Ndërlidhjet

Kundërthënie armeno–turke në klubin rus


Armiqësia e gjatë ndërmjet armenëve dhe turqëve po reflektohet edhe në një ambient të papritur: në klubin e futbollit Spartak në Rusi.

Pronari i këtij klubi, që bën gara në Ligën e Parë të Rusisë, miliarderi Leonid Fedun, raportohet se synon transferin e dy lojtarëve të seleksionit kombëtar të Armenisë, të cilët nuk pajtohen me trajnerin e Spartakut, Murat Yakin, që ka origjinë turke.

Kjo situatë po ndodhë në periudhën e rritjes së tensioneve ndërmjet Armenisë dhe Turqisë lidhur me ceremonitë, me të cilat është shënuar 100 vjetori i vrasjes së afro 1.5 milionë armenëve në Turqinë Otomane, që Armenia dhe më se 20 shtete të tjera e vlerësojnë si gjenocid.

E përditshmja ruse, Izvestia, ka raportuar më 1 maj se pronari i Spartakut, Leonid Fedun, i ka urdhëruar menaxherët e ekipit ta inicojnë transferin në ndonjë klub tjetër të futbollistëve, Aras Ozbilis dhe Yura Movsisyan, që janë me origjinë nga Armenia.

Ky mospajtim është bërë i njohur javën e kaluar, kur drejtori i Spartakut, Roman Askhabadze, u tha reporterëve se alos së djathtë, Aras Ozbilis, 25 vjeçar, nuk do t’i jepet shpërblim shtesë, për shkak të dyshimit se e ka akuzuar trajnerin Yakin, se ka bërë vendim personal në baza raciale.

Gazeta ruse, Sport-Ekspres, e ka publikuar një intervistë në të cilën Ozbilis ka sugjeruar se trajneri Yakin, turk i Zvicrës, kishte refuzuar që ta kthejë atë në ekipin e parë, pas një lëndimi të vitit të kaluar, pasi ai është armen.

Mëtutje, gazeta ka raportuar se Ozbilis tha se ai ishte informuar për vendimin e Yakinit më 24 prill, në ditën kur në Armeni janë mbajtur ceremoni solemne për përkujtimin e 100 vjetorit të vrasjeve nga periudha e Luftës së Parë Botërore, për të cilat Turqia thotë se nuk paraqesin gjenocid.

Më 29 prill, Ozbilis i tha portalit sportiv, championat.com, se "pjesë të intervistës së tij ishin shtrembëruar dhe se ai kurrë nuk do të sugjeronte një motiv etnik, meqë ai kishte lindur në Stamboll të Turqisë, e flet shumë mirë turqishten, dhe në Turqi ka shumë shokë dhe të afërt".

Futbollisti tjetër me origjinë armene, Movsisyan, 27 vjeçar, raportohet se ka thënë së fundi se klubi Spartak kishte më tepër suksese nën trajenrin e mëparshëm, se sa me Yakinin, i cili ka shtetësi zvicerano-turke, dhe trajner i Spartakut ishte bërë në qershor të vitit të kaluar.

Movsisyan, që është i lindur në Azerbajxhan dhe ka shtetësi armene dhe amerikane, i ka dhënë dy gola në duelet e Ligës së Parë këtë sezon, që është shumë më pak se që kishte dhënë gjatë dy viteve të kaluara.

Agjenti sportiv i të dy futbollistëve, Valery Ohanesian, i ka thënë gazetës ruse, Sovetsky Sport, se Ozbilis dhe Movsisyan, tash janë “të fokusuar në lojëra për klub” dhe se ai nuk ka dëgjuar për planet për transfer.

Ai ka theksuar se këta dy futbollistë “tash nuk janë në formën më të mirë psikike, por më parë ka ndodhur që situata ishte edhe më e keqe”.

Sipas zotit Ohanesian, “për të ardhmen do të vendoset pasi të përfundojë kampionati në Rusi”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG