Ndërlidhjet

Protestë kundër Gjykatës Speciale për Krime Lufte


Protestë kundër Gjykatës Speciale
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:55 0:00

Protestë kundër Gjykatës Speciale

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë protestuar të premten në Prishtinë, në shenjë kundërshtimi për themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte.

Protestuesit iu kanë bërë thirrje të vazhdueshme deputetëve të Kosovës që të pamundësojnë amadamentimin e ligjeve që e sjellin këtë Gjykatë.

Masës së tubuar përpara Kuvendit të Kosovës iu është drejtuar Xhavit Jashari, kryetar i Organizatave të dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai tha se kjo protestë e kundërshton themelimin e kësaj gjykate, pasi që si e tillë është e dëmshme dhe e njollos luftën e pastër të UÇK-së.

“Ne sot i bëjmë thirrje të zgjedhurve të popullit, deputetëve të Kosovës, se nëse votojnë një gjykatë të tillë, votojnë pro dhunës, votojnë pro gjenocidit, pro gjithçka që ka bërë pushtuesi serb ndaj popullit shqiptar”, ka theksuar Jashari, përcjellë nga brohoritjet e protestuesve “thoni jo gjykatës Speciale”.

Protestuesve iu është drejtuar edhe ish veprimtari politik, Selatin Novosella. Ai krijimin e Gjykatës Speciale e ka quajtur proces politik.

“Ne ngrehim zërin kundër kësaj gjykate. Shtrohet pyetja.. Pas gjykatës së Hagës, pas gjykatës së UNMIK-ut, pas gjykatës së EULEX-it , pse edhe Gjykatë Speciale. Vetë fakti që quhet speciale kemi të bëjmë me gjykim special ndaj atyre që na sollën lirinë”, ka shtuar Novosella.

Pas thirrjeve të protestuesve që deputetët të dalin nga seanca parlamentare, protestuesve iu është bashkuar Nait Hasani, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Ai ka theksuar se kjo protestë është në mbrojtje të vlerave të luftës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila siç theksoi Hasani, ka qenë luftë e drejtë.

“Ne do të votojmë ato interesa që do t’i mbrojnë vlerat e luftës, asnjëherë nuk do të votojmë kundër interesave të Kosovës dhe as në interesat që dëmtojnë vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar Hasani.

Protesta e sotme gjithashtu ishte edhe shprehje e pakënaqësisë me dënimin e 11 ish pjesëtarëve të UÇK-së, nën akuzat për krime lufte.

Protesta kishte nisur në ora 10 dhe kishte përfunduar menjëherë pas shtyrjes së seancës së Kuvendit të Kosovës.

Ligjvënësit e Kuvendit të Kosovës, me shumicë votash kishin vendosur që seancën e sotme plenare ta shtyjnë për një ditë tjetër me arsyetimin se nuk është përkthyer ende drafti final i Ligjit për Gjykatën Speciale, i cili është negociuar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG