Ndërlidhjet

Mogherini: Formimi i Gjykatës Speciale, lëvizje përpara


Gjatë takimit në Prishtinë
Gjatë takimit në Prishtinë

Proceset aktuale në Kosovë, procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kanë qenë temat e bisedimeve në takimin e të enjtës në Prishtinë, ndërmjet përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogerini dhe kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

Zonja Mogerini, pas takimit me kryeministrin Mustafa, në një konferencë për medie, ka theksuar se "llogaritë në atë që Kuvendi i Kosovës do të ketë sukses që të sigurojë dy të tretat e votave shumicë, për formimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte në Kosovë".

Sipas saj, kjo pritet edhe për faktin se vitin e kaluar pala e Kosovës ka dhënë premtimin për një gjë të tillë.

"Kjo do të jetë mënyrë e mirë për lëvizur përpara. Nuk dua të spekuloj lidhur me atë që nëse kjo nuk ndodhë. Më mirë do të punoja për atë që kjo të ndodhë“, ka thënë Mogherini.

Duke folur për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ajo ka theksuar se tashmë pjesë të marrëveshjes së Brukselit duhet të zbatohen dhe se "jo vetëm që dialogu duhet të fillojë edhe për çështjet tjera, por duhet fokusuar edhe në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash.“

"Mendoj pozitivisht se shumëçka mund të arrihet. Gjithashtu, disa pjesë tashmë janë zbatuar. Fillimi i djeshëm i zbatimit të marrëveshjes për gjyqësinë është një hap mjaft pozitiv“, ka theksuar Mogherini.

Ajo ka shtuar se ky vit do të jetë i rëndësishëm për Kosovën dhe Bashkimin Evropian, për faktin se në verën e këtij viti pritet nënshkrimi i marrëveshjes për stabilizim dhe asocim.

"Ky nuk është vetëm një akt burokratik, por do t’i hap dyert për bashkëpunim të mëtutjeshëm, për përmirësimin e mundësive tregtare dhe dialogut politik. Ky është një hap i rëndësishëm në drejtim pozitiv“, ka theksuar Mogherini.

Ajo gjithashtu ka thënë se lidhur me procesin e liberalizimit të vizave po pritet raporti vlerësues i Komisionit Evropian, duke shtuar se është e nevojshme baza teknike për këtë proces, por gjithashtu ka thekuar se është e rëndësishme që ky proces të përfundohet.

"Porosia ime kryesore është që të jeni të sigurtë se të gjithë ne jemi këtu që të shkojmë përpara në drejtim të duhur dhe me rezultate konkrete“, tha Mogherini.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka theksuar se ia ka përcjellë asaj dëshirën e Kosovës që të ketë qasje më të madhe në Bashkimin Evropian ashtu sikurse edhe Bashkimi Evropian të ketë qasje më të madhe në Kosovë, në fushat e ekonomisë, financave dhe proceseve politike.

“Kosova është një vend, i cili ka pësuar mjaft shumë nga lufta, bartë pasojat e luftës edhe shkatërrimet ekonomike, edhe të pagjeturit, edhe të pakthyerit. Mirëpo, edhe përkundër kësaj, ne kemi treguar vullnet që përmes dialogut dhe ndërtimit të besimit, t’i zgjidhim problemet me fqinjët e sidomos me Serbinë, si dhe po ashtu, të kemi një komunikim të hapur me komunitetet në Kosovë”, ka theksuar Mustafa.

Kryeministri Mustafa, ka konfirmuar se të mërkurën në mbrëmje ka biseduar me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq.

“Unë mbrëmë kam biseduar edhe me kryeministrin e Serbisë, zotin Vuçiq. Kemi biseduar lidhur me bashkëpunimin e ardhshëm të Kosovës dhe Serbisë dhe të dyja palët kemi treguar vullnet që çështjet e veçanta apo të paparashikuara t’i zgjidhim përmes bisedave dhe përmes kontakteve të drejtë për drejta”.

Ndërkaq, zonja Mogherini ka vlerësuar se vet fakti që ekziston kontakti i drejtpërdrejtë ndërmjet dy kryeministrave, të Kosovës dhe Serbisë, është një rezultat pozitiv i dialogut.

Kryeministri Mustafa, gjithashtu ka potencuar edhe marrëveshjen për gjyqësinë, e cila, siç ka thënë ai, që nga dita e mërkurë ka nisur të zbatohet, me faktin se është hapur konkursi për prokurorët serbë, por në bazë të ligjeve të Kosovës.

Kryeminstri i Kosovës, gjithashtu ka shfaqur gatishmërinë që Kosova të ballafaqohet me kërkesën për formimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, duke theksuar se Kosova nuk ka frikë që të ballafqohet me të kaluarën dhe se ky gjyq nuk do ta gjykojë luftën e drejtë, por kriminet e mundshme të individëve.

Ai gjithashtu ka vënë në pah pritjet që së shpejti do të nënshkruhet marrëveshja e stabilizim asocimit , si dhe shkuarjen drejt fundit të procesit të liberalizimit të vizave.

Ndryshe, Mogherini është takuar edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të institucioneve të Kosovës, me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në këto institucione, si dhe me liderët e partive opozitare.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, pas takimit me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, përmes një komunikate për medie ka theksuar se me zonjën Mogherini, kanë diskutuar “për zhvillimet politike në vend dhe rajon dhe agjendën evropiane të Kosovës”

Në komunikatë, thuhet se presidentja Jahjaga “inkurajoi Përfaqësuesen e Lartë Mogherini që BE-ja të vazhdojë të ndërtojë politikë konsensuale në raport me Kosovën, që ajo të gëzojë të njëjtin trajtim me të gjitha shtetet tjera të rajonit”.

Gjithashtu, presidentja Jahjaga ka shprehur "përkushtimin e Republikës së Kosovës për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Republikën e Serbisë”, si dhe “e njoftoi zonjën Mogherini me përpjekjet e institucioneve të Kosovës për përmbushjen e marrëveshjes ndërkombëtare për themelimin e Gjykatës Speciale, e cila do të trajtojë akuzat e ngritura në raportin e Këshillit të Evropës”.

Vizita e Mogherinit në Kosovë, është e para në cilësinë e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

Mogherini, e cila ka pasuar zonjën Catherine Ashton, në postin e përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, që nga fillimi i mandatit të saj e deri më tash, ndërmjetësoi, me 10 shkurt të këtij viti, një marrëveshje për drejtësinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siç thuhet “mundëson funksionimin e sistemit të drejtësisë së Kosovës” edhe në komunat veriore të saj, të banuara me shumicë serbe.

Mogherini, të premten, do ta vizitojë edhe Beogradin.

XS
SM
MD
LG