Ndërlidhjet

Policia thotë se sulmuesi në Ramadi mund të jetë nga Kosova


Ramadi, 18 maj 2015
Ramadi, 18 maj 2015

Një sulmues vetëvrasës britanik, i cili ka ndihmuar militantët e Shtetit Islamik të avancojnë drejt qytetit irakian Ramadi, është identifikuar nga mediat britanike si Fatlum Shalaku, 20-vjeçar nga Kosova.

Raporti është publikuar fillimisht nga televizioni britanik ITV News.

Fatos Makolli, drejtor i Departamentit për Anti-Terrorizëm në Policinë e Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se hetimet kanë nisur për të konfirmuar identitetin e këtij personi.

“Në bazë të informacioneve të para, rezulton se personi mund të jetë me prejardhje nga Kosova”, ka thënë Makolli.

ITV News ka raportuar se Fatlum Shalaku ishte në mesin e gjashtë militantëve që kanë hedhur veten në erë për të ndihmuar depërtimin e militantëve të Shtetit Islamik në Ramadi.

Në raport thuhet gjithashtu se vëllau i tij, Flamur Shalaku, 23 vjeç, është vrarë në mars të këtij viti, gjithashtu duke luftuar përkrah Shtetit Islamik.

Autoritetet në Kosovë pohojnë se janë duke mbledhur të dhëna për prejardhjen e tyre.

XS
SM
MD
LG