbell, ekipin tim të sigurisë kombëtare dhe kam vendosur që të mbajmë 9,800 trupa deri në fund të këtij viti. Trajektorja specifike e tërheqjes në vitin më pas, më 2016, do të definohet më vonë gjatë këtij viti për të mundësuar konsolidimin e ushtarëve deri në nivel të ambasadës tonë në Kabul, diçka qe do të ndodhë deri në fund të vitit 2016", ka thënë presidenti amerikan, Obama.

Ghani ka shprehur dëshirën që SHBA-të të ngadalësojnë tërheqjen e trupave nga Afganistani derisa forcat e sigurisë së këtij vendi që ende janë duke u krijuar, vazhdojnë të luftojnë kundër kryengritësve islamik, kryesisht talibanëve dhe luftëtarëve të Al Kaidës.

Obama ka thënë se Uashingtoni dëshiron të sigurohet që po bëhet gjithçka e mundshme për të “ndihmuar forcat e sigurisë së Afganistanit për të arritur sukses, që të mos kemi nevojë të kthehemi në Afganistan”.

Ai gjithashtu ka thënë se Shtëpia e Bardhë do të punojë së bashku me Kongresin për të financuar rreth 352 mijë pjesëtarë të policisë dhe ushtrisë afgane deri në vitin 2017, ndërsa ka shtuar se forcat amerikane dhe ato të Afganistanit “do të vazhdojnë të kryejnë operacione kundër terrorizmit”.

Ghani duke folur pas Obamës, e ka falënderuar ushtrinë amerikane për shërbimet e kryera në Afganistan, duke thënë se “tragjedia na solli së bashku; interesat tani na bashkojnë”.

"Tërheqja më e ngadalshme e forcave amerikane do t’i lejonte Afganistanit që të shtyjë para reformat dhe të sigurohet që forcat kombëtare të sigurisë në Afganistan udhëhiqen shumë më mirë, janë të pajisura, të trajnura dhe të fokusuara shumë më mirë në misionin e tyre themelor", tha Ghani.

Ka pasur raportime se forcat e sigurisë së Afganistanit kanë përjetuar lëndime dhe dezertime të mëdha, por edhe probleme të tjera prejse forcat luftarake të huaja janë tërhequr nga ky vend në fund të vitit të kaluar.

SHBA-të e kanë udhëhequr okupimin e Afganistanit në vitin 2001, që mundësoi largimin e pushtetit të talibanëve nga ky vend.

Ghani dhe shefi ekzekutiv, Abdullah Abdullahu, kanë shkuar në Uashington për vizitë tre ditore, ku është përfshirë takimi me presidentin Obama dhe Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry.

Ghani i është bashkuar ndërkaq Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Ash Carter dhe zëvendëspresidentit, Joe Biden te Varri i të Panjohurve në Varrezat Kombëtare amerikane të Arlingtonit, ku lideri afgan ka vendosur kurorë me lule.

Përgatiti: Artan Haraqija
XS
SM
MD
LG