Ndërlidhjet

Kërkimet për varrezë masive në Novi Pazar do të përsëriten


Prokuroria për krime lufte e Serbisë, dje ka bërë hulumtimin e një varreze të mundshme në rrethinën e Novi Pazarit, në fshatin Kozarevë, në afërsi të lumit me të njëjtin emër.

Gërmimet vlerësuese kanë nisur në bazë të disa hetimeve, të cilat i kanë bërë zyrtarët e kësaj prokurorie.

Por, zyrtarët e Komisionit qeveritar për personat e pagjetur në Kosovë, të cilët kanë qenë të ftuar nga autoritetet serbe që të vëzhgojnë gërmimet, kanë theksuar se punimet janë ndërprerë, për shkak se kanë rezultuar të pasuksesshme dhe vend-gërmimi nuk përputhej me informacionet që kishte pala e Kosovës lidhur me varrezën eventuale masive, ku dyshohet të jenë varrosur civilët shqiptarë, të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Prenk Gjetaj, drejtues i Komisionit qeveritar për personat e pagjetur të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka shpjeguar se ditën e enjte, gërmimet ishin bërë në anën e djathtë të lumit Kozarevë, ndërkohë që vendi i cili dyshohet se mund të jetë varrezë masive, sipas informacionit të palës së Kosovës, gjendet në anën e majtë të lumit Kozarevë.

“Aty ku u punua, nuk ka pasur gjetje. Mirëpo, thënë të drejtën, ne nuk ishim të interesuar për anën e djathtë. Megjithatë, ne, normalisht, nuk i penguam dhe gatishmërinë e tyre për të gërmuar apo vlerësuar e përshëndetëm. Mirëpo, kërkuam që gjithsesi të bëhet vlerësimi në pjesën ku ne dyshojmë”, tha Gjetaj.

Gjetaj shtoi se tashmë ky proces i gërmimeve vlerësuese ka nisur në Kozarevë të Novi Pazarit, dhe ai do të duhej të vazhdojë edhe më tutje.

“Jemi dakorduar që ne të mbledhim informacione shtesë dhe t’ia bëjmë kërkesën palës serbe, sepse ftesa e djeshme ka qenë më kërkesën e palës serbe. Tani, ne e bëjmë kërkesën tonë, sipas informatave që ne i kemi dhe më pas do të kërkohet leja nga pronari, sepse ana e majtë (e lumit), aty ku ne dyshojmë, është pronë private".

"Sipas palës serbe, duhet bërë njoftimi dhe të merret leja nga pronari, e më pas të dakordohemi për datën e rifillimit të gërmimeve vlerësuese”.

Por, përfaqësuesit e familjarëve të personave të zhdukur gjatë luftës, kanë reaguar pas fillimit të gërmimeve vlerësuese në Kozararevë të Novi Pazarit.

Bajram Çerkini, drejtues i Këshillit Koordinues të Asociacionit të familjarëve të personave të pagjetur në Kosovë, ka shprehur mendimin se autoritetet serbe e dinë saktë vendndodhjen e varrezës masive, por gjithashtu, ai ka shfaqur dyshimin se pala serbe qëllimisht do ta zvarrisë procesin e gërmimeve.

“Sikur në Rashkë apo Rudnicë, që është dashur 10 vjet t’i lusim dhe në fund, tu tregojmë edhe me skicë, e në fund edhe tu japim para, që t’i bëjnë gërmimet aty ku edhe kanë qenë trupat".

"Ngjashëm po luhet loja edhe tash, në Novi Pazar. Ata (pala serbe) shkojnë një herë dhe thonë se nuk ka. Pastaj shkojnë për herë të dytë dhe përsëri thonë se nuk ka. Shkojnë edhe për herë të tretë, katërt apo pestë dhe në fund thonë se ka varrezë masive) por duhen kaq para”, theksoi Çerkini.

Ai ka shtuar se me gjithë kërkesat e autoriteteve të Kosovës, por edhe familjarëve të personave të pagjetur që faktori ndërkombëtar të bëj presion mbi autoritetet e Serbisë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, kjo nuk ka ndodhur mjaftueshëm.

Ndryshe, aktualisht në Kosovë po shënohet java e personave të pagjetur, e cila është shpallur nga kryekuvendari i Kosovës, Kadri Veseli.

Gjatë kësaj jave, përfaqësues të institucioneve dhe familjarët e personave të pagjetur, nëpër qendra të ndryshme të vendit, janë duke bërë homazhe për të respektuar personat e zhdukur dhe të pagjetur, të luftës së fundit në Kosovë.

Aktualisht, ne Kosovë, të pagjetur konsiderohen edhe 1,653 persona.

XS
SM
MD
LG