Ndërlidhjet

Erdogan: Asnjë parti nuk mund të qeverisë e vetme


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se rezultati i zgjedhjeve të së dielës tregon se asnjëra parti nuk mund të qeverisë e vetme.

Ai u ka bërë thirrje forcave politike që të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe të ruajnë “atmosferën e stabilitetit dhe të besimit” në vend.

Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e Erdoganit ka humbur shumicën në zgjedhjet e përgjithshme për herë të parë në 13 vjet.

Ajo ka siguruar 41 për qind të votave, duke shënuar rënie të mprehtë nga viti 2011, dhe duhet të gjejë partner koalicioni ose të përballet me hyrjen në një qeveri të pakicës.

Deri më tash, asnjë parti nuk ka dhënë indikacione se është gatshme të hyjë në koalicion me Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim.

Rezultatet janë goditje ndaj planeve të Erdoganit për të rritur kompetencat e tij. Ai ka shpresuar të fitojë shumicën prej dy të tretash, për ta kthyer Turqinë nga sistemi parlamentar në sistem presidencial.

Partia Popullore Demokratike, subjekt pro kurd, ka kaluar pragun prej 10%, duke siguruar për herë të parë ulëse në Parlament.

“Pavarësisht fushatës dhe sulmeve kundër nesh, që ka kryer partia në pushtet, ne kemi shënuar fitore të mahnitshme”, ka thënë lideri i partisë pro-kurde, Selahattin Demirtas.

Pasi të shpallen rezultatet përfundimtare, kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, ka 45 ditë kohë për të formuar qeverinë.

“Qytetarët tanë kanë përmbushur detyrën e tyre, kanë shprehur dëshirën e tyre. Ne u jemi mirënjohës të gjithë atyre. Vullneti i tyre është mbi çdo gjë. Por, duhet të dihet se do të ndërmerret çdo masë për të parandaluar dëmtimin e stabilitetit dhe të paqes sonë. Vendi ynë duhet të mbetet në paqe”, ka thënë Davutoglu.

Një nga zëvendësit e tij, Numan Kurtulmus, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme janë të mundshme.

Edhe gazetat pro-qeveritare, si Yeni Safak, kanë bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme.

Sipas agjencisë së lajmeve AFP, zgjedhjet e reja mund të thirren në çdo kohë gjatë 45 ditëve të ardhshme.

Partia për Drejtësi dhe Zhvillim ka dominuar politikën turke prejse ka ardhur në pushtet në vitin 2002, por ka pësuar nga ngadalësimi i rritjes ekonomike dhe tendencat e perceptuara autoritare të Erdoganit.

Të hënën në mëngjes, monedha turke ka rënë në nivele rekorde kundër dollarit amerikan. Banka Qendrore ka vepruar shpejt për të mbështetur lirën, duke zvogëluar normën e interesit për depozitat në valuta të huaja.

“Kjo ka qenë e pritur. Nuk ka qenë befasi”, ka thënë ministri turk i Financave, Mehmet Simsek, për gazetarët në Ankara, teksa ka komentuar rënien e lirës.

Turqia shihet si një anëtare e rëndësishme e NATO-s dhe një përzierje e rrallë e Islamit dhe demokracisë.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG