Ndërlidhjet

Thirrje nga Teherani për kryengritje në Arabinë Saudite


Ayatollah Movahhedi Kermani
Ayatollah Movahhedi Kermani

Ajatollahu që udhëheq lutjet e së premtes në Teheran, së fundi ka shprehur habinë e tij pse sauditët nuk ngrihen kundër regjimit të tyre.

“Ju e lexoni Kuranin me orë të tëra, sa nga mesazhet e tij arrini t’i kuptoni? Pse nuk e shprehni urrejtjen tuaj drejt qeverisë shtypëse? Pse rrini të heshtur?”, është cituar të ketë thënë Movahed Kermani, nga agjencitë e lajmeve të Iranit.

Kleriku shiit i vijës ekstreme e ka akuzuar qeverinë sunite saudite, që ai ka thënë e konsideron veten “boshti kryesor i botës islamike”, se po kryen krime gjatë sulmeve ajrore në Jemen.

Tensionet janë thelluar dhe ka një eskalim të retorikës ndërmjet rivalëve rajonal rreth fushatës ajrore saudite kundër rebelëve shiit, Huthi në Jemen.

Arabia Saudite e akuzon Iranin se po armatos Huthit, ndërsa Teherani hedh poshtë akuzat duke thënë se ata vetëm po ofrojnë përkrahje politike dhe humanitare.

Zyrtarët iranianë i kanë dënuar sulmet ajrore dhe i kanë akuzuar sauditët se po vrasin njerëz të pafajshëm, përfshirë edhe fëmijë.

Lideri suprem iranian, Ali Khamenei, e ka përshkruar fushatën ajrore sunite si “gjenocid”, derisa komandanti i Gardës Revolucionare islamike (IRGC), Mohammad Ali Xhafari, ka thënë se sauditët po shkojnë hapave të Izraelit duke kryer sulme ajrore në Jemen.

Në fillim të kësaj jave, një ligjvënës iranian, Aleaddin Borujerdi, ka thënë se mbreti saudit, Salam është tradhtar i Islamit.

Mohavedi Kermani, ndërkaq, ka thënë se në disa pjesë të Arabisë Saudite ka “vajtime dhe kundërshtime kundër regjimit shtypës”, ndërsa ka shtuar se kjo megjithatë nuk mjafton.

Nëse i tërë gadishulli Arabik do të ngrihej dhe të thërriste slogane kundër këtyre shtypësve, atëherë fati i tyre do t’i përngjante fatit të Iranit Islamik (që erdhi në pushtet pas revolucionit të vitit 1979), gjatë të cilit shtypësit u asgjësuan dhe kështu iu dha fund të gjitha veprimeve të tyre kriminale”, ka thënë ai.

Lideri i lutjeve të së premtes në Teheran, gjithashtu, ka thënë se dy vendet më të shenjta të Islamit, Mekka dhe Medina, duhet të lirohen nga “shtypësit”.

Gjatë ditëve të fundit, disa protesta të nxitura nga shteti, janë mbajtur në qytete të ndryshme në Iran kundër bombardimeve në Jemen.

Ndërkaq, javëve të fundit, mediat iraniane kanë raportuar se besimtarët kanë thirrur slogane kundër familjes Saud që e udhëheqë Arabinë Saudite, si “vdekje Al Saudit”, pas lutjeve të së premtes në disa qytete, përfshirë Teheranin dhe Qomin. (a.haraçia)

XS
SM
MD
LG