Ndërlidhjet

Kosova për të huajt, transit drejt vendeve të BE-së


Gjatë bastisjes së një shtëpie në jug të Mitrovicës, për gjetjen e armëve dhe municionit, Policia e Kosovës ka arrestuar pronarin e shtëpisë, ndërkaq ka shoqëruar në stacionin e policisë nëntë persona të tjerë, të cilët kanë banuar në atë shtëpi.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës, gjatë bastisjes së shtëpisë kanë gjetur armë dhe municion, por, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se përveç pronarit të shtëpisë, nëntë personat tjerë të shoqëruar nga policia, janë shtetas të huaj dhe nuk ndërlidhen me armëmbajtjen pa leje.

“Gjatë bastisjes, policia ka hasur në nëntë persona kryesisht shtetas të huaj. Këta persona nuk kanë të bëjnë me veprën armëmbajtje pa leje. Konsiderohen si shtetas të huaj për qëndrim ilegal në territorin e Republikës së Kosovës. Ata janë shoqëruar në stacionin policor dhe tash po merret njësia për emigracion me ta”, ka thënë Zahiti.

Ai ka shtuar se personat e shoqëruar në polici, janë të gjinisë mashkullore dhe femërore dhe të njëjtit flasin gjuhën arabe. Sipas Zahitit, policia ende nuk e ka verifikuar saktësisht identitetin e tyre dhe gjithashtu, ka hedhur poshtë dyshimet se të njëjtit kanë të bëjnë me vepra terroriste.

Por, cilat janë veprimet ligjore që ndjekin organet e rendit në rastin e kapjes së shtetasve të huaj me qëndrim jolegal në Kosovë?

Valon Krasniqi, drejtor i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, shpjegon procedurat e kërkesës së azilit nga të huajt në Kosovë.

Sipas tij, në momentin kur të huajt duan të kërkojnë azil në Kosovë, kërkesën për një gjë të tillë duhet ta bëjnë në ndonjë pikë kufitare, në stacione policore ose në Departamentin për Shtetësi, Azil dhe Migracion.

Më pas, sipas Ligjit për të huajt, personat e tillë i nënshtrohen procedurave të azilit. Por, lidhur me rastin konkret, sikurse që ishte në Mitrovicën e jugut, ku nga policia u shoqëruan 9 shtetas të huaj me qëndrim jolegal në Kosovë, Krasniqi, thotë se procedurat janë tjera.

“Mund të jenë qytetarë të huaj që kanë hyrë dhe kanë qëndruar në territorin e Kosovës ilegalisht, do të thotë, nuk janë lajmëruar te autoritetet tona dhe të kërkojnë azil. Kur kapen kështu, ata deportohen. Do të thotë, ata konsiderohen se kanë qëndruar ilegalisht dhe në bazë të ligjit për të huajt, ata deportohen për në vendet e origjinës”.

Ndryshe, gjatë vitit 2014, sipas Krasniqit, në Kosovë kanë kërkuar azil 105 persona, shumica prej të cilëve nga Siria.

Ai thotë se azilkërkuesit deri në përfundimin e procedurave ligjore, strehohen në Qendrën për azilkërkues në Magurë. Por, sipas tij, praktika e deritashme ka treguar se azilkërkuesit, nuk presin përgjigjen lidhur me kërkesën e tyre, për shkak se e braktisin Kosovën dhe ikin në drejtim të vendeve të Evropës perëndimore.

“Ata, duke e pasur parasysh që e gëzojnë lirinë e lëvizjes prej orës 8 në mëngjes deri në 22 në mbrëmje, ndodhë që pas disa javësh e lëshojnë Qendrën e azilit pa paralajmërim. Ata e përdorin Kosovën më tepër si transit për të shkuar në një vend të bashkimit evropian”.

Në anën tjetër, Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, thotë se në disa raste, përfaqësuesit e këshillit, kanë vizituar Qendrën e azilkërkuesve dhe kanë vlerësuar se kushtet e strehimit janë të ngjashme me kushtet e strehimit në vendet e Evropës perëndimore.

“Trajtimi është në përputhje me standardet ndërkombëtare. Në qendër, kushtet fizike janë shumë të mira, aty ku janë të vendosur. Ata rrinë aty përderisa nuk e marrin një përgjigje nëse ju lejohet apo ju refuzohet leja e strehimit. Por, shumica e tyre, gjatë kohës sa rrinë në qendrën në Magurë, për të strehuarit e përkohshëm, ata i kapin lidhjet me familjarët që i kanë nëpër shtetet evropiane dhe vazhdojnë më tutje”, ka shtuar Shala.

Ndryshe, gjatë vitit të kaluar, asnjë nga azilkërkuesit në Kosovë nuk ka fituar statusin e refugjatit apo azilit.

Sipas zyrtarëve të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, në tre muajt e parë të vitit 2015, kërkesën për azil në Kosovë e kanë parashtruar 10 shtetas të huaj, 9 nga Siria dhe 1 nga Algjeria.

XS
SM
MD
LG