Ndërlidhjet

Afganistani, cak i ri i luftëtarëve të huaj


Kunduz - Banorët e Afganistanit verilindor janë të mësuar me nisjen e ofenzivave të talebaneve gjatë pranverës, por këtë vit ka diçka që është e huaj.

“Ata nuk flasin me askë. Mbajnë maska të zeza dhe syza dielli. Askush nuk e di prej nga vijnë. Ata lëvizin lirshëm. Ne duam që qeveria të përballet me ta dhe të sigurojnë fshatrat tonë. Shuimica e rretheve janë të pasigurta. Të gjithë po luftojnë kundër qeverisë”, thotë banori i kësaj krahine, Shah Gul Khan.

Khan e përshkruan kështu ngjarjen në krahinën e Kunduzit, ku banorët vendës thonë se disa rrethe kanë rënë në duar të militantëve.

Zyrtarët afganë thonë se shumë militantë të huaj janë vrarë në luftimet e fundit në Kunduz dhe Badkshan, krahinë verilindore përgjatë kufirit me Pakistanit.

Shumë militantë të huaj besohet se janë larguar nga ofenziva ushtarake disa mujore e Pakistanit dhe janë vendosur në Afganistan, pas tërheqjes së forcave të NATO-s.

Në veri, disa luftetarë të huaj i janë bashkuar talebanëve dhe grupeve të tjera militante. Ato përfshijnë Lëvizjen Islamike të Uzbekistanit (IMU). Disa luftetarë të kësaj të fundit janë zotuar për besnikëri ndaj Shtetit Islamik.

Një grup tjetër që po ka luftëtarë të huaj është edhe grupi Khorasan, që pretendon se është pjesë e Shtetit Islamik në Afganistan.

Luftetarë të tjerë, ndërkohë, janë mbledhur në grupe të vogla dhe të tjerët u janë bashkuar grupeve bandite dhe rrjeteve të drogës që qarkullojnë pa probleme në këtë rajon të Afganistanit.

“Në rajonet tona, ka shumë talebanë dhe luftetarë të huaj. Shumë uzbekë dhe taxhikë janë mbledhur këtu. Ne po vuajmë shumë nën kontrollin e këtyre luftetarëve të huaj” thotë Zahir Khan, një tjetër banor i Kunduzit, ku mbi 15 mijë njerëz janë zhvendosur prej nisjes së luftimeve.

Khan thotë se luftetarët e huaj janë një përzierje e çeçenëve, pakistanezëve, ujgurëve, arabëve dhe nënshtetasve të Uzbekistanit dhe Taxhikistanit.

Khudai Qul ndërkaq nuk e di prej nga vijnë ata saktësisht, por ai e njeh se dikush është i huaj, e dëgjon duke folur.

“Ne nuk i kuptojmë gjuhët e tyre, prandaj nuk e dijmë se prej nga vijnë. Ata na ngacmonin dhe na rrihnin neve. Na urdhëronin që t’ju japim informacione rreth ushtarëve qeveritar”, thotë ky banor i qarkut të Kunduzit, Gor Tapa ku militantët janë duke luftuar kundër forcave qeveritare.

Ai, dhe familja e tij janë zhvendosur drejt kryeqytetit të krahinës që gjithashtu quhet Kunduz.

Taktikat e llojit të IS-it

Prania e luftetarëve të huaj ka rastisur me raportimet për rritjen e përdorimit të taktiktave barbare që janë të njëjta me ato të militantëve të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak.

Muajin e kaluar, qindra militantë të talebanëve morën nën kontroll pika kontrolli të ushtrisë afgane në krahinën e Badakhshanit, ku vranë 18 ushtarë.

Tetë prej ushtarëve u vranë me prerje koke, hera e parë që diçka e tillë bëhet prej talebaneve në këtë rajon.

Ndërkohë, IMU muajin e kaluar e ka publikuar një video ku thuhet se tregon militantët duke ia hequr kokën një ushtari afgan.

Sipas këtij grupi, ushtari ishte pjesë e 31 personave që janë kidnapuar nga persona të panjohur dhe të armatosur në zonën jugore të vendit.

Shtrirja e forcave afgane

Qeveria ka dërguar mijëra forca shtesë për të ndihmuar ushtrinë afgane, policinë dhe milicitë qeveritare në Kunduz. Mirëpo, militantët kanë marrë nën kontrollë pjesë të disa rretheve dhe tash i janë ofruar edhe aeroportit të Kunduzit.

Stephen Smithman, zëdhënës i misionit përkrahës të NATO-s në Afganistan, i ka thënë Radios Evropa e Lirë më 4 maj se forcat afgane janë në gjendje të ndalojnë sulmet në Kunduz.

"Forcat afgane të sigurisë përkrahen edhe nga ajri, nga pjesëtarë të forcave ajrore të vendit si dhe nga granatahedhës. Ata përkrahen edhe nga helikopterët”, thotë Smithman i cili beson se forcat afgane do të largojnë militantët nga Kunduzi “brenda dy javësh”.

“Prandaj, unë do të thoja se nuk është me rëndësi se sa mirë janë të trajnuar të këqinjtë, forcat afgane do të kenë sukses atje”, thotë Smithman.

Përgatiti: Artan Haraçia
XS
SM
MD
LG