Ndërlidhjet

Prokuroria heton përfshirjen e qytetarëve nga Kosova në Kumanovë


Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, është duke vazhduar hetimet për përfshirjen e disa qytetarëve nga Kosova në përleshjen e armatosur në Kumanovë të Maqedonisë.

Më 9 dhe 10 maj, forcat e rendit në Maqedoni, ndërmorrën një aksion policor kundër një grupi të armatosur, aksion ky i cili përfundoi me 18 persona të vrarë, 8 policë dhe 10 pjesëtarë të dyshuar të grupit të armatosur, 9 nga të cilët janë shtetas të Kosovës.

Disa nga personat e vrarë, sipas autoriteteve të rendit në Prishtinë, kanë qenë të dyshuar për vepra penale në Kosovë, për çka edhe kanë qenë nën hetime.

Në një përgjigje përmes postës elektronike, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë, se është duke bërë hetime lidhur me rastin.

“Prokurori i Shtetit, respektivisht Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka njoftuar opinionin e gjërë se ka në fazën hetimore një rast, ku mund të jenë të dyshuar persona të njëjtë, që mund të kenë qenë të përfshirë në ngjarjet e ndodhura në Maqedoni. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës përderisa rastin e ka në fazë hetimore nuk mund të bëjë publike informata tjera”.

Prokuroria ka njoftuar se ende nuk e ka pranuar raportin e autopsisë së 9 shtetasve të Republikës së Kosovës, të vrarë në Maqedoni. Trupat e tyre të pajetë janë sjellë në Kosovë në orët e para të mëngjesit të së premtes, më 22 maj.

Prokuroria ka shpjeguar se raporti për autopsinë është duke u përgatitur në Departamentin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Në aksionin e Kumanovës, autoritetet e rendit kanë arrestuar 30 persona, 18 nga të cilët gjithashtu janë shtetas nga Kosova.

Avokati i Popullit i Maqedonisë, Ixhet Memeti, tha për Radion Evropa e Lirë se bashkërisht me ekipet tij, ka arritur që të vizitojë pjesën me të madhe të të paraburgosurve nga Kosova, por edhe të tjerët që janë ndaluar nga autoritetet maqedonase.

“Nga ato vizita që i kemi bërë, kemi grumbulluar gjithë dokumentacionin, nga i cili kemi parë gjendjen shëndetësore, nga dokumentacioni mjekësor. Kemi parë se të gjithë janë trajtuar nga mjeku, gjegjësisht të gjithë gjatë pranimit në paraburgim i ka kontrolluar mjeku dhe varësisht nga nevoja mjeku u ka dhënë terapi. Kemi dhënë rekomandime që mjekët rregullisht të bëjnë vizita dhe atyre t‘u ndihmohet”, tha Mehmeti.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, ka shprehur dyshime se disa nga personat e vrarë në Kumanovë më 9 dhe 10 maj, mund të kenë qenë fillimisht të plagosur dhe të jenë vrarë pasi u janë dorëzuar autoriteteve të rendit në Maqedoni.

Behxhet Shala, drejtor ekzekutiv në KMDLNJ, tha për Radion Evropa e Lirë se sipas dëshmitarëve “disa nga të arrestuarit janë vrarë pas dorëzimit”.

“Edhe vet ata të cilët kanë qenë duke luftuar, por edhe banorët, edhe ata të cilët kanë qenë të pranishëm gjatë arrestimeve, kanë deklaruar se i kanë parë disa persona që kanë qenë vetëm të plagosur, pastaj kanë figuruar në listën e të vrarëve”, tha Shala .

Shala tha se dyshimet për vrasje pas arrestimeve janë shtuar edhe pasi që autoritetet në Maqedoni disa herë kanë dhënë deklarata të ndryshme dhe kontradiktore për numrin e të vrarëve, të plagosurve dhe të arrestuarve.

Fillimisht, autoritetet maqedonase kishin thënë se numri i viktimave është 22, 14 nga të cilët ishin pjesëtarë të vrarë të grupit të armatosur.

Numri është ndryshuar më 18 maj, me arsyetimin se skena kaotike në Lagjen e Trimave në Kumanovë, mund të ketë shkaktuar gabim në përcaktimin e numrit të të vrarëve.

XS
SM
MD
LG