Ndërlidhjet

Partia e Erdoganit drejt humbjes


Recep Tayyip Erdogan
Recep Tayyip Erdogan

Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, duket se ka humbur shumicën në zgjedhjet parlamentare të së dielës.

Rezultatet paraprake sugjerojnë se partia pro-kurde HDP ka kaluar pragun prej 10%, duke siguruar për herë të parë ulëse në parlament.

Me 90% të votave të numëruara, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim ka fituar 42% të votave.

Nëse rezultatet konfirmohen, ato do t'i japin fund sundimit 13-vjeçar të partisë së Erdoganit si parti e vetme, si dhe planeve të tij për të zhvendosur Turqinë nga sistemi parlamentar në sistem presidencial.

Kryeministri Ahmet Davutoglu ka pranuar rezultatet.

"Vendimi i popullit është vendimi më korrekt", ka thënë ai.

Analistët përmendin disa arsye përse popullariteti i Erdoganit dhe ai i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim mund të ketë rënë – në mesin e tyre: pretendimet për korrupsion të shfrenuar, ekonomia më e dobët dhe papunësia relativisht e lartë.

Norma e papunësisë prej 11.3% është më e larta në pesë vjet.

Përveç kësaj, imazhi i Erdoganit është dëmtuar shumë nga shtypja e dhunshme e protestave në Stamboll për shkatërrimin e propozuar të Parkut Gezi.

Policia ka pasur të drejtë të përdorë municion të vërtetë ndaj protestuesve dhe të arrestojë qytetarë pa urdhër të gjykatës. (V.Tela)

XS
SM
MD
LG