Ndërlidhjet

Shteti Islamik arsyeton brutalitetin


Kur militantët e Shtetit Islamik (IS) e vranë një njeri duke e hedhur nga një “vend i lartë”, për shkak se ishte homoseksual, bota reagoi ashtu siç parashihej, duke qenë e shokuar dhe e tmerruar.

Por, për grupin ekstremist të Shtetit Islamik e gjithë kjo është pjesë e planit.

Derisa, tashmë ekzekutimet me heqje koke, vrasja me gurë, torturimi dhe djegia, janë bërë pothuajse të zakonshme për militantët e Shtetit Islamik, vrasja e njeriut në Mosul të Irakut duket mizore, e pazakonshme, iracionale dhe arbitrare.

Ndëshkimet – rëndësi madhore për IS-in

Për grupin ekstremist të Shtetit Islamik, ndëshkimet kanë rëndësi madhore për krijimin e rregullit të ri.

Grupi i arsyeton edhe ndëshikimet më ekstreme të tij, duke pretenduar se ato janë të mandatuara nga e Drejta e Sheriatit dhe nuk përcaktohen në mënyrë arbitrare, por në kuadër të sistemit të krijuar të gjykatave dhe gjyqtarëve të Sheriatit nga ana e grupit ekstremist.

Shteti Islamik thotë se e ka hedhur njeriun në Mosul nga një “vend i lartë”, pasi ai kishte kryer krim të pafalshëm duke përdorë eufemizëm për veprimin homoseksual.

Sipas Ligjit islamik, siç e komenton grupi ekstremist, "ky është krim që bënë pjesë në grupin e keqbërjeve që konsiderohen se janë kundër Zotit, e ku përfshihen edhe plaçkitja në rrugë, përdorimi i alkoolit, marrëdhëniet e paligjshme seksuale dhe vjedhjet".

IS-i ka dhënë arsyetime të ngjashme edhe për vrasjet e tjera.

Për pirje të duhanit – iu pre koka

Grupi militant raportohet se e ka arsyetuar vrasjen me prerje koke të një njeriu në pjesën lindore të Sirisë, në bazë të asaj se viktima e pinte duhanin, një praktikë që IS-i e konsideron “haram”, pasi e Drejta e Sheriatit shpjegon se pirja e duhanit është formë e vetëvrasjes së ngadalshme.

Vrasja me hedhje të gurëve e një gruaje të re në provincën Hama në Siri, në muajin tetor, është arsyetuar se ajo kishte bërë tradhti bashkëshortore.

Jo vetëm që IS-i i kryen ndëshkimet e tilla, por, ky grup bën përpjekje të qëllimshme për t’ia treguar ato gjithë botës, nëpërmjet rrjetit të propagandës së gjërë të videove të prodhuara në mënyrë profesionale, fotografive, buletineve të lajmeve, e të tjera.

Por, shtrohet pyetja se përse IS-i ka shkuar kaq larg jo vetëm në paraqitjen e brutalitetit të tij, por edhe për ta shpjeguar atë që thotë se është sistem i ndëshkimit që ka rrënjë islamike?

Dr. Joas Wagemakers, nga Instituti për Studime Islamike në Universitetin Radboud në Holandë, thotë se arsyeja qëndron në misionin e IS-it për të krijuar “kalifatin”, një sistem islamik të qeverisjes, që udhëhiqet nga “kalifi”, një shprehje që e paraqet atë si pasardhës legjitim të Profetit Muhamed.

Në qershor të vitit 2014, IS-i ka shpallur se e ka “ripërtrirë kalifatin” dhe se lideri i grupit, Abu Bakr al-Baghdadi, ishte “kalif” i të gjithë myslimanëve.

Ndëshkimet– shenjë e ideologjisë ekstreme

“Ndëshkimet e IS-it janë një pjesë e rëndësishme e misionit të tij për krijimin e kalifatit”, thotë Wagemakers, dhe shton se grupet islamike shpeshherë e shohin zbatimin e ndëshkimeve “si shenjë shumë të rëndësishme nëse një shtet mund të quhet islamik ose jo”.

Për grupin e Shtetit Islamik, i cili dëshiron që bota ta konsiderojë atë jo vetëm si islamik, por si përfaqësues i një forme specifike të islamit të hershëm, dhe se ndëshkimet që i zgjedh shërbejnë si shenjë e rëndësishme e ideologjisë ekstremiste të grupit.

Në këtë kuadër, eksperti holandez, Joas Wagemakers, thotë se për IS-in, ndëshkimet specifike, veçanërisht nxitja për vetëvrasje dhe vrasja me heqje koke, që paraqesin precedente doktrinale dhe praktike në islamin e hershëm, janë “pjesë e pastër e islamit të hershëm”.

Charlie Winter është studiues në Institutin për kundërekstremizëm Quilliam, me seli në Britani. Lidhur me ndëshkimet e IS-it, ai shprehet se “aq kohë sa ekziston pretekst, pavarësisht se sa obskurantist është, IS-i mund të pretendoj se po e implementon atë që konsideron se është islamizëm i vërtetë”, i tha Winter, Radios Evropa e Lirë.

Ai mendon se sistemi i IS-it për ndëshkime brutale, përfundimisht i shërben makinës propaganduese të grupit.

Ndëshkimet – kërcënim për t’iu nënshtruar IS-it

“Vrasjet me heqje koke, ekzekutimet, nxitja për vetëvrasje dhe vrasja me gurë, e maksimalizojnë aftësinë e tij për të shkaktuar tmerr global”, thotë Winter, dhe shton se këto ndëshkime paraqesin opsion të zymtë për ata që jetojnë në territoret e dominuara nga militantët e Shtetit Islamik: “t’i nënshtrohen kodit të IS-it ose ballafaqohen me ndëshkimet e tyre ekstreme”.

Derisa ndëshkimet e IS-it janë brutale, disa, sikur djegia e pilotit jordanez, Al-Kasaesbeh, dhe vrasje me prerje koke simultane e 18 ushtarëve sirianë para fëmijëve, jo vetëm që përmbajnë dhunë të niveleve shumë të larta, por duket se ishin të parapara në mënyrë të veçantë dhe bile edhe me koreografi të tillë.

Klerikë të lartë myslimanë nga e gjithë bota e kanë dënuar ndezjen e gjallë të njeriut duke e vlerësuar të neveritshme, dhe duke thënë se djegia është e ndaluar nga islami në të gjitha rrethanat.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG