Ndërlidhjet

Korrupsioni zbeh shpresat për liberalizim të vizave


Ilustrim
Ilustrim

Çështja e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është e ndërlidhur drejtë për se drejti me çështjen e liberalizimit të vizave dhe ato nuk mund të shihen si procese të ndara, vlerësojnë njohësit e integrimeve evropiane.

Sipas tyre, kriteri numër tre për Kosovën, për procesin e liberalizimit të vizave, ka të bëj me sundimin e rendit dhe ligjit në vend.

Avni Mazreku, profesor i të Drejtës Evropiane, duke folur për Radion Evropa e Lirë thotë se në kuadër të plotësimit të këtij kriteri, që nënkupton luftën kundër korrupsionit, detyrë e Kosovës ka qenë krijimi i mekanizmave institucional që luftojnë korrupsionin.

Mungesa e vullnetit politik, sipas tij, ka manifestuar edhe mungesën e efektivitetit të mekanizmave institucional në këtë luftë.

“Nuk është që s’kemi krijuar mekanizma. Ne në fakt i kemi dyfishuar mekanizmat e caktuar në luftë kundër korrupsionit, mirëpo efektiviteti i kësaj lufte nuk shihet. Do të thotë, është jo i matshëm".

"Ndërkaq, shteti matet në raport me efikasitetin. Të gjitha raportet dhe indikacionet tregojnë se këta mekanizma nuk kanë pasur efektivitet në luftën kundër korrupsionit. Prandaj, ky është ai konteksti i vlerësimit të shtetit në këtë situatë”, tha Mazreku.

Mendim të ngjashëm ka edhe Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se edhe raporti i Komisionit Evropian, në korrikun e vitit të kaluar, ka treguar se institucionet e Kosovës nuk kanë ndjekur kursin e reformave të strukturave që do ta përmirësonin luftën kundër korrupsionit.

“Në kuptimin e procesit të liberalizimit, konkretisht, natyrisht që blloku i tretë, ku një pjesë shumë e madhe e përfshinë edhe luftën kundër korrupsionit, përbën një pikë ku reformat ende nuk janë kompletuar në tërësi. Qeveria e jonë, por edhe institucionet e drejtësisë, nuk e kanë dhënë një minimum të nevojshëm, me të cilin do të dëshmonin se janë serioz në luftë kundër ndaj korrupsionit”.

Sipas Korenicës, kjo paraqet një pikë të zezë për Qeverinë e Kosovës në perspektivën e integrimeve evropiane. Theksi kryesor, siç thotë ai, në relacionin e Kosovës me Bashkimin Evropian, është te lufta kundër korrupsionit serioz dhe që ka prapavijë politike.

“Në këtë dimension, Kosova, pothuajse ka një performansë zero. Deri më sot ne nuk kemi asnjë rast serioz, në të cilin institucionet e vendit e kanë adresuar luftën ndaj korrupsionit në mënyrë të bindshme dhe ku ka evidencë, me të cilën ne mund të dëshmojmë përballë Komisionit Evropian që institucionet tona, por edhe klasa politike janë seriozisht të interesuara për ta luftuar këtë dukuri”, ka shtuar Korenica.

Ndryshe, profesor Mazreku, vlerëson se Kosova do ta ketë shumë të vështirë marrjen e liberalizimit të vizave në raport me vendet që e tashmë e kanë kaluar këtë proces, e madje edhe që janë anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Ai përmend edhe rastin e Rumanisë dhe Bullgarisë, ku sipas tij, ka pasur nivel të lartë të korrupsionit, por Bashkimi Evropian kishte përcaktuar më parë datat e përmbylljes së procesit.

Kjo përvojë e Bashkimit Evropian, sipas tij, i rëndon edhe më tej kriteret në raport me proceset e integrimeve evropiane të Kosovës, përfshirë edhe liberalizimin e vizave.

“Ne duhet të jemi të qartë dhe ta pranojmë botërisht se kriteret për Kosovën, janë kritere më të prera dhe janë kritere më të rënda se sa për vendet tjera. Kjo vjen për shemë arsye, për shkak të gabimeve që ka bërë Bashkimi Evropian ose që së paku, i konsideron si gabime, në rastin e vendeve të tjera, por edhe me atë mungesën e entuziazmit brenda vet Bashkimit Evropian për një zgjerim të mëtutjeshëm”.

Profesor Mazreku ka shtuar se nuk duhet pritur që Kosova ta zbresë korrupsionin në shkallën zero, për të përfituar liberalizimin e vizave.

Por, sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të bindet që mekanizmat e krijuar kanë efektivitet në luftën kundër korrupsionit, gjë që deri më tash, sipas të gjitha indikacioneve, nuk kanë pasur.

XS
SM
MD
LG