Ndërlidhjet

Bie numri i braktisjes së shkollimit të detyrueshëm


Në Kosovë, vetëm 0.1 për qind e fëmijëve nuk arrijnë të shfrytëzojnë të drejtën për shkollim fillor dhe 0.5 për qind për shkollim të mesëm, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë.

Personat të cilët nuk arrijnë të shfrytëzojnë të drejtën për arsimim, kryesisht janë fëmijët e familjeve të cilat jetojnë në gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale.

Azem Guri, këshilltar i ministrit të Arsimit në Qeverinë e Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se mos-shfrytëzimi i së drejtës për arsimim është në rënie.

“Meqë shkollimi fillor apo nëntë vjeçar është i obliguar edhe me ligj, sipas të dhënave që ne i kemi, kjo shifër [e braktisjes] është çdo herë në ulje, është një përqindje jashtëzakonisht e vogël e nxënësve që braktisin shkollimin e obliguar. Në shkollat e mesme të larta kjo shifër është më e theksuar, por nuk është e lartë dhe edhe kjo është në rënie”, sqaron Guri.

E drejta për shkollim është e drejtë e garantuar për të gjithë fëmijët. Në Kosovë, fëmijët që kanë arritur moshën 6 vjeç deri në shtator, janë të detyruar nga Ligji mbi Arsimin të regjistrohen në klasën e parë të arsimit fillor.

Shkollimi i detyruar mbaron me përfundimin e vitit të nëntë të shkollimit ose në datën kur nxënësi mbush 15 vjeç, varësisht cila nga këto përputhet e para.

Ministria e Arsimit në Kosovë, ka disa vjetë që siguron falas tekstet shkollore për nxënësit e shkollave fillore, gjë e cila thuhet të ketë ndikuar në vijimin e arsimimit gati nga të gjithë.

Për fëmijët të cilët braktisin shkollimin fillor, nëpër komunat e Kosovës, tregon Azem Guri, janë themeluar grupet që merren me parandalimin e kësaj dukurie, të cilat njëkohësisht, sipas tij, merren edhe me shkaqet e braktisjes.

“Arsyet e braktisjes së shkollës kryesisht janë ekonomike dhe sociale, pastaj ka raste kur është edhe transporti si arsye e braktisjes edhe tekstet shkollore për nxënësit e shkollave të mesme".

"Nëse konstatohet se braktisja e shkollës është bërë për këto arsye atëherë intervenohet nga grupet që merren me parandalimin e kësaj dukurie. Në shumë raste këto grupe kanë arritur që t’i zgjidhin problemet”, tregon Guri.

Edhe ekspertët e arsimit në Kosovë, vlerësojnë se kur është fjala për shkollimin e obligueshëm, Kosova ka arritur një pjesëmarrje jashtëzakonisht të lartë të fëmijëve në këtë nivel të shkollimit.

Megjithatë, eksperti i çështjeve të arsimit Dukagjin Popovci, thotë se pavarësisht nivelit të lartë të vijimit të mësimit të shkollimit fillor, e drejta e shkollimit është një çështje e cila duhet të adresohet në vazhdimësi.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm se e kemi një kategori të qytetarëve tanë, të cilët edhe përkundër dëshirës që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë për shkollim, nuk janë në gjendje ta bëjnë një gjë të tillë për shkak të gjendjes ekonomike”.

“Në veçanti kjo vërehet te fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas, të cilët në shkollim të obligueshëm kanë një pjesëmarrje prej 80 për qind të grupmoshës së tyre, që është shumë më ulët sesa fëmijët e komuniteteve tjera. Kjo qartazi tregon se bëhet fjalë për probleme të natyrës ekonomike”, shton Popovci.

Sa i përket shkollimit të mesëm të lartë, Popovci thekson se edhe këtu janë fëmijët e komuniteteve ata të cilët kanë nivel më të ulët të vijimit të shkollimit.

“Në shkollimin e mesëm, dukuria e braktisjes është më e shprehur sesa në shkollimin e obligueshëm. Edhe këtu braktisja më e madhe është te djemtë për shkaqe ekonomike".

"Përsëri kemi grupe që nuk mund të vazhdojnë shkollimin e vet deri në fund. Kjo pastaj i sjellë në një pozitë të pafavorshme në tregun e punës, pasi që kanë shumë më shumë vështirësi të gjejnë punë, sesa ata që janë në gjendje ta përfundojnë shkollimin”, vlerëson Popovci .

Sidoqoftë, braktisja e shkollës nga nxënësit, në të shumtën e rasteve ndodhë në vendet rurale. Vajzat janë ato që më së shumti e braktisin shkollën fillore, ndërkaq nxënësit e gjinisë mashkullore, në numër më të madh e braktisin shkollën e mesme.

XS
SM
MD
LG